Besimtarëve myslimanë as kësaj here nuk u është lejuar falja e namazit të festës së Bajramit në xhami.
Shkaku i pandemisë, ky ritual fetar është ndaluar nga Qeveria e Kosovës.
Për ta respektuar vendimin e Qeverisë, para xhamisë kanë qëndruar policë të cilët kanë kthyer prapa qytetarët që kishin ardhur për të parë nëse mund të falen.
Por, ky vendim dikujt i dukej absurd, raporton KOHA.
Riza Syla thotë se për 50 vjet është falur në xhaminë “Sulltan Mehmeti” në kryeqytet.
Para orës 6 të mëngjesit, ai ka ardhur të sigurohet se nuk do të ketë falje të namazit të Kurban Bajramit.
E pa xhemat, falja e Kurban Bajramit u bë në xhaminë në lagjen “Dardania” në Prishtinë.
Interesimi për t’u falur në xhami nuk kishte munguar, por ishin anëtarët e Këshillit të kësaj xhamie që u kishin treguar besimtarëve se kjo nuk ishte e lejuar.
Idriz Pllana, njëri nga anëtarët e Këshillit në xhaminë në “Dardani”, e mirëpret vendimin për ndalimin e faljes së namazit të Kurban Bajramit në xhami, kjo pasi, sipas tij, gjendja me COVID-19 në vend po rëndohet nga grumbullimet e shumta.
Si pasojë e rritjes së madhe të numrit të personave të vdekur nga COVID-19 si dhe të infektuarve gjatë ditëve të fundit, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka pezulluar faljen e namazit të Bajramit si dhe të gjitha ritet fetare për 10 ditët e ardhshme në të gjitha xhamitë e vendit.
Për shkak të përhapjes së koronavirusit, edhe festa e Fitër Bajramit nuk ishte lejuar të falej në xhamitë e Kosovës.