Institucionet parashkollore me fëmijët e moshës nga 0-5 vjeç, do të punojnë me plan-program të ri nga kurrikula, e cila është miratuar nga Ministria e Arsimit.
Por, ky dokument po konsiderohet tejet akademik, përtej mundësive reale të mësimnxënies për fëmijët e kësaj moshe, raporton KTV.
Për më shumë, kurrikula do të vërë në sprovë edhe edukatoret e çerdheve, për të kuptuar dhe transmetuar pjesë të programit edukativ te këto grupmosha.
Për këtë arsye, Kolegjiumi i drejtorëve të institucioneve parashkollore po e kundërshton dokumentin në fjalë.
Edhe nga shoqëria civile thonë se ky dokument është profesionalisht i mangët dhe i padobishëm për sistemin e arsimit parashkollor.
Sipas tyre, ministri Shyqiri Bytyqi, tinëzisht, ka miratuar këtë kurrikulë, duke mos i marrë fare për bazë rekomandimet e dala nga diskutimet publike lidhur me çështjen.
Kundër kësaj kurrikule janë edhe zyrtarë të vetë institucionit që e ka miratuar atë.
Televizioni ka pyetur edhe zyrën e ministrit të Arsimit Shyqiri Bytyqi, se a do t’i marrë për bazë shqetësimet dhe kundërshtimet e ngritura ndaj këtij dokumenti, por nuk ka marrë përgjigje.