Sirena e autoambulancës që dëgjohet që nga porta kryesore e oborrit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) paralajmëron ardhjen edhe të një pacienti. Kur autoambulanca mbërrin tek hyrja parësore e Klinikës Emergjente, vozitësi dhe infermieri dalin, i hapin dyert e saj të prapme, e nxjerrin shtratin me pacienten e shtrirë dhe nisen drejt dhomës së reanimimit.
Lëvizjen e tyre të shpejtë e përcjellin me kureshtje dhjetëra njerëz që qëndrojnë përreth hyrjes së Emergjencës, të cilët kanë sjellë aty familjarët e tyre me telashe shëndetësore. Dikush pyet se çfarë i ka ndodhur pacientes në moshë. Nusja e djalit të saj, e cila zbriti nga autoambulanca, u tregon se e vjehrra ka pësuar sulm në tru gjersa pinte kafenë, shkruan sot Koha Ditore.
“Për besë duke bërë muhabet ishim në ballkon, kur në një moment u nxi në fytyrë. E thirra burrin që ishte në dhomën tjetër dhe e lajmëruam menjëherë ambulancën”, u tregon ajo me lot në sy.
Kureshtarët e ngushëllojnë me “Mos u mërzitni. Çfarë ka thënë ai lart bëhet” dhe me “Ishalla ju le juve të familjes mirë”.
Sulmet në zemër e në tru – rastet më të shpeshta
Pamje të tilla si kjo e së mërkurës së kësaj jave janë përditshmëria 24- orëshe e Emergjencës. Pothuajse çdo pesë minuta vijnë e shkojnë autoambulancat. Gjatë tri ditëve të vëzhgimit në këtë klinikë, gazeta ka vërejtur fluks të madh të qytetarëve që kërkonin ndihmën e mjekëve emergjentë.
Gjatë dy ditëve e netëve gazeta nuk ka hasur në pacient apo familjar që ankohej për mosofrim ndihme apo trajtim joadekuat nga personeli shëndetësor i klinikës...(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)