Në kuadër të shënimit të përvjetorit të 23-të të Institutit Riinvest, sot është promovuar libri “Ekonomia e Kosovës” me një grup autorësh, i cili pasqyron ekonominë e pasluftës në Kosovë.
Alban Hashani nga Riinvest, tha se libri krahas koncepteve ekonomike, do t’i shërbej dhe do të jetë dobi prurës për politikëbërësit, gazetarët dhe studentët. Ai shtoi se mbeten të përkushtuar që këtë libër ta përditësojnë në edicionet e radhës në mënyrë që të paraqesë sa më shumë konceptet ekonomike.
“Literatura për ekonomi në gjuhën shqipe është e mangët, edhe për kundër përkthimeve të librave me renome kohëve të fundit, të njëjtit natyrisht përdorin shembuj të huaj për të ilustruar konceptet dhe teoritë ekonomike. Përballë këtij sfondi ne jemi angazhuar që të shkruajmë këtë libër, i cili krahas trajtimit teorik të koncepteve ekonomike, ilustron ato me shembuj nga Kosova. Ne besojmë se ky libër do t’i shërbejë audiencave të ndryshme për të kuptuar këto koncepte ekonomike të kontekstualizuara për rrethanat e Kosovës”, tha Hashani.
Redaktori i librit, njëherësh themelues i Institutit Riinvest, Muhamet Musatafa, tha se misioni i këtij instituti është promovimi i mendimit modern ekonomik i Kosovës në bazë të filozofisë së ndërmarrësisë, dhe të zgjerohen njohurit për ekonominë. Po ashtu sipas tij, qëllim tjetër ka qenë edhe ngritja e debatit për ekonomi.
Ai ka lexuar paragrafin e fundit të librit, i cili sipas tij, përçon mesazhin e përbashkët të 12 autorëve.
“Zbatimi i agjendës së integrimit evropian përfshinë krahas rritjes ekonomike edhe ndërtimin e një ekonomie konkurruese. Por politikat e BE-së të nisura nga strategjia e Lisbonës janë thuaja lineare në aspektin e politikave ekonomike, integruese dhe të stabilitetit makrofiskal, e këto shpeshherë mund të dalin problematike në kushtet specifike, si këto të Kosovës. Në këtë aspekt, rritet përgjegjësia e institucioneve qeveritare që të nxjerrin më të mirën nga BE-ja dhe t’i përdorin edhe këto instrumente për të krijuar një ofertë vendore, me mallra dhe shërbime të tregtuara nga sektorët konkurrues si një rrugë për rritje të qëndrueshme ekonomike bazuar në ofertën vendore dhe rritjen e produktivitetit të bizneseve kosovare”, pohoi profesor Mustafa.
Dekani i Fakultetit Ekonomik në UP, But Deda tha se në libër 14 kapitujt janë trajtuar mirë për studentët dhe vetë përmbajtja ka një rëndësi të veçantë.
“Vërtetë literatura në segmentin e ekonomisë mungon, sistemi i arsimit në kohën moderne, që po quhet ekonomia e dijes, duhet me shkuar në drejtim të dhënies së kontributit që të stimulojë zhvillimin ekonomik të vendit konkret. Mirëpo, ne në realitet kemi shkuar duke dhënë teori të koncepteve të ndryshme për vendet e ndryshme nga ku kemi marrë literaturën, ndërsa studentëve tanë shumë pak i kemi ofruar për atë se çfarë është duke ndodhur në Kosovë dhe si mund t’i zbatojmë teoritë e ndryshme ekonomike në rastet konkrete dhe të stimulojmë zhvillimin ekonomik. Prandaj, ky libër besoj se do t’i kontribuojë në të ardhmen që shumë më afër studentët tanë ta kenë jetën konkrete ekonomike të Kosovës”, ka thënë Deda.
Autorët e librit “Ekonomia e Kosovës” janë: Alban Zogaj, Muhamet Mustafa, Alban Hashani, Lumir Abdixhiku, Petrit Gashi, Besnik Krasniqi, Artane Rizvanolli, Arben Mustafa, Venera Demukaj, Sokol Havolli, Fisnik Reçica dhe Valentin Toçi.