Donika Emini, njohëse e çështjeve të politikës së jashtme, ka deklaruar se edhe po të bëhej një qeveri, situata politike do të ishte problematike, pasi tha se gjithmonë do të kishte “shantazhe politike mes partive”.
Ajo ka thënë të enjten në “Interaktiv” të KTV-së se cilado parti që do të bënte qeverinë, secili ligj dhe secili proces politik do të ishte më problematik.
“Edhe nëse do të zhbllokohej ky hap dhe të votohej kryeparlamentari, prapë si Qeveri do të ishte problematike dhe do të ishte problem të qeverisej, pasi gjithmonë do të kishte shantazhe politike. Për secilin ligj e proces politik...Ose ka çështje strategjike, kështu që është rrezik shumë”, ka thënë Emini.
Njohësja e çështjeve të politikës së jashtme ka theksuar se bllokada në Kuvend po shkaktohet për shkak se asnjëra palë s’i ka aktualisht numrat për formim të Qeverisë.
Ajo ka shtuar se bllokada është krijuar edhe për shkak të presionit mbi numrat.
“Partia në pushtet s’e ka të lehtë pas qasjes gjatë zgjedhjeve. Vetëvendosje ka dashur të qeverisë e vetme. Gjithmonë krijimi i koalicionit ka qenë edhe më herët problematik, por tash është më problematik pasi qasja në fushatë ka qenë e tmerrshme...Opozita po llogarit në dështimin e Kurtit për t’i siguruar 61 vota. Ka tendencë për marrje të pushtetit dhe është krejt normale. Tendenca e Vetëvendosjes gjatë debatit ka qenë që të linçohen anëtarët e opozitës”, shtoi Emini.
Ajo ka theksuar se do të ishte mirë që opozita të votonte edhe kryeparlamentarin, që siç tha Emini, do të kalonte mundësia për partitë opozitare që ta bënin Qeverinë “nëse s’do të arrinte partia e parë”.