Arbëri

Edward Joseph: Është e rrezikshme që Serbia të mos mbahet përgjegjëse për sulmin në Banjskë

Hulumtuesi i lartë i institutit Johns Hopkins në SHBA, Edward Joseph, është treguar kritik ndaj bashkësisë ndërkombëtare, meqë nuk e ka mbajtur Serbinë përgjegjëse për sulmin në Banjskë. Ai vuri në dukje standarde të dyfishta presioni, që ndërkombëtarët aplikojnë ndaj Kosovës dhe Serbisë, dhe theksoi se tani është koha për një marrëveshje finale e të detajuar.

Eksperti amerikan për Ballkanin Perëndimor, Edward Joseph, tha se është e rrezikshme që Serbia të mos mbahet përgjegjëse për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

Hulumtuesi i lartë në Institutin Johns Hopkins në Shtetet e Bashkuara, i tha KOËHS se vetë trupat amerikane të KFOR-it do të mund të pësonin në rast se do të përshkallëzonte edhe më tej sulmi.

Ai u tregua kritik ndaj bashkësisë ndërkombëtare, për të cilën tha se po blen kohë, duke mos e mbajtur Serbinë përgjegjëse për sulmin në të cilin u vra polici Afrim Bunjaku.

“Është shumë e rrezikshme të mos i mbash liderët dhe shtetet përgjegjëse për veprimet e tyre. Kjo është një ngjarje shumë e rëndë që ndodhi, e që erdhi prej Serbisë në Kosovë. Serbia duhet të mbahet përgjegjëse”, tha Joseph.

Joseph vuri në dukje standarde të dyfishta presioni, që ndërkombëtarët aplikojnë ndaj Kosovës dhe Serbisë.

“S’kishte hezitim prej Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Evropian për ta mbajtur Qeverinë e Kosovës përgjegjëse dhe që të ketë masa ndaj Kosovës. Pra, s’kishte hezitim për këtë dhe s’duhet të ketë hezitim për ta bërë të njëjtën me Serbinë, as frikë e as iluzione për Aleksandar Vuçiqin”, tha Joseph.

Sipas Joseph-it, tani është kohë ideale për t’i shtyrë Serbinë e edhe Kosovën drejt nënshkrimit të një marrëveshjeje përfundimtare dhe të detajuar.

Ai vlerësoi se emërimi i James O’Brien, ndihmës-sekretar i Shtetit për Çështje Evropiane, mund të shërbejë drejt aktivizimit diplomatik të sektorit të Evropës në Departamentin Amerikan të Shtetit.

“Tash ka fuqi negociuese te SHBA-ja dhe BE-ja e në njëfarë mënyre edhe te Kosova. Tash mund ta drejtpeshojmë, në vend të asaj ku Serbia kishte fuqinë më të madhe negociuese... BE-ja dhe SHBA-ja duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe Jim O’Brien është me të vërtetë zyrtar i pozicionuar në mënyrë perfekte me përvojë që ta bëjë këtë e të lëvizë shumë shpejt”, tha Joseph.

O’Brien ka qenë i përfshirë në shumë negociata pas luftërave në ish-Jugosllavi, përfshirë ato që janë realizuar në Rambuje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Edward Joseph thotë se afrimi i zgjedhjeve në SHBA është me rëndësi dhe se administrata e presidentit Joe Biden s’përfiton gjë duke lënë rreziqe të mëdha në rajon.