Kosova gjatë javës së fundit është përballur me disa sulme kibernetike të jashtme, që nxorën përkohësisht nga funksioni uebfaqe të institucioneve publike. Ekspertë të sigurisë kibernetike kanë shtruar nevojën që shteti të ndërmarrë masa shtesë për forcimin e sigurisë në këtë rrafsh, teksa kanë paralajmëruar se sulmet, që sipas tyre burimin e patën nga Serbia dhe Rusia, do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim
Uebfaqe zyrtare të institucioneve shtetërore, të ndërmarrjeve publike, të organizatave joqeveritare e të disa mediave kanë qenë cak i sulmeve kibernetike gjatë dhjetë ditëve të fundit.
Njohës të sigurisë kibernetike kanë thënë se këto sulme e patën burimin nga Serbia e Rusia dhe se qëllimi qe bllokimi i qasjes së uebfaqeve nëpërmjet mbingarkesës me kërkesa të pavlefshme.
Arian Sheremeti, njohës i fushës, ka shtruar nevojën që institucionet të forcojnë sigurinë kibernetike për t’i luftuar këto sulme.
“Idealja kishte me qenë me marrë masa proaktive, jo me na ndodhë sikurse rasti që ka ndodh në Shqipëri dhe me fillu me u ba reaktiv ndaj këtyre masave. Po e përmendi, po besoj që për ata që më përcjellin kemi Agjencionin e Sigurisë Kibernetike, i cili me ligj është kalu në vitin 2023, është parapa të formohet, ka dështuar konkursi për drejtor në fund të vitit të kaluar, tani është prapë konkursi i hapur”, ka thënë Sheremeti.
Këtë nevojë e shpreh edhe eksperti i sigurisë kibernetike, Halil Berisha, tek paralajmëroi se sulmet mund të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim.
“Target janë shpesh institucionet e vendit në mënyrë që të pengohen shërbimet për qytetarë, të krijohet panik, por edhe të vidhen informata shtetërore. Kosovës i mungon domeni i vet shtetëror gjë që do të rriste kontrollin dhe rrjedhimisht përmirësonte sigurinë, mirëpo Kosova ka një moshë mesatare shumë të re dhe shtrirje të madhe të internetit e përdorim të madh të tij, gjë që i jep avantazh në përgatitjen e kuadrove dhe faktorit njerëzor. Kësisoj, shteti duhet t’i kushtojë rëndësi të madhe përgatitjes së tyre, duke filluar nga programe parauniversitare por edhe programe të veçanta universitare në siguri kibernetike dhe AI”, ka thënë Berisha.
Ndonëse vlerësoi që në rastet e fundit shteti tregoi gatishmëri dhe përgatitje adekuate në përballje me sulmet kibernetike, Berisha thekson se duhet bërë punë më e madhe në parandalim e jo veç në rikuperim të uebfaqeve të sulmuara.
Lidhur me masat e ndërmarra lidhur me këto sulme, KOHA pyeti në Qeveri dhe në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit, porse gjatë së shtunës nuk mori përgjigje.
Gjatë javës, me sulme të njëpasnjëshme kibernetike të jashtme u përballën uebfaqet zyrtare të ndërmarrjes “Trainkos”, të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë dhe së fundi edhe ajo e agjencisë së lajmeve KosovaPress.