Arbëri

Falja e gjakut i jep fund hasmërisë së dy familjeve pas 18 vjetësh

Anëtarët e familjeve ia kanë shtrirë dorën e pajtimit njëri-tjetrit, pasi Avdi Shala ia ka falur gjakun e babait kryefamiljarit Ibrahim Shala. Vrasja kishte ndodhur në vitin 2004

Prishtinë, 13 shkurt – Hasmëria e nisur që nga viti 2004 midis dy familjeve Shala në Zaqisht të Rahovecit ka marrë fund pas 18 vjetësh, pasi familjarët ia kanë shtrirë të dielën dorën e pajtimit njëri-tjetrit.

Kjo hasmëri kishte nisur pasi që Sokol Shala ishte vrarë nga një kushëri i tiji, anëtar i familjes së Ibrahim Shalës.

Dy djemtë e të ndjerit, Avdiu dhe Besniku, të dielën falën gjakun e babait të tyre.

Avdiu, si djali më i madh i familjes së viktimës, ia ka zgjatur dorën e pajtimit Ibrahim Shalës, kryefamiljar i familjes së dorasit tashmë të falur.

Veprimi i faljes së gjakut në xhaminë e fshatit Zaqisht është cilësuar si akt i admirueshëm.

Ndërkaq për këtë veprim, Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka ndarë mirënjohje falënderimi për Avdi Shalën.

Haradinaj me këtë rast ka kërkuar që të ndalen hasmëritë ndërmjet shqiptarëve.

“Kjo na jep shpresë që do të ndalen hasmëritë mes shqiptarëve dhe të ndalen tragjeditë mes neve dhe që ne do ta shtojmë dashurinë mes veti”, ka thënë Haradinaj.

Përveç shefit të AAK-së, i pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, i cili ka shprehur vlerësimin e tij të lartë për familjen Shala që ka falur gjakun.

“Dita e sotme na bën të ndihemi mirë edhe për faktin se lajm më të mirë në kushtet e pasluftës në liri nuk besoj që ka”, ka thënë ai, duke uruar që ndërmjet këtyre dy familjeve të ketë harmoni e paqe të vazhdueshme.

Urim të njëjtë ka shprehur edhe Pal Lekaj, deputet nga radhët e AAK-së.

“Nuk ka diçka më të mirë, nuk ka diçka më të fortë sesa kur shtrihet dora e pajtimit. Aty fillon paqja, aty fillon jeta, aty fillon e mbara”, ka deklaruar ai.

Organizatorët e ngjarjes kanë thënë se Lekaj ishte njëri prej kontribuuesve kryesorë për pajtimin e dy familjeve.

Në ceremoninë e së dielës, në të cilën morën pjesë familjarë e banorë të fshatit, të pranishëm ishin edhe kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, dhe deputeti i AAK-së, Bekë Berisha.

Krejt kjo ngjarje është bekuar edhe nga hoxha i fshatit Zoqisht, Vahid Sylka, i cili u lut për paqe të përhershme mes familjeve.

Falja e gjaqeve është një traditë e lartë zakonore te shqiptarët.

Kjo traditë zanafillën doktrinale e ka te Kanuni i Lekë Dukagjinit, jo vetëm si akt, por edhe si procedurë.

Juridiksioni kosovar nuk i njeh këto zakone, përkundrazi vendos për gjykim sipas Kodit Penal.

Në Kosovë vazhdon të ketë familje të ngujuara dhe iniciativa për pajtimin e tyre.