Arbëri

Emrat shqip, gjithnjë e më të përdorur në Prishtinë

Ardhja në jetë e foshnjës është ndër momentet më të lumtura për një çift.

Rëndësi të madhe ata i japin pagëzimit të të sapolindurit.

Por cilët janë emrat më të shpeshtë të fëmijëve të Prishtinës?

Ajan te djemtë e Klea te vajzat, ishin emrat që rangoheshin të parët në listë për shumë vjet me radhë.

E këtë vit Troi dhe Tian janë emrat më të shpeshtë të djemve, përderisa Inara, Ajla, Vera dhe Bora ishin emrat më të zgjedhur për vajza.

Në nivel vendi ka pasur shumë emra me origjinë arabe por, sipas Arjeta Mazrekaj, zyrtare e gjendjes civile në QKUK, emrat shqip në Prishtinë janë duke u rritur çdoherë e më shumë.

“Këtë vit emrat më të shpeshtë që kemi regjistruar janë Troi e Tian, ka edhe emra të tjerë tradicionalë, ndërsa te vajzat Inara është shumë i shpeshtë dhe Bora”, ka thënë Arjeta Mazrekaj, zyrtare e gjendjes civile në QKUK.

Megjithatë, ka ende nga emrat e vjetër myslimanë që përtërihen. Sipas Mazrekut, çdo ditë ndodh të kenë një rast të tillë.

“Jo siç kanë qenë më parë, është më rrallë, por dukuria e përtëritjes së emrave të gjyshërve është ende prezente. Besoj se nuk kalon gjatë ditës të paktën të kemi një rast që t’ia përtërijnë emrin”, thotë ajo.

Arsyeja e vendosjes së emrave shpeshherë është e ndryshme.

Emrat e lashtë ilirë që dikur ishin shumë të shprehur, tanimë nuk po preferohen nga të rinjtë.

Në shkollën “Dardania” të Prishtinës nuk ka asnjë nxënës me emrin Dardan.

Mësuesja Ajnie Gashi-Ballanca thotë se për të paktën 10 vjet nuk ka pasur një nxënës me këtë emër.

“Para 40-50 viteve kanë qenë emra myslimanë për shkak të ndikimit të fesë myslimane, kanë qenë në okupimin osman dhe zakonisht janë bazuar në ata emra myslimanë, Muhamet, Adem, por me ndryshimin e situatave të ndryshme, njerëzit kanë filluar të shkollohen dhe kanë filluar të duan emrat shqip dhe shqiptarë, siç janë Ilir, Dardan, Besa, Butrint. Me emër Dardan ka ndoshta 10 vjet që nuk kam pasur nxënës”, ka thënë mësuesja Gashi-Ballanca.

Megjithatë, në Prishtinë mbizotërojnë emrat e tjerë me kuptim shqip.

Ballanca thotë se në klasën e saj ka 3 djem me emrin Yll.

“Në shkollën tonë ka emra shqip. Në klasën time i kam tre fëmijë me emrin Ylli, i kam Gent, me origjinë shqipe, Zana, Zan, Vlera, ka emra. Por në këtë kohë, njerëzit duke u bazuar në emra të artistëve po ngjesin edhe emra të huaj, anglezë, italianë dhe që nuk kanë kuptim shqip”, shtoi ajo.

Ndryshe, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga një studim i bërë në vitin 2017, emri më i gjatë në Kosovë është Ismailqemail dhe Mirandolinda, me gjithsej 12 shkronja.

Ndërsa emrat më të shkurtër janë Ad dhe Al.