Arbëri

Eksodi i shqiptarëve përkujtohet duke kaluar kufirin në Kukës

Kufiri Kosovë-Shqipëri

Përkujtohet eksodi i shqiptarëve gjatë luftës

Në mënyrë tradicionale të martën në orën 11:00 do të futen në Kukës nëpërmjet kufirit qytetarë të Kosovës, si simbol për të kujtuar eksodin e shqiptarëve.

Mustafë Kryeziu nga organizata joqeveritare “Eksodi 99” ka thënë se është shumë moment emocionues përkujtimi i ikjes së shqiptarëve të Kosovës nga lufta, duke përmendur se kjo ngjarje duhet të mos harrohet.

“Është emocionale kryesisht për mua e para kokës time jam me ngjarjet e asaj kohe siç i kam treguar. Si organizatë për të lënë gjurmë kemi ndërtuar kulla, obeliskë e kemi bërë veprime të ndryshme. 25 vjet nga kjo e mbajmë këtë ditë për të mos harruar sepse si dihet, nëse harron, ajo shpërblehet me gjëra të këqija. Si në çdo vit, në orën 11:00 kalohet kufiri në këmbë në shenjë përkujtimi të atyre ngjarjeve”, ka thënë Kryeziu për emisionin "SOT" në KTV.

Ai ka theksuar se aktivitetet kanë nisur që nga mëngjesi, e kur të kalohet kufiri, Kryeziu u shpreh se shqiptarët e Kosovës do t’i presin përfaqësues të bashkësisë së Kukësit.

Kryeziu u shpreh i pakënaqur që për eksodin e shqiptarëve s’është bërë asnjë muze mbarëkombëtar.

Në periudhën 1998-1999, rreth një milion shqiptarë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni.

Përveç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kaluan kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra-mijëra ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.

Ata ishin fëmijë, gra dhe të moshuar, të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar. Në çdo përvjetor të eksodit të vitit 1999, që mori përmasa biblike, në Kukës përkujtohet, e në dy vjetët e fundit edhe simbolikisht prej pandemisë, kjo dramë vuajtjesh nga më të tmerrshmet që kanë përjetuar njerëzit e kësaj toke, ka shkruar KP.

Eksodi, apo dëbimi shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, arriti kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi).

LEXO EDHE: