Arbëri

Escobar: SHBA-ja e përkushtuar për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës

Gabriel Escobar

Gabriel Escobar

Foto: Alban Bujari

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, derisa ka folur për raportin e SHBA-së me Kosovën, ka thënë se marrëdhënia midis dy vendeve mund të jetë sfiduese. 

Në një intervistë dhënë Këshillit Atlantik, Escobari ka thënë se SHBA-ja mbetet e përkushtuar për pavarësinë, integritetin territorial, sovranitetin dhe sigurinë e Kosovës, gjë që sipas tij, nuk do të ndryshojë asnjëherë.

“Raporti ynë me popullin e Kosovës është tepër i thellë dhe kjo s’do të ndryshojë asnjëherë. Shtetet e Bashkuara mbeten shumë pro-Kosovës. E kam ndjenjën reciproke që ata janë shumë pro-amerikanë. Kjo i jep forcë dhe stabilitet raportit”, është shprehur Escobari.

Diplomati amerikan ka shtuar se ka pasur sfida rreth vizionit për rajonin dhe se si mund të punohet bashkë për avancim të Kosovës.

“Shpresoj që do të vazhdojmë ta përmirësojmë këtë raport. Mund të them që ka veçse vullnet të mirë, jo vetëm në SHBA, por në gjithë QUINT-in për ta përmirësuar raportin”, ka theksuar ai.