Vetëm një ditë para se t’i përfundojë mandati në cilësinë e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ka pasur një diskutim me deputetët e Parlamentit Evropian në Komisionin e Politikës së Jashtme.
Ky takim ka qenë i mbyllur për publikun, mirëpo sipas burimeve të Parlamentit Evropian, Lajçak në diskutime është lavdëruar për punën e tij, duke thënë se ai në fillim të mandatit e kishte ringjallur dialogun i cili në fillim të vitit 2020 ishte pothuajse i paralizuar.
Lajçak ka përmendur arritjen e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve, sikur edhe Aneksin për zbatimin e kësaj marrëveshje, mirëpo ka pranuar se rezultatet në implementim dhe në procesin e normalizimit nuk kanë qenë ashtu siç i kishte pritur ai.
Mësohet se shumë deputetë të Parlamentit Evropian, në diskutime kanë kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian në dialog duke e quajtur si të pabalancuar, pasi që ndaj Kosovës ka pasur masa ndëshkuese, ndërsa ndaj Serbisë nuk ka pasur asnjë masë.
Kjo, sipas deputetëve të Parlamentit Evropian, ka ndikuar edhe që procesi i dialogut të mos sjellë rezultate konkrete.
Burimet e Parlamentit Evropian thonë se Lajçak është pajtuar me një konstatim të tillë dhe ka thënë se edhe ai kishte kërkuar heqjen e masave ndaj Kosovës, sidomos pas zhvillimeve në Banjskë në mënyrë që kjo të reflektohej pozitivisht edhe në procesin e dialogut.
Deputetët e Parlamentit Evropian po ashtu kanë thënë se Bashkimi Evropian duhet të jetë më konkret në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe më konkret, në mbështetjen e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimeve në BE.
Miroslav Lajçak nesër përfundon mandatin e tij, ndërkaq nga e shtuna atë do ta zëvendësojë diplomati danez Peter Sorensen, i cili është konfirmuar që të jetë përfaqësues i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.