Arbëri

Ende mungojnë hallkat elektronike për t’i mbikëqyrur të dyshuarit

Mbajta e të arrestuarave për një kohë të gjatë nën masën e paraburgimit është vlerësuar e panevojshme nga avokatët, sipas të cilëve gjykatat shqiptojnë këtë masë pa u plotësuar kushtet që parashihen. Sipas tyre, në përdorimin e tepruar të kësaj mase ka ndikuar edhe mungesa e sistemit të mbikëqyrjes elektronike të të dyshuarve

Mungesa e implementimit të Ligjit për mbikëqyrje elektronike të të dyshuarve për vepra penale është një nga faktorët që ka ndikuar në përdorimin e tepruar të masës së paraburgimit në procese gjyqësore, kanë vlerësuar juristët.

Avokati Artan Qerkini thotë se me caktimin e masës së paraburgimit gjykatat i privojnë nga liria personat të cilëve nuk u është përcaktuar fajësia.

Ai thotë se përmes vëzhgimit elektronik, masa e paraburgimit do të reduktohej.

“Për çudi ende nuk janë siguruar ato pajisje. Sikur ato të siguroheshin në fakt, kjo do të ishte me ndikim të madh edhe në Buxhetin e Kosovës ngase një i paraburgosur i kushton buxhetit të Kosovës diku rreth 47 euro në ditë ndërsa me menaxhimin elektronik të arrestit shtëpiak, një person do të ndodhej në shtëpinë e tij dhe nëse do ta thyente masën e arrestit, organet do të lajmëroheshin dhe ai do të kthehej në paraburgim”, ka thënë Qerkini.

Avokati Florim Shefqeti tregon se ka klientë që ndodhen në paraburgim prej katër vjetësh. Bazuar në praktikë, Shefqeti thotë se në shumë raste masa e paraburgimit caktohet pa u plotësuar kushtet e kërkuara.

“Në situatën kur paraburgimi tejzgjatet, krijon një lloj varësie të gjykatës në raport me shpalljen fajtor ose jo për faktin se opinioni reflekton që një person po mbahet pesë vjet në paraburgim, e në fund po lirohet; dhe së dyti, e drejta e atij personi për të kërkuar kompensimin e dëmit për qëndrimin si i privuar nga liria pa bazë”, ka thënë Shefqeti.

Ligji për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, është në fuqi nga viti 2015. Në vitin 2023 Qeveria ndau 600 mijë euro për sistemin e mbikëqyrjes elektronike, porse kontrata për blerjen e pajisjeve u nënshkrua tek në korrikun e sivjetmë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka paralajmëruar se sistemi do të funksionalizohet më 25 nëntor.

E, avokatët kritikojnë gjykatat për masën e paraburgimit, që sipas tyre shqiptohet me lehtësi. 
Avokati Artan Qerkini, thotë se duhet pasur kujdes në përdorimin e paraburgimit si masë procedurale.
“Shpesh gjykatat dështojnë në ato prognozat e rreziqeve procedurale, sepse paraburgimi caktohet si masë për parandalimin e rreziqeve procedurale. Cilat janë ato? Rreziku i ikjes, rreziku i ndikimit në dëshmitarë dhe rreziku i përsëritjes së veprës. Ka raste kur gjykata e vazhdon paraburgimin një kohë të gjatë, për rrezikun e arratisjes, ndërsa pas ndërprerjes së paraburgimit shihet se i pandehuri nuk ka ikur”, ka thënë Qerkini.

E Florim Shefqeti, ka thënë se legjislacioni lejon kombinimin e masave, duke apeluar që në vend të paraburgimit të shqiptohen masat e arrestit shtëpiak së bashku me dorëzaninë.

“Do duhej të ishte caktimi i masës së dorëzanisë në shumë raste në raport me paraburgimin. Kjo nga fakti se edhe në secilën rrethanë, sikur të mos respektohej një masë e tillë atëherë shteti do të përfitonte pasurinë që do të lihej në formë të garancionit të dorëzimit të hipotekës. Arresti shtëpiak së bashku me dorëzaninë, që në secilën rrethanë personi që rrezikon ose nuk e respekton masën do të rrezikojë pasurinë e tij, sado që do të vlerësohet lihet në lloj hipoteke, apo ngarkese, apo dorëzanie”, ka thënë Shefqeti.

Bazuar në të dhënat e prezantuara nga EULEX-i numri i personave të paraburgosur për më shumë se dy vjet që nga 2022-ta është rritur nga 37 në 61. 

Në këtë raport theksohet se 36 të arrestuar mbahen në paraburgim për më shumë se dy vjet, e dhjetë të tjerë për më shumë se 10 vjet.