Këshilli i Evropës

Escobar: Ka shqetësime se anëtarësimi në KiE pa Asociacionin do ta zvarriste themelimin e tij

Emisari në largim i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Kosova e Serbia kanë dështuar t’i zbatojnë obligimet për të cilat janë zotuar. Sa i përket mungesës së përkrahjes për Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Escobar ka theksuar se shqetësimi i disa vendeve është se pas anëtarësimit në këtë institucion do të shfaqeshin vonesa të tjera në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe

Kosova duhet t’i dëgjojë partnerët perëndimorë që kanë përçuar mesazhe të njëjta nëse dëshiron të anëtarësohet në mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë Këshillin e Evropës, ka deklaruar emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në përfundim të mandatit të tij. Tek ka folur për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ai ka transmetuar shqetësimet që kanë disa prej vendeve anëtare, e që lidhen me mungesën e veprimeve të qeverisë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. 

“Në Këshillin e Evropës, siç e dini, Shtetet e Bashkuara nuk kanë një votë, por unë e di që ka shqetësime në mesin e anëtarëve të caktuar që Asociacioni dhe disa nga kërkesat e tjera që janë bërë - dhe janë bërë në mënyrë të përsëritur gjatë dy vjetëve të fundit në lidhje me Asociacionin dhe disa çështje të tjera që kanë të bëjnë me pakicën serbe – nuk janë përmbushur. Dhe kjo është ajo që nxit disa nga shqetësimet se Kosova mund të mos ketë votat në Këshillin e Evropës. Tani, është qëndrimi amerikan që Kosova duhet të jetë anëtare e plotë e Bashkimit Evropian, e NATO-s dhe e Kombeve të Bashkuara. Ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë. Por ndërkohë, në rrugën evropiane, mendoj se është e rëndësishme që Kosova të dëgjojë partnerët e saj evropianë dhe të punojë me partnerët e vet evropianë, ndërsa ne forcojmë kandidaturën e Kosovës për të gjitha strukturat euroatlantike”, ka thënë Escobar. 

Diplomati amerikan ka shtuar se Këshilli i Evropës është për trajtimin e të drejtave të minoriteteve dhe Kosova ka marrë zotime në këtë drejtim me themelimin e Asociacionit. 

“Këshilli i Evropës ka të bëjë me trajtimin e minoriteteve, dhe Kosova ka bërë zotime të qarta për trajtimin e minoriteteve, dhe kjo përfshin Asociacionin. Tani, ky është një angazhim i kahershëm dhe është i shkruar në Planin e Ahtisaarit; është shkruar në Marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit. Dhe luftojmë të kuptojmë pse Kosova nuk e përmbush detyrimin e saj ligjor, dhe nuk e ka bërë dhe nuk ka dhënë sinjale në shumë mënyra se është e përkushtuar ta bëjë atë. Dhe shqetësimi është se pas anëtarësimit do të sjellë vetëm vonesa më të mëdha, dhe ky është besimi i disave”, është shprehur Escobar. 

Zëvendësndihmëssekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë ka shprehur keqardhje që bashkë me BE-në nuk ia dolën t’i shtyjnë palët drejt zbatimit të marrëveshjeve. 

“Mendoj se pritshmëritë për të dyja palët janë shumë të qarta. Unë isha i pranishëm në Ohër dhe u ra dakord që të gjitha elementet e asaj marrëveshjeje të zbatoheshin menjëherë. Kjo do të thotë, për Kosovën, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe Serbia të mos ia bllokojë rrugën Kosovës në asnjë organizatë euroatlantike dhe ndërkombëtare. Kështu që për fat të keq, të dyja palët kanë dështuar në respektimin e këtij angazhimi. Por unë besoj se pasi ta kthejmë këtë marrëveshje në rrugën e duhur - dhe ajo përfshin shumë nga marrëveshjet e Brukselit - rajoni do të jetë në një pozitë më të mirë, të dyja vendet do të kenë një marrëdhënie normale, të parashikueshme dhe paqësore me njëra-tjetrën”, ka theksuar ai.  

Escobar ka shtuar se SHBA-ja do të vazhdojë ta përkrahë dialogun Kosovë - Serbi të lehtësuar nga BE-ja, pavarësisht kush do të jetë pasardhës i emisarit Miroslav Lajçak. Ai ka treguar se për çfarë u diskutua në takimin e fundit me Lajçakun. 

“Ne flasim për strategjitë se si të çojmë përpara zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në mënyrë që rajoni të përfitojë nga kjo marrëveshje historike. Pra, edhe në kuadër të kësaj do të kemi një diskutim rreth vendimit për dinarin e Kosovës, dhe se si do të vazhdojmë të ecim drejt krijimit të një procesi transparent, elektronik, të sektorit privat për t'u lejuar njerëzve të drejtën e përfitimeve nga Serbia dhe t'i marrin ato në Kosovë. Do të ketë diskutime për strategjitë se si të ecet përpara me zbatimin e marrëveshjeve. Do të ketë diskutime për çështjen e dinarit, si të ketë një proces transparent për qytetarët që pranojnë para nga Serbia. Nuk e di si do të shkojë kandidatura për emisarin e ardhshëm të BE-së, por kushdo që të jetë ai person do të ketë mbështetjen e ShBA-së”, ka deklaruar Escobar. 

Diplomati amerikan po ashtu ka mohuar se i është mbajtur anë njërës palë në procesin e dialogut tek ka treguar parakushtet që i janë vendosur Serbisë për integrim në BE.  

“Sa i përket Serbisë kemi qenë shumë të qartë, dhe të thuash se kemi qenë të pabalancuar në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të ishte gabim. Në fakt, gjatë vitit të kaluar nga pothuajse gjithçka që kemi bërë ka përfituar Kosova dhe jo Serbia, duke përfshirë sanksionet kundër shefit të inteligjencës, përfshirë thirrjet publike dhe private për llogaridhënie të atyre që ishin të përfshirë në sulmin e Banjskës, përfshirë mbështetjen e proceseve demokratike në Kosovë përkundër bojkotit serb. Pra, në këtë drejtim, ne kemi qenë shumë të qartë me të dyja palët se cilat janë pritshmëritë tona dhe do të vazhdojnë të jenë”, ka theksuar Escobar. 

Ai po ashtu ka demantuar informacionet e shpërndara në vikend se ai është shkarkuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për shkak të lidhjeve financiare me Serbinë. 
Për Escobarin zgjidhja e mospajtimeve në Ballkan do të ndikonte në uljen e ndikimit të Rusisë, e cila tenton të nxisë vatra të reja konflikti. 

“Rusia përfiton nga problemet në Ballkan, por problemet janë ato që kanë ekzistuar në 25 vitet e fundit. Dhe duke i zgjidhur problemet, mendoj se ne mbyllim mundësitë që Rusia të shkaktojë trazira në rajon, por ata do të përpiqen”, ka thënë ai. 

Dy emisarët që deri tash u morën me dialogun Kosovë-Serbi, Escobar e Lajçak së shpejti do të largohen nga detyrat e tyre. Lajçaku pritet të emërohet ambasador i Bashkimit Evropian në Zvicër, ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se për pak javë Escobarit do t’i caktohet detyrë e re.