Avokati i Popullit ka konstatuar se dokumenti në bazë të të cilit zgjidhen nënkryetarët e komunave nga radhët e komuniteteve nuk është në harmoni me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale. Prandaj, i ka rekomanduar Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal që ta ndryshojë një udhëzim administrativ.
"Avokati i Popullit i rekomandon MAPL-së: Ta ndryshojë Udhëzimin Administrativ nr. 02/2020 për Procedurën e Emërimit të Nënkryetarëve në Komuna, përkatësisht ta fshijë paragrafin 3 të nenit 8; Në nenin 8 ta shtojë një paragraf të ri, i cili do të jetë në harmoni me nenin 61, paragrafi 1 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, sa u përket kushteve për emërimin e nënkryetarëve të komunës për komunitetet joshumicë”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.
Ankesa tek Avokati i Popullit për këtë dispozitë ka dërguar Ertan Simitçi, përfaqësues i Partisë Turke e Lëvizjes Novatore, pasi ka konsideruar se në udhëzimin administrativ ekziston neni që favorizon një komunitet në mesin e komuniteteve joshumicë.
“Si përfaqësues i komunitetit turk kemi bërë një ankesë tek Avokati i Popullit dhe para disa ditësh kemi marrë raportin për këtë çështje, ku rekomandohet MAPL-ja ta fshijë këtë kriter dhe ta harmonizojë këtë nen apo paragrafin me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, nenin 61. Edhe po shpresojmë që tash Ministria do ta marrë sipër, do ta marrë si përgjegjësi këtë”, tha Simitçi.
Në Raportin e Avokatit të Popullit për këtë ankesë, ndër të tjera thuhet se MAPL-ja nuk e ka marrë parasysh rekomandimin e këtij institucioni dhe se si rezultat ka vazhduar shkelja e të drejtave të komuniteteve sa i përket të drejtës për ta pasur nënkryetarin e komunës për komunitete.
Sipas dispozitave të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, komunat, ku të paktën 10% e qytetarëve u përkasin komuniteteve joshumicë, duhet të kenë një nënkryetar për komunitete.