Presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti e kanë vlerësuar lart rolin e presidentit amerikan, Joe Biden, në mbrojtjen e pavarësisë dhe demokracisë së Kosovës. Sa u përket raporteve Kosovë-Serbi, Biden që së fundi u tërhoq nga gara për një mandat të dytë, në fillim insistonte në njohjen e plotë të ndërsjellë, por që më vonë formulimi u ndryshua në “njohje eventuale” mes Kosovës e Serbisë
Liderë institucionalë e kanë vlerësuar lart rolin e presidentit amerikan, Joe Biden, në mbrojtjen e pavarësisë dhe demokracisë në Kosovë. Sipas tyre, tërheqja e Bidenit nga gara edhe për një mandat tjetër si president i SHBA-së shënon fundin e një epoke.
“Nga ditët e tij si senator amerikan deri në mandatin e tij si zëvendëspresident dhe tani si President, Joe Biden gjithmonë ka mbrojtur lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës. Mirënjohja e popullit të Kosovës do të mbetet gjithmonë e thellë”, ka shkruar Osmani në platformën “X”.
E kryeministri Albin Kurti, i cili pati ofruar mbështetje publike për Bidenin në garën e para katër vjetëve, tha se presidenti aktual ka qenë një nga miqtë më të mëdhenj të Kosovës.
“Për dekada me radhë, Jose Biden ka qenë një nga miqtë më të mëdhenj dhe avokuesi më i palodhur i Kosovës. Njoftimi i presidentit Biden shënon fundin e një epoke. Bota — dhe veçanërisht Kosova — është një vend më i mirë dhe më i sigurt për shkak të kontributeve të tij të jashtëzakonshme. Për këtë, ne do të jemi gjithmonë mirënjohës”, tha Kurti.
Avancimi i raporteve dhe ruajtja e miqësisë me shqiptarët dhe Kosovën, ishte në mesin e çështjeve të listuara në një letër të Bidenit, para se të mbaheshin zgjedhjet para katër vitesh.
Në këtë dokument jepej zotimi për ndryshim të qasjes së pabalancuar të ish-presidentit Donald Trump dhe shtytjen e Kosovës dhe Serbisë drejt njohjes së plotë të ndërsjellë.
Pasi u vendos në krye të administratës amerikane, Bideni i dha mbështetje dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke përmendur edhe njohjen e ndërsjellë.
Megjithatë, në letrat që ai më vonë u dërgoi liderëve të Kosovës dhe Serbisë, ky formulim ndryshoi.
Në urimin e këtij viti me rastin e 16-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Bideni inkurajoi udhëheqjen e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet nga dialogu për normalizim të raporteve me Serbinë.
“Ne po ashtu vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim me Serbinë – një hap i rëndësishëm drejt njohjes eventuale reciproke”, thuhej në letrën e Bidenit.
“Njohjen reciproke” nuk ia përmendi presidentit të Serbisë, kur para dy vjetësh ia uroi fitoren në zgjedhjet presidenciale dhe i kërkoi angazhim në dialog.
Ndryshe nga paraardhësi i tij, Biden që ishte ndër njerëzit më të përfshirë me çështjen e Kosovës, në vitet e 90-ta, nuk e caktoi edhe një emisar të posaçëm për dialogun, Kosovë-Serbi. Në këtë detyrë ishte i dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar.
Pas tensioneve në veri, administrata aktuale e ShBA-së ishin kritike ndaj qeverisë Kurti, kryesisht për shkak të vendimeve që lidhen me veriun. Veç emisarit Gabriel Escobar, qeverinë Kurti në disa raste e kritikoi edhe sekretari i shtetit, Anthony Blinken.
Si president, Bideni nuk e vizitoi asnjëherë Kosovën, derisa vizita e fundit e tij mbetet ajo më 2016 si zëvendëspresident i SHBA-së. Joe Biden bashkë me familjen e tij patën marrë pjesë në përurimin e rrugës magjistrale Ferizaj-Gjilan me emrin e djalit të tij, Beau Biden.