Kosovës do t’i duhen 75 vjet për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, nëse vazhdon me ritmin e tashëm të reformave, alarmohet në një analizë të Institutit EPIK, e publikuar në një tryezë ku u diskutua Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën. E, në skenarin më optimist, në analizë parashihet që ky rrugëtim të përmbyllet për 19 vjet.
Por Demush Shasha foli edhe për rrethanën kur situata mund të ndërrojë radikalisht.
“Nëse vendet e Ballkanit vetëm pak bëhen më serioze dhe njëkohësisht nëse BE-ja bëhet pak më serioze, atëherë perspektiva e BE-së ndryshon radikalisht. Flasim për një skenar kur nëse të dy palët tregojnë vullnet serioz për anëtarësim në BE, ky është një projekt që mund të realizohet brenda një dekade të ardhshme”, tha Shasha.
E, diplomatë evropianë të akredituar në Prishtinë shtruan nevojën për proces të përshpejtuar integrimi.
“Lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës është rikujtim i urgjencës për të mbajtur jo vetëm Evropën të bashkuar, por edhe për të thelluar edhe më tej integrimin evropian. Nga njëra anë përmes reformave të brendshme, por nga ana tjetër edhe përmes një zgjerimi të shpejtë në krahun e saj të Evropës Lindore. Sa më shpejt, aq më mirë”, tha ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Kosova, përpos që është më së largu nga të gjitha vendet e rajonit në rrugët e eurointegrimit, ajo është i vetmi shtet të cilit nuk i janë liberalizuar vizat.
Ambasadori i Çekisë shprehu besimin se liberalizimi do të ndodhë sivjet.
“Grupi punues në përgjithësi e ka mbështetur procesin e liberalizimit të vizave. Për të përparuar në këtë çështje do të jetë e nevojshme të sqarohen një sërë temash të lidhura dhe të vazhdohet diskutimi muajin e ardhshëm”, tha ambasadori çek Pavel Bilek.
E, në tryezën ku temë bosht ishte Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, pushteti dhe opozita dhanë pikëpamje të ndryshme mbi gjetjet.
“Mendoj se Raporti tregon se në këto periudha ose sfida Qeveria është gjetur bukur mirë. Nëse e shihni vaksinimin, kemi normën më të lartë të vaksinimit në Ballkanin Perëndimor, nëse e shihni se si iu kemi qasur çështjes së energjinë dhe inflacionit, Raporti tregon se Qeveria ka pasur qasje të mirë dhe ka treguar maturitet fiskal. Mendoj se një prej mospajtimeve me Raportin është se nuk ia ka dhënë kredibilitetin e nevojshëm këtij maturiteti fiskal”, tha zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
E deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se nuk është e drejtë të akuzohet opozita për kritikat ndaj Kuvendit.
"Kritikohet Kuvendi për mungesë të kuorumit, në këtë rast akuzohet opozita që nuk është e drejtë. Nëse Qeveria e ka një stabilitet politik, ata duhet me i pasë edhe votat”, tha Kadrijaj.
E Blerta Deliu-Kodra e PDK-së tha se progresi në vend ka qenë i limituar.
“Është evidente që progresi ka qenë i limituar. Flitet 25 herë për mungesë të progresit, 33 herë për progres të limituar, 70 herë për pak progres dhe 1 herë për progres të mirë”, tha Deliu-Kodra.
Në tryezë janë dhënë projeksione edhe për kohën kur vendet e rajonit mund të integrohen, bazuar në ecurinë me reformat. Sipas Institutit EPIK, me ritmin e tashëm Mali i Zi do të bëhej pjesë e BE-së pas 45 vjetësh, Maqedonia dhe Serbia pas 50 vjetësh, Shqipërisë do i duhen edhe 60 vjet, ndërsa Bosnjë-Hercegovinës edhe 80.