Për një dekadë e gjysmë shtet, Kosova nuk ka arritur të krijojë qëndrueshmëri ekonomike. Vitet e shtetësisë u përmbyllën vazhdimisht me rritje vjetore ekonomike, por të pamjaftueshme për të zënë ritmin e zhvillimit të vendeve evropiane. Përballimit të shkallës së lartë të varfërisë dhe papunësisë i ka ndihmuar diaspora, e cila nga shpallja e pavarësisë ka dërguar në Kosovë afro 10 miliardë euro
Shkalla e lartë e varfërisë dhe e papunësisë ka qenë përcaktuese e qëndrueshmërisë dhe e perspektivës ekonomike të Kosovës, vendit që u pavarësua nëntë vjet pas luftës shkatërrimtare. Në 15 vjet shtet, institucionet kanë arritur pjesërisht t’i adresojnë nevojat e qytetarëve për mirëqenie më të mirë, pasi rritja ekonomike me një mesatare prej 4 për qind ishte e pamjaftueshme. Me këtë ritëm, sipas Bankës Botërore, Kosovës do t’i duhen deri në gjashtë dekada për të arritur nivelin e të ardhurave që kapin ato të Bashkimit Evropian.
Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, ka thënë se Kosova ka dalë nga lufta me ekonomi të dërrmuar dhe se problemet ishin prezentë edhe pas shpalljes së pavarësisë.
“Problemet ekonomike kanë mbetur prezentë edhe në momentin e shpalljes së pavarësisë edhe ma vonë, siç është niveli i ulët i zhvillimit ekonomik, GDP-ja për kokë të banorit ka qenë shumë e ulët, fillimisht 1 mijë e 600 e më vonë është ngritur, por me një gjendje të ulët të zhvillimit dhe standardit jetësor, me prani të madhe të papunësisë dhe varfërisë”, ka thënë Shatri.
Edhe pse për 15 vjet shkalla e varfërisë u ul për 10 për qind, ajo ende konsiderohet shqetësuese.
Sipas profesorit universitar, Ujkan Bajra, në kohën kur u shpall pavarësia, varfëria e përgjithshme në Kosovë ishte në nivel prej 34.5 për qind, ndërsa në vitin 2020 niveli i varfërisë ishte 23.4 për qind.
“Kosova nuk ka arritur mjaftueshëm që të punojë dhe të ndikojë që shkallën e varfërisë ta zvogëlojë edhe më tej. Ne e shohim që shpërndarja e të ardhurave është e koncentruar tek kategoritë homogjene dhe e shohim se raporti mes varfërisë ekstreme dhe të përgjithshme sillet diku 17 me 4 ose 5 për qind”, ka thënë Bajra.
Shkalla e papunësisë vazhdon të jetë e lartë. Derisa në vitin e pavarësisë ajo ishte rreth 45 për qind, në 2021 ajo u ul në 20.7 për qind.
Sipas Bajrës, gjendja ekonomike dikton që Kosova të ketë një shkallë të lartë të papunësisë, e cila lidhet direkt me mirëqenien e familjeve kosovare.
Fabrikat u shitën për skrap
Prodhimet kosovare dikur në ish-Jugosllavi zinin vend në tregjet evropiane. Eksporti në fund të viteve ‘80 ishte shumëfish më i lartë sesa eksporti që Kosova ka tani.
Sipas të dhënave në vitin 1989, nga Kosova janë eksportuar produkte në vlerë prej gjysmë miliardi në vendet jashtë ish-Jugosllavisë. Por fabrikat që dikur prodhonin një gamë të gjerë produktesh, pas luftës u privatizuan.
Ani se shumë nga to u shkatërruan gjatë viteve ‘90 si pasojë e luftës, Agjencia e Privatizimit disa nga to i konsideroi si vitale dhe që mund të fillonin prodhimin.
Këtë ajo e proklamoi në dosjen e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore. Por pritjet se procesi i privatizimit do të sjellë zhvillim ekonomik me rivitalizimin e ndërmarrjeve të dikurshme dhe do të zbutë gjendjen e vështirë ekonomike sipas njohësve të çështjeve të ekonomisë nuk u realizuan.
Sipas ish-ministrit Shatri, pritjet nga privatizimi nuk i kanë dhënë rezultatet e duhura. Por ai përmend disa raste kur ky proces ishte i suksesshëm.
“Me përjashtim të disa pjesëve të cilat mund t’i quajmë të suksesshme, siç është ‘Trofta’ në Istog, ‘Ston Castle’ apo Bodrumi i Pijeve në Rahovec, pastaj Fabrika e radiatorëve në Gjilan dhe disa raste të veçanta, përgjithësisht procesi i privatizimit nuk i ka dhënë rezultatet e pritura në zhvillimin ekonomik”, ka thënë Shatri.
Përkundër investimeve nga jashtë, shumica e ndërmarrjeve të mëdha janë kthyer në depo, hapësira hoteliere e sipërfaqe për ndërtim të objekteve banimi. Makineria prodhuese e tyre është shitur për skrap.
Sipas drejtorit të programeve në Institutin Riinvest, Visar Vokrri, privatizimi nuk arriti t’ua rrisë vlerën ndërmarrjeve.
“Nuk besoj që kemi arritur që përmes këtij procesi të rrisim vlerën e këtyre ndërmarrjeve. Të ndikojmë në punësim, në rritje të zhvillimit dhe në mirëqenien e qytetarëve. Gjithsesi që ka qenë një proces që është dashur të bëhej, por për shkak të dizajnit, besoj që nuk ka dhënë efektet e duhura dhe që nga fillimi është përcjellë me sfida të ndryshme, qoftë edhe të karakterit politik”, ka thënë ai.
Për dy dekada ky proces nuk arriti të përmbyllet, dhe mbi 2060 asete shoqërore kanë mbetur të paprivatizuara. Të hyrat nga shitja e aseteve ishin afro 800 milionë euro, dhe nga ky fond i janë dhënë mbi 389 milionë euro buxhetit të shtetit. Ndonëse me ligj, sipas profesorit Bajra këto mjete duhet të përdoren për zhvillim ekonomik të Kosovës, ato janë përdorur për financim të buxhetit.
“Ky numër i aseteve që figuron si të pashitura, kryesisht shoqërohet me probleme të ndryshme ligjore dhe si rrjedhojë transformimi i tyre mbetet i vështirësuar”, ka thënë ai.
Kontrolli i politikës dhe i grupeve të interesit
Ndërmarrjet publike që dikur gjeneronin të hyra milionëshe u menaxhuan me shumë parregullsi, dyshime për keqpërdorime, shërbime të dobëta dhe shpenzime marramendëse.
Më 2010 u dha me koncesion Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, që tani mban emrin Adem Jashari dhe u tentua të “kontrabandohej” strategjia për privatizimin e Postelekomit të Kosovës që rezultoi me dështimin e shitjes së saj.
Nga buxheti i shtetit ishin shpenzuar miliona euro për këtë proces, kishte rënë një qeveri dhe shteti kishte shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme. Pati edhe shumë protesta në mbrojtje të PTK-së. Më 2011 tenderi për shitjen e 75 për qind të aksioneve u shpall i dështuar.
Edhe vlera e shitjes së distribucionit të KEK-ut, që nxiti protesta të shumta dhe peticione, u konsiderua shumë e ulët. Çmimi i tij u vlerësua me koston e 2.6 kilometrave autostradë që i ndërton Qeveria.
Një tregim “suksesi” në procesin e privatizimit thuhet të jetë dështimi i privatizimit të hotelit “Grand”. Ky proces u përcoll me skandale të shumta, tentim mashtrime, korrupsion e shantazh. Blerësit potencialë nuk arritën t’i përmbushnin zotimet për investime, dërguan garanci bankare të dyshimta, bënë presione politike, por se “Grandi” mbeti nën menaxhim të AKP-së.
Në korrik të vitit 2017, kompania e Behgjet Pacollit “Mabco”, me seli në Zvicër, ushtroi padi ndaj shtetit të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, me pretendimet se ka blerë Hotel Grandin, përkundër faktit që në vitin 2015 kishte vendosur në formë të prerë Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Infuzioni i diasporës
Për një dekadë e gjysmë të shtetësisë, Kosova nuk ka arritur të sjellë investime të mëdha. Edhe pse janë përmendur Brezovica, Miniera e Goleshit, Boksitet e Kosovës – Volljak, si potenciale për zhvillim ekonomik, munguan investimet në to.
Profesori Ujkan Bajra thotë se Kosova ka dështuar që të sigurojë projekte të mëdha për investitorët e mëdhenj kredibilë.
“Fondi Sovran është një premtim politik, por nuk ka arritje konkrete në këtë drejtim. Është një dëshirë e mirë se si do të dukej ky fond. Por fatkeqësisht prej dy vjetësh nuk ka lëvizje të dukshme në këtë drejtim”, ka thënë ai.
Sipas tij, investimet kanë shënuar rënie të konsiderueshme në raport me GDP-në.
“Në vitin 2008 ne kemi pasur diku 10.4 për qind pjesëmarrje të investimeve, në 2009, 2010 dhe 2011 diku 8 për qind, ndërsa në vitin 2012 deri në 2021 pjesëmarrja e investimeve të huaja asnjëherë nuk ka qenë më shumë se 5 për qind”, ka thënë ai.
Kosova ka dështuar që të krijojë një klimë të favorshme për investitorët e huaj. Nëse krahasohet me vendet e rajonit, si Shqipëria dhe Serbia, Kosova ka shumë më pak investime të huaja.
Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim, në Serbi, në formë të investimeve të huaja gjatë vitit 2020, kanë hyrë 3.4 miliardë dollarë, ndërsa në Shqipëri janë investuar 1.1 miliardë dollarë.
Drejtori i programeve në Institutin Riinvest, Visar Vokrri, ka thënë se ajo çfarë është parë në 15 vjet janë vetëm disa investime sporadike.
“Janë disa investime të vogla dhe një pjesë e madhe e tyre kanë ardhur si investime direkte dhe indirekte të diasporës. Duhet theksuar se edhe statistikat zyrtare kanë shumë pasaktësi, pasi që përveç investimeve konkrete të huaja, futën edhe ato të diasporës në patundshmëri, të cilat nuk janë investime që mund të kenë ndikim direkt në ekonomi”, ka thënë ai.
Infuzion për ekonominë e Kosovës janë dërgesat e diasporës të cilat janë rritur nga viti në vit. Derisa në 2008 ato ishin rreth 963 milionë euro, në vitin 2022 ato kanë kaluar vlerën prej 1.2 miliardë eurosh. Sipas BQK-së, dërgesat e diasporës nga viti 2008 deri më 2022 arrijnë në afro 10 miliardë euro.
Gati 10 vjet investime në autostradë
Por investimet më të mëdha që nga paslufta janë bërë në infrastrukturën rrugore. Këto investime u përcollën me shumë jotransparentë dhe dyshime për keqpërdorim.
Në prill të 2010-s filloi ndërtimi i autostradës e njohur si Rruga e Kombit Morinë – Merdar. Autostrada u ndërtua nga kompania amerikane në konsorcium me atë turke “Bechtel-Enka” dhe u përcoll me shumë akuza dhe dyshime për keqpërdorime.
Kostoja e autostradës u ngrit nga 400 milionë euro për 102 kilometra në 838 milionë për 77 kilometra. Pati akuza për çmimin e lartë që pagoi Kosova për kilometër. Po ashtu, Qeveria ndau edhe 128 milionë shtesë për shpronësimet e tokave private.
Me keqpërdorime të shumta u përcoll edhe projekti për autostradën Prishtinë – Shkup. Qeveria e Kosovës në vitin 2018 ka paguar 53 milionë shtesë për konsorcium “Bechtel-Enka” në emër të vonesave të pagesave për ndërtimin e autostradës “Arben Xhaferi”.
Ndonëse kishte raport nga një kompani që paguhej nga Qeveria e Kosovës për mbikëqyrjen e projektit që dëmi 53-milionësh nuk është real dhe se borxhi ishte vetëm 14 milionë, ky raport ishte shpërfillur. Për këtë ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, e zyrtarë të tjerë janë akuzuar për korrupsion. Rasti është duke u trajtuar në gjykatë.
projekte kanë mbetur ta papërfunduara për një dekadë e gjysmë. I tillë është ndërtimi i rrugës magjistrale Prishtinë – Mitrovicë, i cili as pas 15 vjetësh nuk ka përfunduar. Së fundmi është anuluar edhe tenderi për 11-kilometërshin e fundit të saj. Shkak për këtë janë bërë shkeljet nga kompania e kontraktuar.
E papërfunduar është edhe rruga Prishtinë-Pejë, për të cilën ka pasur pengesa në procesin e shpronësimit.
Kriza kronike energjetike
Kosova vazhdon të përballet me jostabilitet energjetik. Dy termocentralet e vjetruara për këto vite të shtetësisë janë përballur me problemet me rënien e blloqeve.
Qeveria nuk u tregua e aftë që të procedojë më tutje tenderin për termocentralin “Kosova e Re”. Ky projekt i filluar që nga viti 2006 mbeti vetëm në letër. Që nga ajo kohë projekti ishte vonuar fillimisht për shkak të zgjedhjeve të vitit 2007, pastaj për shkak të krizës. U shpenzuan miliona euro për të. Vetëm për këshilltarët ndërkombëtarë të transaksionit u paguan rreth 8 milionë dollarë nga Banka Botërore.
Pas dështimit të parë, dështoi edhe projekti i dytë për ndërtimin e termocentralit. Në mars të 2020-s, kompania “ContorGlobal” u tërhoq nga projekti dhe e paditi Kosovën në Arbitrazh. Marrëveshja ishte nënshkruar në fund të 2017-s për ndërtimin e “Kosovës së Re” me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtonte 1.3 miliardë euro.
Pamjaftueshmëria që prodhimi vendor të mbulojë kërkesat e konsumatorëve ktheu reduktimet edhe në vitin 2022. Varësia nga importi ndikoi që vitin që po lëmë pas në pikë të verës të kthehen reduktimet e rrymës nga 2 deri në 4 orë në ditë.
Shkak për këtë ishin remontet në njësitë e termocentraleve të KEK-ut. Një pjesë të fajit e ka edhe Qeveria. Në shkurt, kur u shqyrtuan tarifat e energjisë, ajo u zotua se do të ndante 90 milionë euro në mënyrë që të mos rritet çmimi i energjisë. Tarifat ndryshuan vetëm për konsumatorët shtëpiakë që shpenzojnë mbi 800 kilovat në muaj. Ata do të paguajnë dyfishin për çdo kilovat që kalon mbi këtë prag.
Situata u stabilizua pas alokimit të mjeteve nga Qeveria. Por, kjo alarmoi qytetarët se i pret një dimër i vështirë. Shumë nga ta filluan që të gjejnë zgjidhje alternative për ngrohje. Por rritja e çmimit të peletit deri në 500 euro për ton dhe e çmimit të druve në 70 euro për metër kub, i la ata pa zgjidhje.
Çmimet u rritën edhe për produktet bazike, pasi inflacioni arriti shifër dyshifrore, duke rënduar edhe më tej jetën e qytetarëve.
Por krahas çmimeve pati rritje të buxhetit të shtetit. Buxheti i vitit 2008 ishte rreth 1.2 miliardë, në vitin 2023 ai është 3.2 miliardë. Derisa vitet e kaluara buxheti i shtetit shpenzohej më shumë për projekte infrastrukturore, viteve të fundit shkaku i pandemisë dhe i politikave qeveritare ato janë përqendruar më shumë më rimëkëmbje ekonomike, duke u ndarë mjete për skema sociale, dhe mbështetje për qytetarët dhe bizneset.