Pullazi i një ndërtese të banimit kolektiv, që ishte rinovuar në vitin 2021 nga Komuna e Prizrenit, është dëmtuar të martën mbrëma nga erërat e forta, duke e dëmtuar edhe një veturë. Dëme i janë shkaktuar edhe rrjetin elektrik, për çka disa vendbanime kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike
Erërat e forta gjatë mbrëmjes të së martës dhe në orët e hershme të së mërkurës shkaktuan dëme të konsiderueshme në ndërtesa dhe në rrjetin elektrik në vendbanime të ndryshme në Komunën e Prizrenit.
Për pasojë është dëmtuar edhe pullazi i një ndërtese kolektive, që ishte rinovuar në vitin 2021 nga Komuna e Prizrenit.
Sipas banorëve të kësaj ndërtese në rrugën “Ukë Bytyçi”, nga rënia e pullazit është dëmtuar edhe një veturë.
është tërësisht e shpaluar dhe është rrezik nëse ka të reshura, komplet banesa është e rrezikuar prej lagështisë", ka thënë Isak Elezi, banor.
E banorët e fshatit Korishë kanë thënë se si pasojë e erërave janë rrëzuar disa shtylla të dëmtuara të rrjetit elektrik dhe se fshati prej orëve të mbrëmjes të së martës është pa rrymë.
“Gjërat që vijnë prej natyrës nuk kemi çka të bëjmë. Por, fatkeqësisht shtyllat janë të dëmtuara edhe sa i përket KEDS-it është neglizhent ndaj kësaj”, ka thënë Abaz Bobaj, banor.
Ekipet e KEDS-it kanë ndërmarrë veprime për sanimin e dëmeve në këtë fshat.
Autoritetet komunale të Prizrenit kanë konfirmuar se ka pasur dëme të shumta nga erërat e forta dhe se do t’u dalin në ndihmë të gjithë qytetarëve në momente krizash natyrore.
“Menjëherë i kemi marrë masat emergjente, kemi njoftuar kompaninë për ta eliminuar rrezikun dhe për të ndërmarrë veprime për ndërtimin e atij pullazi apo kulmi. Ne jemi të njoftuar se përpos ndërtesave te ish-oficerët, kemi pasur edhe dëmtime të tjera, ku janë edhe shtyllat elektrike që na paraqesin një rrezik shumë të madh, mirëpo i kemi njoftuar KEDS-in së bashku me Policinë e Kosovës, me të cilët jemi vazhdimisht në bashkëpunim”, ka thënë drejtoresha e Drejtorisë për Emergjencë dhe Siguri, Ramize Sinanaj-Shala.
Kompania për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se erërat e forta, të përcjella me reshje shiu, kanë shkaktuar dëme edhe në rrjetin elektrik, ku zonat më të prekura kanë qenë Prizreni dhe Gjakova. Sipas njoftimit, ekipet janë në terren për t’i sanuar dëmet.