Arbëri

Enver Hasani: Opozita gaboi politikisht

Enver Hasani

Enver Hasani (Foto: Interaktiv KTV)

Ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, aktualisht profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Enver Hasani, thotë Kuvendi i Kosovës nuk është bllokuar dhe mund të mblidhet çdo 48 orë, pasi deputetët dështuan ta konstituojnë këtë institucion.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani e cilëson si gabim mosvotimin nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve.

Për shkak të mosvotimit të këtij raporti, seanca e së martës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës u ndërpre dhe kryesuesi i saj, tha se do t'i drejtohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për hapat që do të merren në të ardhmen.

Këto parti, kanë vënë në dyshim dorëheqjen e paraqitur nga Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë. Por, Hasani thotë se me betimin e tyre si deputetë, ata nuk do të mund të ushtronin asnjë funksion ekzekutiv.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Hasani, si e shihni situatën e bllokimit të sotëm të procesit të konstituimit të Kuvendit, pasi deputetët nuk e kanë votuar raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve?

Enver Hasani: Kjo nuk mund të thuhet se është bllokim, për shkak se, sipas Rregullores (së Kuvendit të Kosovës), Kuvendi duhet të mblidhet çdo 48 orë deri në konstituim. Pra, ka një mekanizëm imunizues, që objektivisht e zhbllokon situatën.

Së dyti, mendoj që ka qenë gabim (veprimi i opozitës), për shkak se e gjithë kjo është një proces formal. Deputetët nuk e kanë certifikuar vetveten dhe në këtë kuptim, politikisht është një lloj absurdi, meqenëse ata janë të mandatuar nga populli. Mënyra se si nuk është miratuar raporti nuk është diçka e këndshme për vetë deputetët.

Radio Evropa e Lirë: Eshte publikuar një letër me dorëheqjen e Albin Kurtit (nga detyra e kryeministrit). Opozita nuk po e pranon dorëheqjen e kryeministrit. Si e komentoni këtë?

Enver Hasani: Unë nuk e kam parë letërën, por dorëheqja duhet të jetë e qartë dhe duhet bërë publike për publikun, me kohë dhe të jetë pa ekuivok.

Ajo letër, me sa di unë, është në rregull kur e ka bërë publike para disa ditëve, javëve – pra, kur zoti Kurti tha se nuk ka nevojë të japë dorëheqje, duke i treguar arsyet.

Arsyeja është kushtetuese, për shkak se ka mbaruar mandati i Kuvendit. Kjo mund të pranohet legalisht, në njëfarë mënyre. Por, ajo nuk është ekuivalente me dorëheqjen, për shkak se dorëheqja duhet të jetë shprehimore, sikurse e kërkon ligji.

Prandaj, unë mendoj se kanë bërë gabim (deputetët) që nuk e kanë miratuar (raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve), sepse në momentin që jep betim kryeministri ose kushdo tjetër, nuk mund të ushtrojë më asnjë funksion ekzekutiv apo funksion tjetër publik. Do të thotë, sipas fuqisë kushtetuese, ai funksion do t’i ishte ndërperë dhe nuk do të mund të kthehej në Zyre (të kryeministrit).

Te ne mund të ndodhë gjithçka dhe ai (Kurti) ka mundur të vazhdojë t’i bëjë të gjitha.

Por, edhe po të mos ishte Ligji për Qeverinë, i cili e detyron (kryeministrin) që të japë dorëheqje, pa ekuivoke, para momentit të certifikimit (si deputet), përkatësisht, para certifikimit, atëherë çështja e Kushtetutës është e qartë – në momentin që e jep betimin (si deputet) nuk mund të kesh dy lojalitete.


Neni 26 i Ligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës
Papajtueshmëria me funksionin e anëtarit të Qeverisë dhe parandalimi i konfliktit të interesit

1. Në rast se anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i njëjti duhet të jap dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

2. Anëtarët e Qeverisë nuk mund të:

2.1. Ushtrojnë asnjë funksion tjetër publik, përveç nëse është pjesë e detyrave zyrtare siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi;

2.2. Ushtrojnë asnjë funksion në pushtetin lokal;

2.3. Ushtrojnë ndonjë funksion si të zgjedhur ose të emëruar jashtë detyrave të tyre zyrtare ose të veprojnë bazuar në një kontratë pune ose kontratë për ofrimin e shërbimeve, përveç për qëllime të hulumtimit ose mësimdhënies, pasi ta informojnë me shkrim Kryeministrin për qëllimet e tilla.

3. Përveç kufizimeve të këtij neni, anëtarët e Qeverisë i nënshtrohen edhe kufizimeve të përcaktuara me legjislacionin përkatës për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

4. Të gjitha kufizimet e përcaktuara me këtë nen për anëtarët e Qeverisë vlejnë edhe për zëvendësministrat.


Prandaj, mendoj që kanë gabuar (opozita). Është dashur të lejojnë të konstituohet Kuvendi dhe menjëherë pas kësaj, sipas fuqisë kushtetuese, (zëvendëskryeministri në detyrë) Besnik Bislimi të vazhdojë punën. Pra, ata që nuk janë deputet, mund të vazhdojnë t’i kryejnë detyrat e përditshme të Qeverisë.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Hasani, ju e përmendët çështjen e dorëheqjes me kohë. Edhe opozita thotë se dorëheqja e kabinetit qeveritar do të duhej të bëhej me kohë. Si do të duhej të ishte ky akt dorëheqjeje dhe çka nënkupton shprehja “me kohë”?

Enver Hasani: “Me kohë” do të thotë ashtu siç e kanë bërë ligjin vetë. Ligjin e ka bërë kjo Qeveri dhe është dashur t’i nënshtrohet ligjit.

Këta po e ngatërrojnë mungesën e mandatit. Qeveria nuk ka mandat, sepse i ka kaluar, siç e ka thënë edhe Kurti, pra që nuk ka nevojë për dorëheqje.

Por, nuk mund ta interpretojnë në atë mënyrë, për shkak se kur thotë ligji dhe Kushtetuta se duhet që para certifikimit, përkatësisht para betimit, të jepet dorëheqja dhe nuk mund të ushtrosh asnjë funksion, kjo nuk ka lidhje me mandat - as për funksion ekzekutiv as në detyrë, as në dorëheqje, në asnjë mënyrë.

Radio Evropa e Lirë: A nënkupton kjo se opozita ka të drejtë që i kapet kësaj “vegëze” tash?

Enver Hasani: Po, pa asnjë diskutim. Në aspektin formal, opozita ka të drejtë. Por, mendoj se opozita ka gabuar politikisht, për një arsye, sepse është dashur të lejojnë të japë betimin (Kurti) dhe më pas ai nuk do të mundte në asnjë rrethanë (të ushtronte funksionin e kryeministrit), sepse do të përfundonte në Gjykatë Kushtetuese. Tash nuk mund ta dërgojë askush as në Gjykata Kushtetuese dhe as në Presidencë, sepse nuk ka vendim të Kuvendit – s’ka Kuvend akoma, ai nuk ekziston për qëllimet e funksionit të vet, si përfaqësues i popullit dhe ligjvënës.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Hasani, kryesuesi i seancës tha se do t’i drejtohen presidentes Vjosa Osmani, se si të veprohet më tutje. Në fakt, cili është roli i presidentes në këtë kontekst?

Enver Hasani: Zero. Asnjë rol nuk ka presidenti/ja aty. Është gabim. Nuk di se kush i ka thënë ashtu.

Radio Evropa e Lirë: Cila është, pra, rrugëdalja prej kësaj situate?

Enver Hasani: Rrugëdalja është që të arrihet marrëveshja politike dhe të votohet (miratohet) raporti (i Komisionit për verifikimin e mandateve).

Radio Evropa e Lirë: Si do të duhej të dukej një marrëveshje politike?

Enver Hasani: Marrëveshje politike do të thotë dorëheqjen e kryeministrit dhe atyre që janë në poste ekzekutive ose miratimi i raportit, ashtu siç është (situata e tanishme pa dorëheqje të kryeministrit), të bëhet betimi i deputetëve. Në momentin që jepet betimi, atëherë nuk ka nevojë për dorëheqje, sepse objektivisht, i pushon mandati (ekzekutiv). Sipas fuqisë kushtetuese nuk mund të jesh edhe deputet edhe në post ekzekutiv apo në cilindo post tjetër publik.

Ta sqarojmë. Pra, në momentin që bën betim (për deputet) kushdo qoftë, nuk mund të jetë dhe nuk mund të shkojë në Zyrën e kryeministrit, sepse është jokushtetuese dhe është absurd.

Radio Evropa e Lirë: Pra, ligjërisht i pushon mandati Qeverisë?

Enver Hasani: Jo. Ato detyra minimale që duhet t’i kryejl Qeveria, i marrin përsipër ata që nuk janë deputet, për shembull zëvendëskryeministri (Besnik Bislimi) apo zëvendësministrat, deri në formimin e Qeverisë së re.