Arbëri

Edi Rama paralajmëron mjekët se do t’ua mbajë “peng” diplomat

Largimi i mjekëve dhe infermierëve nga Shqipëria drejt Gjermanisë dhe vendeve tjera të BE-së po vazhdon, ndërsa kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se do t’i mbajë “peng” diplomat e mjekëve dhe infermierëve.

Rama gjatë një takimi me rektorët e universiteteve publike të martën në Tiranë, tha se mjekët dhe infermierët Gjermanisë nuk mund t’ia paguajë populli shqiptar. Ai ka komentuar largimin e të rinjve që përfundojnë studimet në Universitetin e Mjekësisë.

Rama tha se Bashkimi Evropian duhet të gjejë një mekanizëm që t’ia kthejë Shqipërisë investimin. Ai ka thënë se mjekët e sapo diplomuar, fillimisht duhet brenda një fati të caktuar të shërbejnë për disa vjet në Shqipëri dhe pastaj të migrojnë.

“Paguajmë ne, ua bëjmë gati, vjen gjermani kur thoshin filmat, edhe na i merr. Kjo nuk mund të vazhdojë kështu. Kuptohet pra është tregu që vendos, nuk ka diskutim, ne nuk mund t’i ndalojmë. Për fat të mirë, sot nuk kemi mungesë mjekësh në Republikën e Shqipërisë, as mungesë infermierësh, që ta dëgjojnë të gjithë me këtë rast, që mos të dukem sikur po qahem që nuk kemi. Përkundrazi, kemi akoma në listë pritjeje mjekë dhe infermierë që duan të punësohen. Por, Italia sot ka 40 mijë mjekë dhe infermierë mungesë. Ne nuk do të presim të shkojmë në atë stad. Kështu që e para, diplomën e mjekut nuk do t’ua japim sapo ta mbaroni shkollën. Do shkosh njëherë t’ia kthesh popullit tënd atë që ka bërë për ty, pastaj do ta marrësh diplomën e shkosh ku të duash, sipas afateve të caktuara”, tha Rama.

Rama ka thënë se disa nga studentë të shkëlqyer kanë nënshkruar kontratë për të studiuar në universitete më të mira të Evropës dhe nuk janë kthyer më për të kontribuar në atdheun e tyre, porse kjo nuk duhet të vazhdojë.

“Nuk mundet që Gjermania të marrë mjekë dhe infermierë ndërkohë që vendi ynë paguan për ta”, tha Rama. “E dimë shumë mirë se si në shumë vende, mjekët që janë standardi më i lartë i shërbimit human, nuk i marrin diplomat menjëherë, por duhet të tregojnë dhe që janë të zotë tu shërbejnë njerëzve përveç se të japin provime, se nuk mund të vazhdojë kjo histori kështu. Ashtu sikundër, do vazhdojmë siç kemi filluar betejën në nivel ndërkombëtar në komunitetin e ri politik evropian, për pjesën që fola për universitetet, do vazhdojmë të kërkojmë mbrapsht të na e kthejnë investimin. Duan t’i marrin në Gjermani, t’i marrin, por duhet të kthejnë investimin. Nuk mund të paguajë populli shqiptar për mjekët e Gjermanisë. E nuk është vetëm Gjermania se ka dhe vende të tjera. E kam fjalën që Bashkimi Evropian, duhet të gjejë formën që të kthejë diçka”.