Zyra e Rregullatorit për Energji është në fazën e mbledhjes së informatave për përdorimin e termit “Kosovska Mitrovica” në fatura të rrymës, që i ka shpërndarë kompania serbe Elektrosever.
Zyrtarë të këtij autoriteti nuk dhanë detaje për masat eventuale që mund të ndërmerren ndaj kompanisë, por theksuan se janë në pritje të informatave zyrtare edhe nga vetë kompania.
“Kohëve të fundit Zyra e Rregullatorit për Energji ka marrë informata se furnizuesi Elektrosever, në faturat e energjisë elektrike të shpërndara te konsumatorët, është duke përdorur disa nga emërtimet të cilat nuk janë në përputhje me Legjislacionin e aplikueshëm në Republikën e Kosovës. Lidhur me këtë ne kemi kërkuar informacion të detajuar nga Elektroseveri. Aktualisht jemi në pritje të marrjes së informatave zyrtare nga Elektroseveri. ZRRE-ja pasi t’i ketë të gjitha informatat e nevojshme për trajtim, do të veprojë sipas dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.
Kompania serbe u licencua bazuar në marrëveshjen për energjinë mes Kosovës dhe Serbisë.
Për shkeljet eventuale të marrëveshjes nga Elektroseveri, nuk ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve kryeshefi i KOSTT-it, Evatar Zeqiri.
E, shqetësimin për termin dhe kodin postar që ka përdorur kompania, e ka ngritur në Bruksel zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Por, në Bashkimin Evropian nuk u janë përgjigjur pyetjeve në lidhje me shkeljet eventuale të marrëveshjes e as për masat që mund të ndërmerren ndaj Elektroseverit.
Në anën tjetër, kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, thotë se kompanisë serbe mund t’i tërhiqet edhe licenca.
“Është krejtësisht normale që rregullatori e ka përgjegjësinë nëse shkelen parimet e ligjeve të rregullatorit të energjisë dhe ligjet e kushtetuta e vendit gjithsesi duhet t`i tërhiqet licenca”, ka deklaruar Shala.
Deputeti i PDK-së, fajtor e ka bërë edhe zëvendëskryeministrin Bislimi.
“Informacioni derisa rrjedh prej zv.kryeministrit .. do të thotë definitivisht ai e pranon edhe vetë që ka dështuar në tërë procesin sepse ai është kryenegociatori për të gjitha negociatat që janë zhvillu për këtë sektor dhe për këtë problematik. Shqetësuese është kur tashmë në fund të mandatit e pranon që rezultati është zero por i ikë ballafaqimit me të vërtetën”, ka thënë ai.
Shpërndarja e faturave në veri nisi në shkurt të këtij viti nga Elektroseveri, pasi në qershor të vitit paraprak kompania mori licencë për veprimtari në Kosovë.
Serbët në katër komunat në veri filluan ta paguajnë energjinë 24 vjet pas luftës. Deri në fillim të këtij viti, shpenzimi i energjisë së shpenzuar nga ta iu faturua qytetarëve, e për disa vite është mbuluar me buxhetin e shtetit.