I dërguari i posaçëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shprehu mbështetjen për integritetin territorial me kufijtë aktual të Kosovës. Kështu ka thënë kreu i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, pas një takimi njëorësh me zyrtarin e lartë amerikan në Tiranë.
Zëvendësndihmës sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, filloi të enjten një vizitë në Shqipëri, që ishte e para për të në këtë vend. Ai po shoqërohet nga ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim.
Escobar deklaroi pas takimit me kryedemokratin Lulzim Basha se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë një angazhim i vazhdueshëm i institucioneve shqiptare. Në një prononcim për mediat, Escobar deklaroi se ishte kënaqësi të takohej me kreun e opozitës, teksa shtoi se pret që ta takojë sërish, por këtë herë në SHBA.
“Jam shumë i lumtur që ndodhem në Tiranë, është vizita ime e parë në Shqipëri dhe më kanë rezervuar një mikpritje shumë të ngrohtë. Isha gjithashtu i lumtur që kisha mundësi të takohesha me opozitën dhe ata kanë shprehur angazhimin e tyre ndaj NATO-s, integrimit evropian dhe luftës ndaj korrupsionit. Jemi gjithashtu të kënaqur që jemi pjesë e kësaj, përfshirë dhe përpjekjet tona të forta kundër korrupsionit, përfshirë sanksionet. Por për ta kthyer këtë në realitet do të nënkuptoj dhe kërkoj një përkushtim të fortë nga institucionet shqiptare. Pres me kënaqësi të zhvilloj takime të tjera pasdite dhe gjithashtu pres me kënaqësi vijimin e marrëdhënieve me PD, gjithashtu pres me kënaqësi që të takoj zotin Basha në Washington sa më shpejt”, deklaroi Escobar.
Basha pas takimit për mediat zbuloi çështjet që u diskutuan në takimin mes tyre. Kryeopozitari shqiptar theksoi se me Escobarin diskutoi dhe për aktualitetin politik në Shqipëri dhe rajon, me fokus kryesisht Kosovën. Kryedemokrati bëri me dije se shpalosi qëndrimin e palëkundur të Partisë Demokratike për pacenueshmërinë e integritetit territorial të Kosovës, gjë që ishte mbështetur edhe nga vet Escobari.
“Me zotin Escobar, diskutuam për të gjitha çështjet e aktualitetit politik shqiptarë, natyrisht edhe për situatën në rajon, me theks të veçantë, sigurisht për ato çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve dhe në veçanti me Kosovën. Ku ia bëra të qartë zotit Escobar, qëndrimin e Partisë Demokratike për pacenueshmërinë e integritetit territorial të Kosovës. Në përputhje me përkushtimet e ndërmarra sipas paketës Ahtisari që çojnë në pavarësinë e Kosovës dhe në përputhje me angazhimet që të gjithë shtetet që e kanë njohur Kosovën kanë në raport me integritetin territorial të saj. Jam i kënaqur t’iu raportoj se në këtë qëndrim që paraqita kam marrë mbështetjen dhe mirëkuptimin e plotë të zotit Escobar”, deklaroi pas takimit Lulzim Basha.
Basha u pyet edhe nga gazetarët nëse me Escobarin kishte diskutuar për shpalljen e ish-kryeministrit Sali Berisha “non grata” në SHBA dhe në rast se ai ka prova dhe do t’i paraqesë ato për institucionet e drejtësisë.
“Padiskutim që çështja e pandëshkueshmërisë sikundër politikat e sanksioneve “non grata”, ishin pjesë e diskutimit ndërsa sa i përket çështjeve që i takojnë vendimeve të Departamentit të Shtetit jam i bindur që do të keni mundësinë të dëgjoni drejtpërsëdrejti nga Escobar qëndrimet e Departamentit Amerikan të Shtetit”, u përgjigj Lulzim Basha.
Rreth orës 14:30, Escobari do të ketë një takim me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka. Ndërsa në orën 17:00, ai do të takohet me kryeministrin Edi Rama.
Vizita e Escobar vjen dy ditë para Kuvendit të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha pas shpalljes “non grata” nga SHBA gjë që çoi në pezullimin e tij nga grupi parlamentar i PD-së nga lideri i partisë Basha. Kjo lëvizje ka sjellë krizë të re për partinë më të madhe opozitare atje.