Arbëri

Ekipi mobil vendoset në hapësirat e xhamisë në Pejë, një i vaksinuar brenda tri orëve

Në kuadër të fushatës për vetëdijesimin e popullatës për vaksinim kundër Covid-19, në Komunën e Pejës, të premten ekipi mobil ka qëndruar në hapësirat e xhamisë, në Çarshinë e gjatë të Pejës. Por, interesimi për vaksinim ishte i ulët.

Ekipi mobil i Qendrës së Vaksinimit në Pejë ka vazhduar të premten me vaksinimin në terren, kundër Covid-19.

Kësaj here ekipi ishte stacionuar në hapësirat e Xhamisë në Çarshinë e gjatë të Pejës, bazuar në bashkëpunimin e Ministrisë së Shëndetësisë me Bashkësinë Islame të Kosovës.

Por, interesim për vaksinim nuk pati. Për gati tri orë sa qëndroi aty ekipi, vetëm një qytetar u vaksinua kundër Covid-19. Ai, megjithatë, nuk deshi të prononcohej.

Shefi i qendrës së vaksinimit, Dugagjin Sahatçiu, bëri të ditur se, sipas asaj që i kishin thënë besimtarët, shumica prej tyre tashmë ishin të vaksinuar.

Por, numri i të interesuarve për vaksinim, përgjithësisht, ka pësuar rënie te madhe në Pejë.

“Ndoshta një pjesë e madhe është imunizuar, por një pjesë, ata që hezitojnë, jemi duke u munduar me i inkurajua me u vaksinua me fushata të ndryshme, me ekipe mobile, me gjitha mënyrat po mundohemi”, ka deklaruar Sahatçiu.

Në dy-tri javët e fundit, në Qendrën e Vaksinimit në Pejë, nuk kaloi mbi 100 numri i qytetarëve që vaksinohen brenda ditës kundër Covid-19.

E këtë mosinteresim për vaksinim nuk e kupton njëri prej qytetarëve, i cili pasi doli nga xhamia tregoi se para një viti për pak sa nuk e kishte humbur betejën me Covid.

“Para një viti kam qenë shumë i sëmurë. Dhe mezi kam pritë me marr vaksinën. Jam ndër të parët që e kam marr vaksinë dhe jam vaksinuar me dy vaksinat. E nëse po thonë edhe tretën do ta marr. Se e vetmja armë që është kundër këtij virusi është vaksina. I bëjë apel të gjithëve, gjithëve ju bëjë apel që të vaksinohen”, është shprehur Bujar Gjota.

Në komunën e Pejës deri tash janë administruar mbi 92 mijë vaksina, me të cilat rreth 50 mijë qytetarë janë vaksinuar me nga dy doza.