Muhabeti vlon nëpër çajtore kur miq e qytetarë përplasen për historinë e Hanit të Elezit. Dikush, pasi çon një gllënkë të nxehtë çaji, ngulmon se hani e bëri të njohur Elez “rrogëtarin”. I dyti në tavolinë nuk pajtohet.
Hidhet i treti prej tavolinës matanë me pretendimin se Elezi ishte pronari i bujtinës së parë të rrethinës. Askush nuk ka dëshmi të çfarëdollojshme të shkruara për themeluesin e Hanit të Elezit. Pakkush pranon të flasë publikisht për historinë për qendrën e rrethinës me rreth nëntë mijë e pesëqind banorë.
Në hisotrikun zyrtar të komunës thuhet se vendbanimi mori emrin Hani i Elezit në shekullin nëntëmbëdhjetë sipas Elez Dimcës, “i cili kishte ndërtuar një han”. Atëherë, në rrethinën nën sundimin e Perandorisë Osmane në shembje – që i doli nami i zi edhe si “i sëmuri i Bosforit” – kishte rrezik të udhëtoje ose të transportoje mallra gjatë natës nëpërmjet Grykës së Kaçanikut. “rrjehdimisht, Hani ofroi një vend për njerëzit që të qëndrojnë për një natë”, shkruan në historikun e uebfaqes së Hanit të Elezit, që shtrihet në luginën e Lepencit ndërmjet Bjeshkëve të Sharrit në perëndim dhe Bjeshkëve të Karadakut në lindje. Dhjetë fshatrat shtrihen faqeve të bjeshkëve e nëpër rrafshnaltat në dy anët e qytezës jugore, shkruan Koha Ditore.
“Fshatrat janë përmendur edhe në arkivat osmane më 1452, 1455, 1468, 1544, 1568, 1893, 1896 dhe 1900. Ekziston edhe një hartë austriake nga viti 1689 që i referohet Hanit të Elezit dhe fshatrave të tij“, thuhet aty, duke vënë theksin te fakti se Hani i Elezit nuk ishte regjistruar si vendbanim i populluar nga administrata në vitin 1914 për shkak se “ishte i njohur vetëm si një vend ku njerëzit janë ndalur për ushqim dhe pushim duke udhëtuar në veri ose jug”. Deri më 1920, Hani i Elezit kishte vetëm stacionin e trenit, një bakallhane dhe një han, bëhet e ditur në vegëzën e uebfaqes zyrtare të komunës. “Rreth kësaj kohe familjet shqiptare nga fshatrat përreth kanë filluar të vendosen në Han të Elezit”, shkruan më tej.
Zhdukja e hanit prej të cilit u bë një qytet
Katërmbëdhjetë vjet i kishte Ramadan Imeri kur familja e tij nga Kabashi i Prizrenit do të blinte pronën ku ende mbahej në këmbë objekti i hanit. Hasjani, pranë tezxhahut, këmbëngul se hani po shërbente si depo mallrash kur Imerët e blenë prej Demir Dacit, megjithëse nuk ishin të sigurt nëse do të kishin punë. “Baba kish pas thanë se hanin po e blenë, por xhinja po i kin në Turki. Koha e Rankoviqit”, kujton Imeri, duke iu referuar dëbimeve masive të shqiptarëve në Turqi për shkak të represionit të ministrit të atëhershëm të Brendshëm të Jugosllavisë, famëkeqit Aleksandar Rankoviq.
Imeri plakë i ka çuar duart prej brumit, por pasardhësit vazhdojnë të gatuajnë. Emri “Drini i Bardhë” – shkruar me të verdhë – lidhet me jetën fëmijënore në Anadrin. Imeri dhe fqinji Mustafë Daci (61) tregojnë anash furrës vendin e saktë ku ka qenë hani. “Tri metra fell i ka pasë rrajtë”, thekson Imeri, para objektit të ndërtuar pasluftës. Nuk ka asnjë fotografi të vjetër. “rraja është këtu. Por tash, pse është ndryshu, ëhstë diçka tjetër”, shton ai. “U kanë shtëpi dykatëshe. Temeli më i vjetër në Hanin e Elezit u kanë qëtu”.
Daci thotë se me të dëgjuar në qytet se ekipi i gazetës po interesohej për historinë e hanit që do të kthehej në bërthamë të një qyteze të zgjeruar ngadalë, u lëshua teposhtë rrugës që përfundon te stacioni i treni për të treguar historinë e përcjellë brez pas brezi.
“… shqiptarët kejt une, une, une …”
“O vëlla duhet me u da shapi prej sheqeri se kejve poi u ngreh kërrabëza kah veti”, thekson burri me plis. Disa fije flokësh i janë zgjatur prej plisit në ballë.
“Se shqiptarët kejt une, une, une … kejt po ngrhein kah veti. Elezi u kanë rrogëtar dhe ka mbet t’u hanë kejt ‘te hani i Elezit’, se vendi si vend u kanë i dacëve”, thekson Daci. “Pronari nuk dihet”.
Imeri e rrah dy herë tezxhahun me nyjet e gishtave të mbledhur grusht. “Na jemi të dytët, dact janë kanë të parët si pronarë”, thekson Imeri. Ardhja e fotoreporterit të gazetës ua këput për pak fillin e rrëfimit. Madje Daci i drejtohet me humor fotoreporterit Alban Bujari: “A në syret mos na qitni se nuk jemi të hjeshëm”. Imeri qeshet. Drejtojnë pak trupin e ngrehin pak kokën teksa i kthehen rrëfimit. Daci shikon përvjehdurazi syrin e aparatit.
“Historinë e shkrujnë njerëzit, por janë do gjana që duhet me i pas parasysh”, thekson Daci, duke iu kthyer përsëri dilemës më të madhe të historisë së qendrës administrative të komunës me rreth 83 kilometra katrorë. Daci rrëfen një mesele për të dalë te qëllimi i krejt rrëfimit të tij. “Përpara, kur dojshim me feju qikën a djalin, vetshim në tre vena para se me vendos, e nëse dy të thojshin se djali a qika ban e i treti s’ban, atëherë e dhashim se dy kishin thanë se ban”, thekson me të qeshura. “port ash secili po thotë une, une, une”.
Nyje e pazgjidhshme
Një njohës lokal i historisë dhe trashëgimisë kulurore të rrethinës nuk pranon assesi të flaës me emër e mbiemër meqë këmngëul se nuk ka arritur askush deri më sot të argumentojë me fakte nëse hani ishte i Elez Dimcës. Dimca është fshat ngjitur me Hanin e Elezit.
“Nuk mund të flas publikisht, sepse ky është komunitet i vogël dhe krejt njihemi. Dikujt mund t’i ngelet hatri e dalin njëqind fjalë”, thekson ai. “Unë jam marr goxha shumë me këtë punë, por nuk kam gjetur asnjë argument ose dëshmi materiale e arkivore që fakton se Elez Dimca ishte pronar i hanit ose të kundërtën”. Ai më fort preferon të flaës për materialet arkeologjike që janë gjetur në territorin e Komunës së Hanit të Elezit. Vlerave arkeologjike u kushtohet një hise e madhe e hapësirës së “Historikut” të rrethinës në uebfaqen e komunës.
“Një vendbanim ilir ka qenë ndërtuar në fushat e tanishme të Hanit të Elezit, në vendet pranë rrugëve të lashta që kanë lidhur rajonin me ‘Scupi-n’ (Shkupin e sotëm). Kjo është zbuluar pasi që janë gjetur materiale arkeologjike të pjesëve të ‘castela’s’ (Kalasë). Artefaktet antike janë gjetur edhe në pothuajse të gjitha fshatrat e Hanit të Elezit. Rrënoja të kishës dhe manastirit janë gjetur në Gorancë”, thuhet aty.Në Paldenicë janë gjetur mbeturinat e një nekropoli, qeramika të vjetra, materiale bronzi, një stelë nga një varrezë të shekullit të tretë pas Krishtit dhe dy monedha. Njëra nga monedhat është rreth 2300 vjet e vjetër dhe i përkiste Mbretit Ilir Monun, shkruan më tej.
Në Dimcë ndërkaq janë gjetur dy pllaka me mbishkrim dhe gjurmë arkeologjike të kishës, që tregon se ky vendbanim është mjaft i vjetër. Emri Afërditë në Dardani në formën teoforike është gjetur në koloninë ‘Scupi’ në Dimcë, në veri të Shkupit. Një statujë romake është gjetur në kishën e vjetër në Dremjak.
“Ekzistojnë edhe një numër i madh i materialeve tjera të rëndësishme të lashta që janë gjetur në Seçishtë, Neqafc, Krivenik dhe Pustenik. Nuk ka fakte të njohura për atë se si është quajtur Hani i Elezit gjatë lashtësisë”, thuhet në vegëzën e “Historikut”.
Në çajtore do të vlojë muhabeti e do të ftohen çajat e atyre derisa historia do ta argumentojë se Elezi ishte “rrogëtar” apo “pronar”.
“U ba kjo punë: A hani i Elezit, a Elezi i hanit”, thotë një i ri. “Nuk di pse nxehen kur edhe ashtu na i thojmë Elezhan me z e h, e jo me zh”.