Arbëri

Faktet për manipulimin e dosjes së Lumezit

Pas 21 ditë hetimesh Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, mbylli hetimet për dosjen e Provimit të Jurisprudencës së kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe dyshimeve se ajo mund të jetë e manipuluar. Por pavarësisht kësaj, hetimi nuk ishte bindës pasi prokuroria nuk ia kishte dalë të kundërshtoj gjetjet e hulumtimit 1 mujor, që kishte bërë ekipi i Kohavisionit dhe “Betimi për drejtësi”, të cilët gjetën me dhjetëra dokumente të cilat dëshmonin për një manipulim të tillë të Dosjes së provimit të Jurisprudencës, të Lumezit.

Më 18 tetor u ngritën dyshimet se Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka manipuluar provimin e tij të Jurisprudencës.

Për rreth një muaj, ekipi i Kohavisionit dhe “Betimi për drejtësi”, hulumtuan e gjetën me dhjetëra dokumente të cilat dëshmonin për një manipulim të tillë të Dosjes së provimit të Jurisprudencës, të Lumezit.

Zymer Krasniqi nga Deçani është emri mbi të cilin është shënuar emri i Lumezit në këtë libër, numri i të cilit përputhet edhe me dosjen e provimit të Lumezit nga prilli i vitit 1991.

Në këto tri dokumente, emri i Lumezit është shënuar në tri forma të ndryshme.

Në dosje është me alfabet latin, në librin e paraqitjes së provimit mbiemri Lumezi është Llumezi, sipas alfabetit cirilik, derisa në librin amzë mbiemri është Ljumezi.

Një detaj tjetër është ai se vetëm tek emri i kryeprokurorit mungon vendlindja, derisa prapa ngjyrës së bardhë vërehet qartë emri i qytetit “Deçan”, që është i shkruar në cirilikë.

Nën efektin e dritës vërehej edhe emri Zymer Krasniqi.

Arkivi i Shtetit nuk kishte asnjë procesverbal se si arritën ata libra aty dhe se cila është arsyeja që vetëm librat mbi dhënien e provimit të Jurisprudencës nuk janë origjinalë, por janë kopje.

Origjinali i këtij libri u gjet në Ministrinë e Drejtësisë, ku kishin vazhduar të regjistroheshin personat që kishin dhënë provimin e jurisprudencës deri më 2011-n.

Librat në Arkivin e shtetit, u tha të jenë sjellë gjatë periudhës së pasluftës në vitin 1999-2000 dhe deri në vitin 2004 nuk ishte marrë askush me ta.
 

Pas prezantimit të faktit se nën emrin e Lumezit ndodhet, emri i Zymer Krasniqit, Lumezi prezantoi certifikatën e provimit të Jurisprudencës, ku shkruante se e ka dhënë më 25 prill 1991.

Por në dosjen e tij, e cila qëndron në arkiv, figuronte se Lumezi, një ditë pas datës së shënuar në certifikatë, saktësisht më 26 prill 1991, i është nënshtruar provimit me gojë, pasi që më 24 i ishte rinënshtruar provimit me shkrim.

Certifikata mban numrin e protokollit 02 nr.152-1-217/90. Ky numër protokolli është i njëjti edhe në dosjen në arkiv edhe në librin amzë, ku nën emrin e Lumezit gjendet emri i Zymer Krasniqit.

Për të dëshmuar vërtetësinë e certifikatës së tij, kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, siguroi një vërtetim nga ish-Sekretari Krahinor i Administratës dhe Judikaturës, GjorgjeAksiq, i cili ishte emëruar në këtë pozitë gjatë kohës së masave të dhunshme, pas dëbimit të punëtorëve shqiptarë.

Përmes këtij dokumenti të vërtetuar nga noteri në Beograd të Serbisë, Aksiq deklaroi se nënshkrimi në certifikatën e Lumezit është tij, me ç’gjë dëshmoi autenticitetin e nënshkrimit, i cili nuk u kontestua asnjëherë.

Vërtetimi thotë: Me kërkesë të Lumezi Aleksander-it nga Prishtina, me përgjegjësinë e plotë e jap këtë

Deklaratë

Certifikatën për dhënien e provimit të Judikaturës 02 nr.152-1-1217/90 të datës 06.05.1991, e cila më është dhënë në shikim, në të cilën shkruan se Aleksander Lumezi nga Prishtina, më dt. 25.04.1991 e ka dhënë provimin e Judikaturës, e kam nënshkruar unë.

“Gjatë hulumtimit, ne kemi gjetur edhe Dosjen Personale të Zymer Krasniqit, me të cilën vërtetohet se ai ka kryer punën praktike në ish-gjykatën Komunale të Deçanit tash dega e Gjykatës Themelore në Pejë. Në këtë dosje është e faktuar çdo gjë për Zymer Krasniqin apo siç njihet tani Zymer Tahirin. Në mesin e dokumenteve është ky vërtetim që mban datën 12.10.1990, i cili i ishte lëshuar për të paraqitur provimin e Judikaturës. Aty shkruhet se vërtitmi shërben për paraqitjen e provimit për Gjyqtar të Kundërvajtjes pranë Sekretariatit të Judikaturës dhe Administratës në Prishtinë. Dhe kjo është 5 ditë pasi ai kishte paraqitur provimin e Jurisprudencës.

Më 17 tetor të 1990, Zymer Krasniqi ishte regjistruar në librin për paraqitjen e provimit të Jurisprudencës, porse emri i tij ishte mbuluar me atë të Aleksandër Lumezit.

Në dosjen e Aleksandër Lumezit për periudhën 1989-1991që fizikisht gjendet në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, faktohet çdo gjë për punën praktike të kryer nga kryeprokurori aktual i shtetit, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, me përjashtim të vërtetimit për paraqitjen e provimit të Jurisprudencës.

Te kjo dosje është vetëm vërtetimi kur ai e kishte përfunduar vitin e parë të praktikës, e që mban datën 31 tetor 1990, apo 14 ditë pas datës së shënuar në librin e paraqitjes së provimit të jurisprudencës.

Sipas ligjit për Provimin e Judikaturës të viti 1974, që ishte në fuqi atë kohë, Lumezi ligjërish nuk i kishte plotësuar kushtet për të paraqitur provimin me datën 17 tetor 1990, pasi nuk e kishte pasur vitin e plotë të praktikës në gjyqësi, që kishte qenë kusht ligjor për hyrë në këtë provim.
 

Më 31 tetor 2017, Zymer Tahiri, është marrë në pyetje nga Policia. Ai erdhi nga Starnbergu i Gjermanisë për të dëshmuar se e kishte përfunduar praktikën në Gjykatën e Deçanit.

Kishte paraqitur provimin në tetorin e 90-s, i ishte nënshtruar atij në shkurt, madje tha se kishte hyrë edhe në provimin me gojë.

“Unë e kam kry praktikën, e kam marrë certifikatën dhe e kam paraqit provimin e jurisprudencës. Kam hy në provim me shkrim e me gojë, e krejt i kam kry procedurat. Po i kam ba do vjet dhe nuk e kujtoj bash saktë se diçka më ka pas ardhë mas një kohë në shpi edhe pse kemi pas probleme me postë. Po e maj në mend që më ka pas ardhë diçka, po çka e qysh, nuk e kujtoj dhe nuk e posedoj asnjë dokument, sepse kam ika për n’Gjermani.” ka rrëfyer Zymer Krasniqi.

Ish-sekretari i Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, Sahit Shala, i cili për 11 vjet punoi me Komisionin e Jurisprudencës, thotë se asnjëherë nuk ka bërë përmirësime të tilla, siç shihen në dosjen e Lumezit, sepse një gjë e tillë, sipas tij, ka qenë e ndaluar me ligj.

Një tjetër detaj që ai thotë ta ketë vërejtur është fakti se nënshkrimi i Sekretarit Krahinor për Jurisprudencën, Gjorgje Aksiq, nuk është vetëm në certifikatën e Judikaturës së kryeprokurorit Lumezi, por edhe në dosjen e Lumezit si pjesë e Komisionit, gjë që , sipas tij, nuk ka qenë e mundur.
 

Shala tutje ka sqaruar se procedurat ia ndalonin kandidatit që ka rënë në lëndët Penale e Civile të hynin në provimin me gojë.

Në shtatorin e vitit 1999, ish-kryeadministratori i Kosovës, Bernard Kushner, kishte krijuar Komisionin Këshillëdhënës Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës, në përbërje të të cilit ishin 11 persona, 7 vendorë dhe 4 ndërkombëtarë.

Misioni i këtij komisioni ishte themelimi i Sistemit Prokurorial dhe Gjyqësor në Kosovë. Riza Smaka, kryesues i tij, dhe anëtarët Adil Fetahu, Shaban Kajtazi, Tadej Rodiqi, Rexhep Murati, Ragip Halili dhe Bajram Krasniqi nisën punën e gjetjes së njerëzve adekuatë në 7 regjione të Kosovës.

Kryetari i këtij Komisioni, Riza Smaka, deklaroi se konkurrent për prokuror në grupin e parë ishte edhe Aleksandër Lumezi.

Lumezi u refuzua pikërisht për provimin e Jurisprudencës, jo që u dyshua për vërtetësi, por meqë vetë kishte deklaruar se nuk e kishte të dhënë atë.

Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga anëtari tjetër i këtij këshilli, Adil Fetahu, i cili kishte qenë përgjegjës për regjionin e Prishtinës.

Fetahu, i cili ka mbajtur edhe procesverbal për punën që ka bërë këshilli, deklaroi se Aleksandër Lumezi, nuk e ka pasur e as që ka deklaruar në 99-n se ka provim të Jurisprudencës.

Deklaratën e tij e mbështeti në këtë procesverbal.

Në rundin e dytë të emërimit të gjyqtarëve, në konkursin e shpallur në shkurt të 2000, për pozitën e gjyqtarit dhe prokurorit me qëllimin e krijimit të sistemit gjyqësor e prokurorial, Lumezi kishte aplikuar për Gjyqtar në Gjykatën Komunale në Prishtinë, dhe ishte i 45-ti në listë.

Bazuar në dokumentacionin që kishte paraqitur ai vetë, thuhet se kishte të kryer Fakultetin Juridik në vitin 88, nga 94 deri në 97 ishte bashkëpunëtorë profesional në avokaturën e të atit, Nikë Lumezi, term ky që përdoret për juristët e diplomuar pa provim Judikature, derisa në 98-n për 3 muaj kishte qenë hulumtues në Fondin për të Drejtën Humanitare.

Dëshmitë u mbështetën edhe nga dy anëtarë të tjerë: Ragip Halili, i cili ka mbështetur deklaratat e kolegëve duke konfirmuar po ashtu, se pjesë e sistemit prokurorial dhe gjyqësor ishin bërë edhe persona që nuk e kishin fare provimin e Jurisprudencës.

Të njëjtën gjë e tha edhe Bajram Krasniqi.

Hetimet për dyshimet e falsifikimit të dosjes së provimit të Jurisprudencës u zhvilluan nga prokurori Kujtim Munishi, vartës i Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, i cili për një kohë të shkurtër arriti të punojë në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të bëhet shef i Departamentit të Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Munishi, vetëm dy vjet e gjysmë pasi ishte bërë pjesë e sistemit Prokurorial të Kosovës, kishte arritur të transferohet nga zyra e prokurorit të Gjilanit, në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Ai kishte kryer detyra dhe përgjegjësi tjera drejtpërdrejt nën mbikëqyrjen e Kryeprokurorit Lumezi.

Pas 21 ditë hetimesh Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, mbylli hetimet për dosjen e Provimit të Jurisprudencës së kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe dyshimeve se ajo mund të jetë e manipuluar.

Në Aktvendimin që prokurori, Kujtim Munishi, ua dërgoi mediave, thuhet se: pas analizimit të të gjithë informacionit, vijnë në përfundim se, dosja e Lumezit për provimin e Jurisprudencës është konform dispozitave dhe procedurave të atëhershme për administrimin e këtij provimi.

Sipas këtij aktvendimi, Lumezi në mënyrë të pakontestueshme e kishte dhënë provimin e Jurisprudencës.

Prokurori Kujtim Munishi në fakt asnjëherë nuk kishte zhvilluar hetime penale për dosjen e manipuluar të shefit të tij, ai kishte zhvilluar vetëm hetime parapenale.
 

Në provat e prezantuara të hetimit parapenal për dosjen e shefit të tij, nga prokurori Munishi, janë edhe dy libra në të cilët figuron se Aleksandër Lumezi ka paraqitur provime dy herë.

Sipas provës nr. 1, Lumezi e ka paraqitur provimin e Jurisprudencës më 17 tetor 1990, në të cilin libër emri i tij shkruhet mbi emrin e Zymer Krasniqit. Këtë provim, Lumezi ligjërisht nuk ka pasur të drejtë, pra praktikisht as mundësi ta paraqesë, për shkak se nuk e kishte plotësuar kushtin ligjor të punës praktike njëvjeçare.

Kjo dëshmohet me dispozitën e nenit 3 të Ligjit për dhënien e provimit të jurisprudencës; deklaratës së Sahit Shalës si dhe dokumenteve të mbledhura në dosjen personale të Lumezit, në mesin e të cilave gjendet vërtetimi për pushimin e marrëdhënies së punës në cilësinë e praktikantit, që mban datën 31 tetor 1990.

Sipas provës 2 të prezantuar nga Prokuroria, Aleksandër Lumezi, pas provimit të Jurisprudencës, del se e ka paraqitur edhe provimin profesional dhe atë vetëm pas dy muajve e gjysmë, më 9 janar 1991.

Ndërkaq, derisa Zymer Krasniqi figuron nën emrin e Aleksandër Lumezit në librin e paraqitjes së provimit të Jurisprudencës, më 17 tetor 1990, përputhet me vërtetimin e gjykatës të siguruar në dosjen personale të Krasniqit, i cili ishte nxjerrë vetëm 5 ditë para paraqitjes së provimit.

Nga ana tjetër, Prokuroria ka prezantuar një libër për paraqitjen e provimit për gjykatës për kundërvajtje, ku rezulton se një kandidat me emrin Zimer Krasniqi nga Prishtina e kishte paraqitur këtë provim më 11 janar 1991.

Nuk dihet nëse bëhet fjalë për të njëjtin person, Zymer Krasniqi nga Deçani apo Zimer Krasniqi nga Prishtina.

Ndryshe, të dhënat e Aleksandër Lumezit përputhen vetëm bazuar në të dhënat e ndërtuara mbi librin e paraqitjes së provimit të Jurisprudencës dhe dosjen bazë të Zymer Krasniqit.

Në një kopje dyfaqesh të një regjistri tjetër të siguruar në Arkivin e Kosovës, që po ashtu ishte me ndërhyrje të shumta të llakut, del se Zimer Krasniqi listohet në numrin 34 te kandidatët që e kanë dhënë provimin për gjykatës të kundërvajtjes, ndërsa pas numrit 63 listohen kandidatët që kanë rënë në provim.

Në mesin e atyre që e kanë dhënë provimin për kundërvajtje, figuron Betim Shala, i cili është përdorur si dëshmitar nga prokurori, edhe pse nuk ka pasur lidhje dhe njohuri konkrete nëse e ka dhënë Lumezi provimin. Shala i kishte deklaruar prokurorit se atij i kujtohej se Lumezi një ditë e kishte qerasur atë me qebapë dhe djathë, teksa i kishte thënë se e kishte kaluar provimin e Judikaturës.

Tutje, në hetimin parapenal të mbyllur, rezulton se Munishi kishte marrë në pyetje shefin e tij në cilësi të dëshmitarit, i cili kishte deklaruar se: “Provimin e Judikaturës e kam paraqitur diku në fundin e 1990-s. Me aq sa më kujtohet, diku në shkurtin e vitit 1991 kam hyrë në provim për herën e parë dhe fillimisht kemi pasur provimin me shkrim në të Drejtën Penale dhe Civile. Pastaj e kam pasur provimin me gojë pas një jave, më 25 dhe 26 shkurt.”

As vetë deklarata e Lumezit nuk përputhet me dosjen e tij. Aty shkruan se ai kishte hyrë në riprovim më 24 prill dhe ishte pyetur me gojë më 26 prill 1991, e jo në shkurt, siç ka deklaruar tash para vartësit të tij.

Në një dokument tjetër dyfaqësh, që ka prezantuar Prokuroria si provë për mbylljen e rastit, për publikun ofrohet vetëm faqja e parë, ku shihen datat 23 dhe 24 prill 1991, sipas së cilës, kjo ishte lista e kandidatëve për dhënien e provimit të Jurisprudencës, ndërsa pjesa tjetër nuk shihet sepse është mbuluar komplet me faqen e dytë.

Në këtë faqe, shkruan lista e kandidatëve që kanë mbetur në riprovim. Aty figuron në numrin rendor 12 Aleksandër Lumezi. Kjo faqe e prezantuar nuk ka një datë të caktuar dhe nuk dihet se cilës periudhë i takon.

As të dhënat e kësaj liste nuk përputhen me vetë deklaratën e Kryeprokurorit, i cili kishte thënë se më 25 dhe 26 shkurt e ka dhënë provimin me gojë dhe, sipas kësaj, emri i tij nuk do duhej të figuronte në listën e kandidatëve që kanë mbetur në riprovim.

Tutje, intervenimet e bëra në dosjen e Lumezit dhe të gjitha mospërputhjet e datave dhe korrigjimet me llak të bardhë, prokurori Munishi i ka arsyetuar me gabimet administrative-teknike që, sipas tij, kanë ndodhur si rezultat i menaxhimit të mangët të regjistrave zyrtarë nga shërbyesit e atëhershëm civilë, që ishin përgjegjës për mirëmbajtjen e librave të provimit të Jurisprudencës.

Prokuroria nuk ka bërë asnjë ekspertizë për dokumentet e manipuluara me emra të nënshkruara mbi llak.

Përgjimet e reja të papublikuara deri tash në dhjetor u siguruan nga Kohavisioni.

Protagonistët Adem Grabovci, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Besim Beqaj dëgjohen teksa përpiqen të sigurojnë një pozitë, për Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezin, që asokohe ishte Kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë.

Adem Grabovci dhe Besim Beqaj kishin koordinuar një takim me Lumezin dhe “Fatmirin” në restorantin Belvedere.

Në takim më shpejt kishte arritur Beqaj, Fatmiri dhe Aleksandër Lumezi, ndërsa ishin në pritje të Adem Grabovcit. Ky i fundit, me humor, thotë se frikësohet nga fuqia e Kryeprokurorit.

Pas pak kishte arritur Grabovci në takim në periferi të Prishtinës në Belvedere. Gjatë takimit kishte pasuar një telefonatë të Kadri Veselit në drejtim të Grabovcit.

Ky i fundit, edhe pse kishte marrë instruksione për takimin që duhej ta zhvillonte me Aleksandër Lumezin, sërish merr detyra nga Kadri Veseli se si duhet të jetë i kujdesshëm me ofertën karshi Lumezit, pasi për këtë duhet takuar edhe me dostin.

Pas përfundimit të takimit, Grabovci raportoi te shefi Kadri Veseli.

Veseli i bën me dije se ka marrë informacione shtesë për Lekën, por që sërish i kërkon që të mos nguten e ta djegin, pasi u duhej edhe në pozitën e Kryeprokurorit të Qarkut në Prishtinë.

I kontaktuar nga Kohavisioni, Besim Beqaj nuk ka dashur të komentojë rastin, duke thënë se puna e përgjimeve është keqpërdorur.

Grabovci as nuk e ka mohuar e as pohuar rastin. Ka thënë se nuk kanë gisht në emërimin e tij si kryeprokuror, por nuk mohon faktin se ishin ne bisedime me Lumezin që ai të bëhej pjesë e PDK-së.

Kohavisioni ka provuar të marrë një deklaratë edhe nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili gjatë asaj kohe ende nuk ishte pjesë zyrtare e PDK-së, por zyrtarët e kabinetit të tij të kontaktuar nga KTV-ja, nuk kanë pranuar të komentojnë përgjimet.

Pasi kishte takuar Aleksandër Lumezin, Adem Grabovci kishte marrë pëlqimin e Kadri Veselit që brenda strukturave të PDK-së ta rehatonin edhe Kryeprokurorin e Qarkut të Prishtinës, jep lajmin te kreu i PDK-së, asokohe Hashim Thaçi.

Në një telefonatë të përgjuar të Grabovcit, Presidenti Thaçi e pyet atë se a ka biseduar me dostin dhe nëse janë dakord që ai të jetë pjesë e trupës nga fundi i janarit.

Hashim Thaçi: Çka ka të re, a fole me atë dostin?

Adem Grabovci: Po.

Hashim Thaçi: Ëhëëë edhe?

Adem Grabovci: Po tha... I pëlqej atina. Tha mirë, tha është, tha po... ai ma shumë e arsyetojke për shkak të atyne pushimeve këtu... Eee ka funi i janarit, fillimi i shkurtit, me hy...

Hashim Thaçi: Po de.

Adem Grabovci: Në atë trup edhe kem kohë??? Nuk merret vesh mirë?

Adem Grabovci: Në fund janar?

Adem Grabovci: Po. Fund janar, në fillim të shkurtit tha hym kadale...

Hashim Thaçi: E mi kryen para neve.

Të dy diskutonin edhe mënyrën se si do të bëhej inkuadrimi i tij në PDK .


Derisa Thaçi, atëkohë kryeministër dhe kryetar i PDK-së, thotë se duhej të mbahej kongresi, Grabovci i propozon atij se mund të shkonin vetëm me kryesinë dhe vetë Thaçi ta bënte propozimin.

Hashim Thaçi: Ani nuk o keq. Ko mi kry, mirë është mi, në Kongres me majtë, Kongresin me majtë atje.

Adem Grabovci: Po patjetër.

Hashim Thaçi: Ah...

Adem Grabovci: Po bën, bën edhe ajo. Nëse veç Kryesinë a e din mas parti, me thirr Kryesinë, ti e propozon...

Hashim Thaçi: A ki ti naj ide tjetër ma.

Adem Grabovci: Jo. Jo, jo, jo diçka. Jo diçka. Jam tashti me... Tash kur, kur po i tham edhe atina.

Hashim Thaçi: Kur e kish ai.

Adem Grabovci: Po se lam, me me, kqyr ndërkohë.

Hashim Thaçi: Mas të 20-it e kryejmë kur të dush. Ose në dy, tri ditë e para mas vitit të ri. Meniherë ditën e parë mas vitit të ri mund të shkojmë nja katër ditë me nejt.

Ndërkohë, Kadri Veseli ka folur për herën e parë për përgjimet, ai nuk e ka mohuar diskutimin për përfshirjen e Lumezit në PDK, por ka thënë se është detyrë e partive politike të marrin kuadro të reja që sjellin rezultate.

Vetë Lumezi, në një intervistë ditëve të fundit, ka thënë se klanit “Pronto” i janë përzier kabllot, por rezultatet e kësaj afere do të shihen në janarin e 2018-s.