Hulumtimi i “ETEA”-s ka evidentuar mangësi në lektyrat dhe në tekstet shkollore që i kanë në planprogram nxënës të shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë. Në prezantimin e raportit hulumtues: “Shqyrtim kritik i lektyrave shkollore”, autorja Uranela Demaj ka theksuar se tekstet shkollore dhe lektyrat që i lexojnë nxënësit përmbajnë gjuhë seksiste dhe diskriminuese. E njohës të fushës e kanë theksuar nevojën për përditësimin e teksteve shkollore dhe të lektyrave
Nxënës të shkollës fillore “Dardania” në Prishtinë e kanë nisur orën mësimore të gjuhës shqipe të mërkurën me diskutimin e mbajtur me arsimtaren e tyre, Ilirjana Nishevci, për Ditën Ndërkombëtare të Librit.
Ata e kanë shprehur rëndësinë që kanë librat dhe kultura e leximit, teksa i kanë ndarë përvojat e tyre personale lidhur me librat që i lexojnë.
“Mua më shumë më pëlqejnë librat që na i cakton arsimtarja, p.sh. libri “Kopshti Sekret”, “Merylli” etj. Brunet, Viktor Canosinaj janë autorë që më pëlqejnë shumë, kështu që kam dëshirë t’i lexoj të dyja, por më shumë më pëlqejnë autorët shqiptarë”, ka thënë nxënësja Erina Zeqiri.
Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe shoqja e saj, Elea Pula.
“Më së shumti lexoj librat p.sh. veprat letrare që na i jep arsimtarja e gjuhës shqipe, por ndonjë libër që më pëlqen e lexoj në kohë të lirë. Zakonisht kam qejf të lexoj libra me autorë shqiptarë, sepse i kuptoj më mirë dhe e paramendoj leximin më mirë në gjuhën shqipe”, është shprehur ajo.
Por një hulumtim i realizuar nga organizata “ETEA” me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit ka evidentuar mangësi në lektyrat dhe në tekstet shkollore që i kanë në planprogram nxënës të shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë.
Në prezantimin e raportit hulumtues: “Shqyrtim kritik i lektyrave shkollore”, autorja Uranela Demaj ka theksuar se tekstet shkollore dhe lektyrat që i lexojnë nxënësit përmbajnë gjuhë seksiste dhe diskriminuese.
“E kemi ndarë elementin e diskursit në tri lloje të gjuhës. E para është gjuha seksiste, kështu që gjetjet lidhur me normën gjinore dhe përdorimin e gjuhës ndaj grave në listat e leximit pasqyrojnë perceptime shumë të ngushta dhe kufizuese mbi rolin e gruas në shoqëri. Ashtu siç thashë, diskursi dominues është përdorimi i gjuhës seksiste, nënshtrimi i gruas dhe vajzës dhe estetizmi i stereotipave”, ka theksuar ajo, teksa e ka prezantuar raportin hulumtues.
Për gjetjet e raportit vlerësim kanë bërë edhe ekspertë të fushës.
Bekim Morina, hulumtues në Institutin Pedagogjik të Kosovës, ka shprehur nevojën për përditësimin e teksteve shkollore dhe të lektyrave.
“T’i pasurojmë shkollat me biblioteka, me tituj të rinj dhe ta ndryshojmë qasjen e mësimdhënësve sepse lë shumë për të dëshiruar. Kultura e leximit çalon dhe rezultatet jo rastësisht po na nxjerrin edhe në Pisa, në të gjitha vlerësimet ndërkombëtare dalim jo mirë”, ka theksuar ai.
E Sibel Halimi, njohëse e çështjeve gjinore, ka shprehur domosdoshmërinë e krijimit të politikave adekuate për përditësimin e librave.
“Si rezultat i mosangazhimit institucional dhe rritjes së ndërgjegjësimit, krijimin e politikave adekuate për përditësimin e listave, kemi diskriminim dhe stereotipa jo vetëm në kuptimin që lidhet me të kaluarën dhe të sotmen, por kemi edhe stereotipa në profesione, kemi stereotipa të gjinisë, kemi diskriminim, kemi legjitimim të dhunës në baza gjinore në lektyra”, është shprehur ajo.
Ndër librat e analizuar në kuadër të raportit hulumtues janë “Agimet e Kaltra” me autor Qamil Batallin, “Malësorja” e shkruar më 1965 nga Nazmi Rrahmani, “Nita” e Josip Relës, “Verorja” e Rexhep Hoxhës, “14 vjeç dhëndër” e Andon Zako Çajupit dhe “Lahuta e Malcis” e Gjergj Fishtës.
Sipas hulumtuesve, këta libra janë të vjetruar dhe nuk i pasqyrojnë realitetin apo nevojat e shoqërisë bashkëkohore.