Arbëri

Ekspertët e sigurisë kibernetike për 10% në Trust: Të dhënat e qytetarëve mund të keqpërdoren

Gati gjysma e qytetarëve që kanë llogari në Trust kanë aplikuar për të tërhequr 10 për qind të kursimeve të tyre vetëm një ditë e gjysmë pasi është hapur aplikimi.

Fluksi i madh është vërejtur edhe të shtunën përmes thirrjeve telefonike në Trust, ku qytetarët kanë kërkuar ndihmë për të aplikuar.

Por, pas tentimeve të së premtes për sulme kibernetike, njohësit e kësaj fushe kanë ngritur sërish shqetësime për sigurinë e të dhënave të qytetarëve.

Eksperti i sigurisë kibernetikës, Hekuran Doli thotë se sulme të tilla janë kryer, pavarësisht deklaratave mohuese të Trustit.

Doli shton se Trusti nuk ka ofruar të dhëna teknike që tregojnë se sulmet nuk është arritur të kryhen.

“Qasja në fonde është qëllimi kryesor i hakerëve, prandaj nuk do mend se platforma të tilla mund të jenë subjekt i sulmeve kibernetike. Se a ka pasur sulme kibernetike dje, unë mendoj se po pasi një gjë e tillë është raportuar edhe nga Trusti, por për një gjë të tillë jam njoftuar edhe nga miqtë e mi në media të cilët kanë marrë mesazhe të paktën nga një haker i cili ka raportuar veprimin e tij në media”, ka thënë Doli.

Informacionet e kontribuuesve janë të sigurta, thotë profesori i inxhinierisë kompjuterike, Blerim Rexha, edhe pse sipas tij, mund të ndodhin keqpërdorime.

“E meta kryesore është që dikush mund të aplikojë pa dëshirën tonë në emrin tonë sepse Trusti nuk na verifikon a jemi me të vërtetë ne ai që po themi që jemi. Pra nuk e përdorë metodën e autentikimit që është standarde në krejt ueb aplikacionet që i kemi sot”, është shprehur Rexha.

Zyrtarët e Trustit mohojnë se të dhënat e qytetarëve janë në rrezik.

“Ka vështirësi nganjëherë në vendosjen e protokolleve më të larta të sigurisë sepse vendosja e atyre protokolleve të larta të sigurisë mund të sjellë në bllokim të qasjes për grupe ose numra të këtyre adresave elektronik të qasjes përmes internetit. E kemi rikonfirmuar që nuk ka asnjë rrezik për të dhënat e kontribuuesve”, ka thënë për KOHËN, Jeton Demi zëdhënës i Trustit.

Aktualisht aplikimi bëhet përmes tri adresave zyrtare të publikuara nga Trusti.

Deri në pasditen e së shtunës kanë aplikuar mbi 250 mijë kontribuues, ndonëse afati është i hapur për katër muaj.

Rreth 650 mijë qytetarë kanë llogari në Trust, por një pjesë e madhe e atyre llogarive përmbajnë shuma simbolike.