Arbëri

Ekspertiza në favor të të akuzuarve për manipulim me vota

Ekspertiza e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë ka rrëzuar pretendimin e prokurorisë se në dy fotografi shihen ish-deputeti i LDK-së, Shkumbin Gashi, dhe i akuzuari Sylë Balaj duke plotësuar fletëvotimet për diasporën. Në seancën e zhvilluar të mërkurën, një ekspert i thirrur nga gjykata theksoi se fotografitë nuk janë shkrepur gjatë vitit kur janë mbajtur zgjedhjet

Fotografitë në të cilat, sipas prokurorisë, shihet ish-deputeti Shkumbin Gashi dhe i akuzuari Sylë Balaj, duke plotësuar fletëvotime, nuk i takojnë kohës së zgjedhjeve, ka konstatuar një raport i ekspertizës së Agjencisë së Kosovës për Forenzikë.

Kur rasti ishte afër finales, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka rihapur gjykimin ndaj dy të akuzuarve për keqpërdorim të 72 votave të qytetarëve të diasporës. E bëri këtë shkaku që mbrojtja kërkoi ekspertizë të fotografive që prokuroria i prezantoi si prova.
Akuzat lidhen me zgjedhjet e vitit 2021 e eksperti i fushës së teknologjisë informatike, Betim Shala, tha se fotografitë nuk janë shkrepur atë vit.

“Kemi gjetur se fotoimazhi i parë… është bërë me kamerë të telefonit. Telefoni i tipit ‘Samsung’, ndërsa data e shkrepjes është më 23 shkurt 2020 në ora 17:49 e 19 sekonda, kurse fotoimazhi i dytë është bërë me kamerë apo tip i telefonit ‘Samsung’ më 23 shkurt 2020 në ora 17:49 e 33 sekonda”, ka thënë eksperti Shala.

Eksperti Shala tek i është përgjigjur gjykatësit të rastit Musa Konxheli, ka thënë se data e shkrepjes së fotografive është gjetur përmes pajisjes forenzike dhe se është data kur është shkrepur dhe jo kur është bartur nga telefoni “Samsung” në “Iphone”.

Mbrojtja i kërkoi prokurorisë të tërhiqej nga akuzat pas shpalosjes së konstatimit të Forenzikës. E prokuroria kërkoi që gjykata ta sqarojë se a do të rihapet komplet shqyrtimi kryesor apo vetëm do të dëgjohet edhe dëshmia e dëshmitarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. 
Kryetari i trupit gjykues, Musa Konxheli, tha se gjykimi pritet të vazhdojë përtej këtyre dëshmive.

“Mund të ndodhë që lindin propozime të reja, pastaj ne prapë do t’i pyesim palët nëse duan të deklarohen pas marrjes së këtyre dy dëshmitarëve në pyetje dhe do të dalim te fjala përfundimtare – nëse qëndroni njëjtë, thoni që qëndroni mbrapa”, ka thënë Konxheli.

Në dhjetor të 2022-tës, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër tetë personave për veprat penale “Keqpërdorim i së drejtës së votimit” dhe “Vjedhje e identitetit dhe pajisja e qasjes”. Pesë prej tyre kanë pranuar fajësinë dhe janë dënuar me burgim me kusht, për një është veçuar procedura, derisa për Gashin e Blakajn është duke vazhduar procesi gjyqësor. 

Prokuroria pretendon se fletëvotimet e shtetasve të Kosovës në diasporë u shkarkuan nga uebfaqja e KQZ-së duke keqpërdorur të dhënat e tyre, më pas duke u dërguar me autobus për në Austri, për t’u rikthyer përsëri si vota të diasporës.