Kreu i Delegacionit të BE-së në Serbi, Sem Fabrizi, tha sot se ai mbetet optimist kur bëhet fjalë për arritjen e një marrëveshjeje midis Beogradit dhe Prishtinës dhe theksoi se nuk ka alternativë për dialogun dhe se status-quo nuk është një opsion.
"Nuk mendoj se ekziston mundësia për të ruajtur këtë situatë, status-quo nuk është një opsion, nuk ndihmon as Serbinë, as Prishtinën. Është e nevojshme që dialogu të vazhdojë dhe të arrijë një marrëveshje," tha Fabrizi në Beograd.
Dialogu Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e BE-së, është ndërprerë pasi pala serbe kushtëzon vazhdimin e procesit me heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka përsëritur disa herë se dialogu do të vazhdojë në momentin kur Serbia të njohë shtetin e Kosovës.