Arbëri

Erërat e fuqishme në Istog shkaktojnë mbi 1.5 milion euro dëme

Foto: Koha

Në Komunën e Istogut ka përfunduar pothuajse i gjithë procesi i vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga era e fortë që ka fryrë për dy ditë rresht javën e kaluar në gjithë territorin e kësaj komune. Sipas vlerësimeve të bëra në terren nga komisionet komunale, shumë e dëmeve, pa i përfshirë dëmet në biznese, është afër 1.5 milionë euro.

Drejtori për Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Enver Rugova, ka treguar për Kohën Ditore se dëmet më të mëdha janë shkaktuar në sektorin e bujqësisë, ku sipas vlerësimeve, dëmi është rreth 623 mijë euro. Shuma e madhe e dëmeve sipas tij është edhe në objektet e banimit. “Dëmi në shtëpia është mbi 500 mijë euro. Dhe kjo shumë mund të jetë edhe me e lartë sepse ekipet janë ende duke punuar në terren. Kurse në objektet arsimore dëmi është 162 mijë euro, në objektet shëndetësore 14 mijë euro, dëmi në infrastrukturë rrugore, rrjetë të ndriçimit publik, kamerat e sigurisë, shenjat e komunikacionit... është 40 mijë euro dhe dëmi i përgjithshëm në objektet komunale të administratës dhe ndërtesat e banimeve kolektiv është vlerësuar në 115 mijë euro.

Ndërkohë, ende kemi që paraqiten rastet. Dëmet nuk janë vlerësuar nëpër biznese, të cilat do të vlerësohen më vonë, pasi aktualisht i kemi emergjente këto tjerat”, tha Rugova. Listën e këtyre dëmeve kjo komuna ka në plan që t’ia dërgojë sot (marte) qeverisë së Kosovës. Kurse, për rastet emergjente, siç tha Rugova, drejtoria e tij në rastet më të rënda veç ka intervenuar me fondet e veta. “Ne si drejtori vjet e kemi kontraktuar operatorin për dy vjet për raste emergjente dhe raste sociale dhe në bazë të asaj kontrate i kemi sanuar dëmet në objektin e komunës, në shtëpinë e shëndetit, në tri shkolla dhe në rreth dhjetë shtëpia që kanë qenë raste të rënda. Vjet e kemi pas buxhetin mbi 41 mijë euro e për sivjet janë planifikuar 45 mijë euro buxhet për raste emergjente e sociale. I gjithë fondi nuk ka qenë i harxhuar dhe kemi intervenuar deri tash në shumën mbi 13 mijë euro. E për këto tjerat presin të ndahen mjete nga qeveria”, tha Rugova, raporton Koha Ditore.

Buxhet për raste emergjente sikur komuna e Istogut, nuk e ka Komuna e Pejës, e cila as vitin e kaluar e as këtë vit nuk ka ndarë.

“Vjet nuk kemi pas buxhet e as për sivjet nuk kemi planifikuar buxhet për rastet emergjente. Jemi duke e bërë një kërkesë në Qeveri për këto dëme tash që kanë ndodh. Jemi duke i evidentua dëmet në terren, kryesisht në sektorin privat. Deri tash janë mbi 300 raste të raportuara. Ne si komunë nuk kemi asnjë cent për të ndihmuar qytetarët që janë prek nga këto dëme të shkaktuara nga era. Nëse qeveria nuk jep pare, atëherë këtyre qytetarëve zoti ua bëftë qarën”, thotë drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Muhamet Mahmutaj.

Anën tjetër Drejtoria e Arsimit e ka kryer identifikimin dhe vlerësimin e dëmeve në objektet shkollore. “E kemi bërë vlerësimin dhe ja kemi dërguar qeverisë. Sipas analizave që i kanë bërë inxhinierët e komunës bashkë me ata të nivelit qendror, vlera e dëmit në shkolla është afër 280 mijë euro. Dëme era ka shkaktuar në gjashtë shkolla, kryesisht rrënime të kulmeve. Në Gjimnaz, në shkollën e mesme ekonomike, në shkollën fillore në fshatin Novosellë, Treboviq, Brestovik dhe Ozdrim”, tha drejtori i Arsimit, Besim Avdimetaj.

Deri tash komuna ka intervenuar në sanimin e dëmeve në kulmin e gjimnazit, kurse për shkollat tjera siç tha Avdimetaj janë duke pritur të miratohet buxheti nga qeveria. “Jemi të varur nga qeveria ndonëse edhe vet si komunë kishim intervenuar në gjitha shkollat por buxheti nuk është miratuar dhe nuk kemi si i marrim as paret e buxhetit komunal. Është problem. Me qenë i miratuar buxheti ishim gjetur disi”, tha Avdimetaj, duke shtuar se në gjitha shkollat është duke u mbajtur mësimi, përveç në shkollën fillore në Terboviq, ku pritët që mësimi të rinis të mërkurën. Në shkollat tjera që ende nuk është intervenuar, siç thanë drejtorët e shkollave, nëse ka të reshura shiu, uji do të rrjedhë brenda në objekt, pasi era ua ka hedh kulmet në tokë.

“Nëse bie shi, uji do të depërtojë brenda në shkollë dhe pastaj na duhet me ndërpre mësimin, sepse teori s’ka me mbajt mësimin nëse ka të reshura”, thotë Naim Husaj, drejtor i shkollës fillore në Novosellë. Meqenëse ende nuk është miratuar buxheti nga niveli qendror, ligji i prokurimit nuk lejon asnjë procedurë të prokurimit, por në këto objekte shkollore, komuna ka mund të intervenojë duke angazhuar një operator me procedurë të negocimi, pasi ligji i prokurimit lejojnë procedura të negocimit për raste emergjente. Mirëpo, një gjë të tillë komuna nuk ka ndërmend ta bëjë.

“Kemi aktualisht në llogari një milionë euro të alokuara në kodin për kapitale, në programe të ndryshme, më të cilat kishim mund të intervenojmë. Është një mundësi që në rastet emergjente me negocim të kontraktohet një operator pa tender publik. Por është pak problematike në këtë formë me negocim, se pastaj mund të shfaqen dyshimet për keqpërdorime dhe të bien në qafë krimet ekonomike. E mos me i nxjerrë vetës probleme, nuk preferojmë kontraktime të tilla të operatorëve pa tenderë publike”, thotë drejtori i Financave, Jeton Abazaj. Për dallim nga komuna e Pejë, Spitali i Përgjithshëm në Pejë, ka angazhuar me negocim një operator dhe është duke e sanuar dëmin e shkaktuar nga era në kulm. “Bordi i spitalit ka vlerësuar gjendjen dhe ka vendos që të intervenohet shpejtë në riparimin e kulmit duke angazhuar një operator me procedurë të negocimit”, thotë zëdhënësi i këtij spitali, Naim Sahiti.

Në komunën e Klinës nuk ka pas dëmtime në objektet shkollore, derisa në objektet private, siç tha Iber Elezaj, drejtor i Shërbimeve Publike, deri tash janë paraqitur rreth 20 kërkesa në disa fshatra.

“Jemi në teren duke i vlerësuar dëmet. Pastaj do të dalim me shumën e dëmeve të cilën do ja dërgojmë qeverisë. Ne kemi pas vjet 25 mijë euro të ndara për buxhetin emergjente dhe për sivjet janë planifikuar 20 mijë euro dhe këto mjete zakonisht i kemi për pastrimin e lumenjve dhe mbrojtjen e tokave prej gërryerjes nga lumi”, tha ai. Për ti parë nga afër dëmet e shkaktuara nga era në këto tri komuna, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten e kaluar i kishte vizituar këto komuna, të cilave u ka premtuar mbështetjen e qeverisë për daljen në ndihmë për sanimin e dëmeve, me prioritet rastet emergjente, pasi komisionet të bëjnë evidentimin, regjistrimin dhe vlerësimin e dëmeve.