Arbëri

EULEX-i del me sqarim për rolin e tij mbi operacionet e autoriteteve të Kosovës në veri

Policia në veri / Foto: KOHA

Policia në veri / Foto: KOHA

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), ka dalë me sqarim lidhur me rolin e tij mbi operacionet e kryera nga autoritetet e Kosovës në veri. 

Në sqarimin e EULEX-it thuhet se ky mision tash e gjashtë vjet nuk ka mandat ekzekutiv dhe se monitorimi është komponenti kryesor i tij. 

“EULEX-i ka mandat të ndihmojë në forcimin e institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë, në mënyrë që ato të jenë të qëndrueshme, të përgjegjshme dhe të afta për të garantuar në mënyrë efektive të drejtat e secilit pa diskriminim. Për këtë qëllim, monitorimi është një komponent thelbësor i mandatit të EULEX-it. Për të ushtruar në mënyrë efektive aftësinë tonë të fuqishme monitoruese, ne duhet të jemi fizikisht të pranishëm në skenën e aktiviteteve të kryera nga institucionet e Kosovës përgjatë gjithë zinxhirit të drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Më tej sqarohet se gjatë kryerjes së aktiviteteve monitoruese, respekton plotësisht pavarësinë e autoriteteve gjyqësore dhe parimin e mosndërhyrjes.

“Dhe nëse përmes këtyre aktiviteteve monitoruese konstatohen mangësi serioze, Misioni i adreson ato me autoritetet përkatëse përgjegjëse”, thuhet më tej në kumtesë.