Arbëri

Erdogani paralajmëron Shqipërinë nga “rreziku i gylenistëve” në prag të vizitës

Mediat greke e kanë trajtuar në një mënyrë tjetër këtë vizitë të Erdoganit në Shqipëri. Sipas tyre, Turqia është një nga vendet e pakta që përdor bamirësinë për të shtrirë ndikimin e saj në vende të tjera, pavarësisht faktit se njerëzit në Turqi vuajnë nga varfëria, nga mungesa e vendeve të punës, rritja e inflacionit dhe qeverisja gjithnjë e më autoritare. Erdogani gjatë vizitës do t’i dorëzojë çelësat e banesave për qytetarë të Laçit, të financuara nga Turqia, si ndihmë për të prekurit e tërmetit të vitit 2019

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, të hënën (sot) do ta vizitojë Shqipërinë.

Kreu i shtetit turk do t’i dorëzojë çelësat e banesave për qytetarë të Laçit, të financuara nga Qeveria e Turqisë, si ndihmë për të prekurit e tërmetit të vitit 2019.

Projekti i kryer nga Agjencia për Administrimin e Banesave Kolektive të Turqisë përfshin 522 apartamente, por edhe njësi tregtare dhe qindra vende parkimi.

Por gjatë vizitës në kryeqytetin e Shqipërisë do të nënshkruhen edhe shtatë marrëveshje. Marrëveshjet do të jenë në fushat diplomatike, të kulturës, rinisë dhe sporteve, medias, trajnime për zbatimin e ligjit, menaxhimin e fatkeqësive etj.

Për t’i parapritë vizitës, Erdogani të dielën ka bërë një deklaratë për Shqipërinë.

Ai ka vlerësuar marrëdhëniet me Shqipërinë, por ka ngritur dyshimet për grusht shtet nga organizata e Fethullah Gulenit edhe në Shqipëri, siç ka thënë ai.

Erdogani e fajëson Gylenin, dikur mik e bashkëpunëtor, për grusht shtetin e vitit 2016. Organizatën e tij FETO e quan terroriste.

“Organizata terroriste e Fethullah Gulenit ekziston ende në Shqipëri. Po negociojmë me Shqipërinë që të ulë aktivitetin e FETO-s dhe t’i dorëzojë anëtarët e saj në Turqi. Fakti që një organizatë tradhtare që tentoi një grusht shtet në Turqi, ndërvepron në Shqipëri, një situatë e ngjashme mund të ndodhë edhe në Shqipëri”, tha Erdogani.

Erdogan: Në Shqipëri, mbi 600 kompani turke

Ai vlerësoi marrëdhëniet me Shqipërinë si një nga më të mirat dhe më të qëndrueshmet në Ballkan.

“Turqia është pjesë e pandashme e Ballkanit. Gjatë 2 dekadave kemi bërë shumë për vendosjen e marrëdhënieve me shtetet ballkanike, Shqipëria është në qendër të kësaj perspektive. Shqipëria është një mike dhe aleate e jona dhe ne e kemi mbështetur sigurinë dhe stabilitetin e Shqipërisë”, tha Erdogan.

Presidenti turk vlerësoi, ndër të tjera, vizitën e kryeministrit Edi Rama më 6 janar 2021, e cila, sipas tij, hapi një kapitull të ri të marrëdhënieve mes dy vendeve. Në deklaratën e tij, Erdogani tha se vëllimi i tregtisë dypalëshe Turqi-Shqipëri është rreth 700 milionë dollarë dhe se në Shqipëri janë të punësuar mbi 15 mijë shqiptarë në kompanitë turke.

“Synimi ynë është që ta çojmë në 1 miliard dollarë vëllimin e tregtisë dypalëshe. Turqia ka investuar në Shqipëri mbi 3.5 miliardë dollarë, përfshirë shërbimet kontraktuese. Në Shqipëri operojnë mbi 600 kompani turke, duke e bërë vendin tonë si investitorin më të madh në Shqipëri, ku përveç të tjerash janë punësuar mbi 15 mijë shqiptarë”, theksoi presidenti i Turqisë.

Erdogani përmendi edhe ndihmat që ia ka dhënë Shqipërisë në periudhën e krizave në 3 vjetët e fundit, nga tërmeti dhe pandemia.

Ai foli edhe për shkollat turke në Shqipëri, të cilat janë hapur në Shkodër dhe Tiranë.

Kjo vizitë në Shqipëri e presidentit të Turqisë bëhet në kuadër të inspektimit të zonave të rindërtuara me financimin nga Qeveria turke.

Por mediat greke e kanë trajtuar në një mënyrë tjetër këtë vizitë. Portali “Pentapostagma.gr” ka shkruar se takimi mes dy liderëve bëhet edhe për shkak të marrëdhënieve shumë të mira mes tyre dhe për shkak të ndihmës që Rama ka bërë me “gjetjen dhe persekutimin e personave të lidhur me Fethullah Gulenin”, një nga kritikët më të mëdhenj të Qeverisë dhe presidentit turk.

Mediat greke e akuzojnë Erdoganin se po keqpërdor bamirësinë

Sipas mediumit grek, Turqia është një nga vendet e pakta që përdor bamirësinë dhe ndihmat humanitare për të shtrirë ndikimin e saj në vende të tjera, pavarësisht faktit se njerëzit në Turqi vuajnë nga varfëria, nga mungesa e vendeve të punës, rritja e inflacionit dhe qeverisja gjithnjë e më autoritare.

“Marrëdhënia mes Ankarasë dhe Tiranës është aq e ngushtë sa disa e quajnë presidentin Recep Tayyip Erdogan si sulltan dhe kryeministrin shqiptar Edi Rama si pasha, një referencë për ditët kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Osmane. Po këto marrëdhënie nuk janë pa kosto”, shkroi mediumi grek.

Në një fjalim në Parlamentin Evropian në maj të 2020-ës, eurodeputetja franceze Julie Lechanteux tha se Turqia “përfitoi nga kriza e COVID-19 për t’u dukur më efektive dhe e bashkuar ndaj vendeve të Ballkanit me një diplomaci të ndihmës mjekësore që synon të përmirësojë imazhin e saj në ish-territoret e Perandorisë Osmane dhe të rrisë ndikimin e saj në rajon”.

Ajo vazhdoi duke thënë se operacioni dukej se ishte pjesë e një strategjie politike që “bie ndesh hapur me interesat evropiane”. Fjalimi i saj përfundoi me pyetjen: “Duke qenë se Turqia është ende një kandidate zyrtare për anëtarësim në BE, cili është qëndrimi i Komisionit për ndikimin turk në Ballkan?”.

Komisioneri i Zgjerimit i BE-së, Oliver Varhelyi, u përgjigj shpejt, duke vënë në dukje se “forcimi i bashkëpunimit dhe i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë midis vendeve të BE-së, partnerëve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë është një element i rëndësishëm i stabilitetit në kontinentin evropian”.