Arbëri

Escobar: Raportet Kosovë-SHBA përballen me sfida shkaku i trajtimit të minoritetit serb

(E përditësuar 17:39) - Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, zëvendësndihmës-sekretari Gabriel Escobar, ka thënë pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se raportet aktualisht përballen me sfida shkaku i trajtimit të minoritetit serb nga Qeveria e Kosovës.

Ai ka thënë se shpreson që Qeveria e Kosovës të jetë fleksibile në diskutimet në dialog të martën, sa i përket rregullores së BQK-së. Escobar në prononcim për media ka thënë se vendimi i BQK-së ua ka vështirësi jetën qytetarëve serbë të Kosovës dhe se SHBA-ja është e shqetësuar.

“Duhet të pranojë se marrëdhëniet tona kanë disa sfida tash, e këto sfida janë për shkak të trajtimit të minoritetit serb në Kosovë. Është çështje emergjente humanitare që duhet adresuar menjëherë. Shpresoj që Qeveria është pajtuar të jetë fleksibile në këto diskutime në dialog të martën. Në ndërkohë e kam përgëzuar kryeministrin për vendimin që ka marrë për Deçanin. Ishte vendim i vështirë, por i duhur”, ka thënë Escobar.

Escobar ka thënë se do të largohet nga Kosova të premten. Ai ka thënë se ka dëgjuar rrëfimet e qytetarëve serbë të Kosovës, për sfidat me të cilat po përballen nga Rregullorja e re e BQK-së.

“Janë ata anëtarët më të cenueshëm, personat me aftësi të kufizuara, pensionistët dhe studentët. Jam prekur nga rrëfimet e tyre se si vendimi i ka prekur ata. Kryeministri e pranoi këtë dhe premtoi se do të shohë disa nga propozimet që ia kam bërë atij sot”, ka thënë Escobar.

E i pyetur për kritikat për një qasje të pabalancuar të SHBA-së karshi Kosovës, Escobar ka thënë se çdo gjë që ka bërë SHBA-ja në vitin e fundit ka qenë për Kosovën.

“Menjëherë pas Ohrit kemi përkrahur kandidaturën tuaj për Këshill të Evropës, kemi përkrahur proceset tuaja demokratike, përfshirë zgjedhjet në veri. Qëndruam me ju pas 24 shtatorit, e kemi marrë vendimin që të ju ofrojnë ‘javelinë’, më shpjegoni se si është e pabalancuar kjo. Çdo gjë që kemi bërë ka qenë për Kosovën e do ta vazhdojmë ta bëjmë këtë. Në ndërkohë shpresojmë që Kosova të dëgjojë shqetësimet tona. Nuk duhet të jetë e vështirë, pasi këta janë qytetarë të Kosovës”, ka thënë Escobar.


Escobari takohet me Kurtin

(E përditësuar - 15:44) - Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ka shkuar në objektin e Qeverisë për t’u takuar me kryeministrin Albin Kurti.

Escobar po qëndron në Kosovë për ditën e dytë radhazi.

Ka zhvilluar takime të rëndësishme gjatë ditës së djeshme.


Escobari sot takohet me Kurtin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot pret në takim emisarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Sipas njoftimit të Qeverisë, takimi nis në orën 15:30.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Mediat thuhet se mund të marrin pamje në oborrin e ndërtesës së Qeverisë.

Escobar të mërkurën është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Në një deklarim pë media pas takimit ai ka përshëndetur urdhrin e kryeministrit për zbatimin e vendimit të Kushtetueses në lidhje me pronat rreth Manastirit të Deçanit. Escobar ka kërkuar që Kosova edhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen e arritur vitin e shkuar dhe ka ftuar Serbinë që t’i mbajë përgjegjës kryerësit e sulmit të 24 shtatorit në Banjskë.