“Neve fermerëve dëmtimi i pendës do të na shkaktojë probleme të mëdha. Këtë vit ne kemi me pasë probleme me ujitje të tokave. Kanë me qenë dëmet shumë të mëdha, sepse rendimentet do të jenë shumë të vogla, kur t’i kapë thatësia në muajin korrik dhe gusht, në pamundësi të ujitjes”, ka thënë fermeri Sali Abazi. Banorët e fshatit Jabllanicë presin prej drejtuesve të Komunës së Pejës, por edhe nga Ministria e Bujqësisë, që të intervenojnë në sanimin e dëmit në pendë, në mënyrë që verës të mund t’i ujitin tokat
Eksploatimi ilegal i zhavorrit buzë Lumbardhit të Pejës ka shkaktuar dëmtimin e pendës së ndërtuar para pesë vjetëve në fshatin Kliqinë. Penda që shërben për ujitjen e tokave të fshatit Jabllanicë e Leshanit ka kushtuar mbi 150 mijë euro dhe është ndërtuar me financim të Ministrisë së Bujqësisë dhe të Komunës së Pejës. Prej vitit 2016, kur është lëshuar në funksion penda, fermerët e fshatit Jabllanicë i kanë ujitur tokat e tyre për pesë vera pa probleme. Tash ata druajnë se tokat e tyre do të mbesin pa ujitje. Fermerët tregojnë se shkaktar i dëmtimit të pendës është eksploatimi ilegal i zhavorrit që ka ndodhur buzë shtratit të lumit, diku rreth 400 metra mbi pendë. Për pasojë, sipas fermerit Sali Abazi, ka ardhur deri te rritja e nivelit të ujit pas reshjeve të mëdha dhe devijimi i ujit. Ky devijim, sqaron ai, ka gërryer tokën në pjesën anësore të pendës deri në themelet e saj.
“Muri nuk ka mundur më t’i përballojë peshës së vet dhe është çarë pastaj në dy vende. Tash uji kalon ndër atë mur dhe jo mbi pendë”, thotë Abazi.
Dëmtimi i pendës, siç thotë Abazi, do t’u shkaktojë probleme të mëdha fermerëve në pamundësi që të ujisin tokat e mbjella për nevojat e familjeve dhe për nevojat e fermave të lopëve që i kanë.
“Neve fermerëve dëmtimi i pendës do të na shkaktojë probleme të mëdha. Këtë vit ne kemi me pasë probleme me ujitje të tokave. Kanë me qenë dëmet shumë të mëdha, sepse rendimentet do të jenë shumë të vogla, kur t’i kapë thatësia në muajin korrik dhe gusht, në pamundësi të ujitjes”, shprehet ai.
Banorët e këtij fshati presin prej drejtuesve të komunës së Pejës, por edhe nga Ministria e Bujqësisë, që të intervenojnë në sanimin e dëmit në pendë, në mënyrë që verës të mund t’i ujitin tokat.
“Pa sanimin e çarjes së murit dhe ndaljen e rrjedhjes nuk mund të akumulohet uji”, ka thënë Sali Abazi.
Në Komunë kanë shprehur gatishmërinë të intervenojnë në sanimin e pendës. Drejtori i Bujqësisë, Mehdi Mulaj, tha për KOHËN se pasi janë informuar për dëmtimin e pendës, i ka informuar inxhinierët të cilët i kanë bërë paramasat dhe tash pritet të llogaritet sa do të kushtojë sanimi i atij dëmi.
“Eksploatuesit e zhavorrit në mënyrë të pakontrolluar po eksploatojnë zhavorr afër shtretërve të lumenjve, nëpër tokat bujqësore, nëpër tokat që janë më pjellore që janë buzë lumenjve dhe aty po eksploatohet zhavorri klandestin të them, në mënyrë të fshehtë, pa orar, pa kritere...”, thotë Mulaj.
Drejtori i Bujqësisë në Pejë sqaron kriteret që i kanë përcaktuar Komisioni për Miniera dhe Minerale për shfrytëzimin e zhavorrit. Sipas tij, kriteret nuk lejojnë eksploatimin më afër se 150 metra prej shtratit të lumit. Ndërsa në rastin e fundit, sipas tij, nuk është respektuar ky rregull.
“Si pasojë ka ardhur të devijim i lumit dhe dëmtimi i pendës. Ne si Komunë nuk mund ta lëmë pendën në atë gjendje, sepse investimi që është bërë dhe nevoja për ujitje e tokave, do të dështojë”, thotë Mulaj.
Për dëmin që e kanë bërë eksploatuesit e zhavorrit, fermerët e as komuna nuk e kanë njoftuar policinë e as prokurorinë, që të zbulohet dëmtuesi dhe që ngarkohet për dëmin që e ka shkaktuar. Në komunë konsiderojnë se hetimet në këtë rast janë të pashmangshme për t’u zbuluar dëmtuesi, por këto hetime duket se nuk do të iniciohen nga komuna, pasi kjo është dashur sipas komunës, të ndodhë nga vetë fermerët dhe ta paraqesin rastin nga fakti se ata janë shfrytëzues të pendës dhe si të tillë ata duhet me qenë edhe mbrojtës dhe mbikëqyrës të saj.
Për dëmtimin e kësaj pende nga eksploatimi i zhavorrit, KOHA ju ka drejtuar edhe Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, i cili për këtë rast nuk kishte pasur njohuri.
“Jam konsultuar me inspektoret regjional të Pejës për rastin në fjalë të eksploatimit të zhavorrit buzë Lumbardhit në Pejë, afër pendës për ujitje në fshatin Kliqinë. Për këtë rast, nuk kemi informacion. Për këtë është dashur të intervenojnë komuna, edhe ne të njoftohemi dhe të intervenojmë së bashku. Për këtë rast, do të organizojmë një inspektim të terrenit menjëherë, në bashkëpunim me nivelin komunal, për ta identifikuar operatorin ekonomik apo fizik, dhe të marrim masa në përputhje me Ligjin”, tha për KOHËN, Lartana Frangu, zyrtare Ekzekutive e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. Ajo tregoi se në zonën për gjatë Lumbardhit nga Peja deri në Klinë, janë 10 seperacione të licencuara, kurse pa leje për aktivitete të veçanta janë katër seperacione.
“Vitin e kaluar dhe këtë vit, janë identifikuar aktivitete minerare të shfrytëzimit të resurseve minerare dhe seperimit, ku, ne si KPMM, veprojmë me masa ndëshkimore ligjore me gjobë dhe kallëzime penale të parapara në ligjin për Miniera dhe Minerale, ku në këtë vit, në atë zonë kemi ndërmarrje që është gjobitur me gjobë në vlerë mbi 80 mijë euro. Gjithashtu, ju njoftojmë se jemi në fazën e fundit të përgatitjes së planit operativ në nivel shtetëror, me të gjitha institucionet për veprim të inspektimit të përbashkët të operatorëve ekonomikë ilegalë dhe legalë, ku qëllimi është që një herë e përgjithmonë të ndalen operimet minerare ilegale”, tha Frangu.
Eksploatimi i zhavorrit mbi atë pendë, nuk ka shkaktuar probleme vetëm për ujitjen e tokave, por ka dëmtuar urën që ka shërbyer për lëvizjen e banorëve. Ura e konstruksionit metalik ishte ndërtuar më tepër për nxënësit fillorist të fshatit Rosujë, të cilët ndjekin mësimin në shkollën fillore në fshatin Kliqinë. Tash atyre u duhet të ecin deri tek ura e fshatit Jabllanicë e Leshanit për të vazhduar në drejtim të Kliqinës.