Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka nënshkruar të martën marrëveshjen e re edhe për katër vjet tjera të bashkëpunimit me Komunën e Plavës, të Gucisë dhe të Qarkut të Shkodrës për të vazhduar menaxhimin e shtegut për ecje ndërkufitar “Majat e Ballkanit”, të njohur tashmë në mbarë botë si “Peaks of the Balkans”.
Projekti parasheh promovimin dhe përmirësimin e cilësisë së infrastrukturës përgjatë shtigjeve të ecjes, që shtrihen në bjeshkët e zonës të trekëndëshit kufitar Shqipëri - Kosovë - Mali i Zi dhe i cili përkrahet edhe nga organizata qeveritare gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar-GIZ, Grupit të Përhershëm Rajonal i Punës për Zhvillimin Rural-SWG, si dhe të komunës së Pejë, Plavës, Gucisë dhe Qarkut të Shkodër, në fuqizimin e ofertës turistike rajonale.
“Kjo marrëveshje është ripërtrirje e marrëveshjes që ka qenë. Komuna e Pejës ka përgjegjësinë me mirëmbajt shtegun në pjesën e Kosovës dhe një herë në vit e paguan mirëmbajtjen e uebfaqes ‘Peaks of the Balkans’, pasi secila komunë e ka një vit pagesën e mirëmbajtjes së kësaj uebfaqe”, i tregoi KOHËS shefi i sektorit komunal të turizmit, Virtyt Morina, obligimin që ka Komuna për këtë projekt.
Ndërkohë, me financim të GIZ-it gjerman ka nisur edhe rishënjimi i shtigjeve në tri anët e kufirit nga shoqata bjeshkatare “Marimangat” e Pejës. Shenjat tashmë kishin nisur të zhduken.
“Gjithashtu komunat kanë rënë dakord për bashkëfinancim me nga një mijë euro për me i ble disa shtange për vendosjen e materialit promovues dhe për kontaktim për turistë. Në këto tri shtete është komplet infrastruktura e rregulluar, përfshirë edhe shtëpitë akomoduese në të tri anët e kufirit dhe vendet për transport të turistëve”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, ky është ndër projektet më të suksesshëm në Ballkan.
“Janë deri në 20 mijë turistë vendorë e të huaj në vit që ecin këtyre shtigjeve në tri anët e kufirit”, ka deklaruar më tej ai.
“Majat e Ballkanit” ka shlyer nga harta barrierat e vijat kufitare mes tri vendeve fqinje, të cilat nuk vlejnë për turistët që duan të shfrytëzojnë shtegun e gjatë 192 kilometra në trekëndëshin kufitar, që ngjitet nga Gryka e Rugovës mbi Çakorr dhe lëshohet deri në Plavë e Guci në njërën anë dhe tjetrën anë deri në Theth dhe Lugun e Valbonës dhe ngjitet në Bjeshkët e Deçanit dhe përfundon në Pejë.
E i gjithë ky projekt kishte nisur para më tepër se dhjetë vjet si një ide e bjeshkatarëve për promovimin e natyrës magjepse, diversitetin e gjerë biologjik dhe kulturat e popujve në këtë zonë malore, edhe me mendimin e zhvillimit të turizmit malor dhe rural në vargmalet dhe vendbanimet e shtrira përgjatë bjeshkëve ndërkufitare të alpeve shqiptare, duke pas parasysh edhe mundësinë e krijimit të burimeve të qëndrueshme financiare për popullatën autoktone në zonat malore. Këtë ide fillestare e jetësuan në projekt Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi të titulluar “Peaks of the Balkans”.
Projekti i përbashkët i tri vendeve fqinje filloi realizmin në vitin 2010, kur përfaqësuesit e komunës së Pejës, Shkodrës dhe Plavës, në përkrahje dhe marrëveshje të tri qeverive qendrore, filluan identifikimin për shënjimin e shtegut të gjatë rreth 200 kilometra, që dikur ishin rrugë të vjetra të karvanëve dhe që ndërlidhin të gjitha bjeshkët dhe vendbanimet në zonat malore tre-kufitare. Kurse për jetësimin e projektit në praktikë, projekti u përkrah financiarisht në realizimin e tij nga Qeveria gjermane dhe u zbatua nga organizata gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar “GIZ”, e cila mundësoi shënjimin dhe përcaktimin e pikave me GPS në shtigjet e ecjes, si dhe trajnimet e popullatës që jetojnë përgjatë tërë shtegut, shtëpitë e të cilëve janë shndërruar në hapësira akomodimi për zhvillimin e turizmit rural. Ky projekt i kishte rënë në sy edhe organizatës botërore të turizmit, WTTC - World Travel and Tourism Council.
“Majat e Ballkanit” u përfshinë në garën botërore si projekt inovativ për turizmin e të nesërmes të mbajtur në vitin 2013 në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, në Abu Dabi, ku ky projekt fitoi çmimin e parë në botë, në mesin e 46 shteteve garuese të gjashtë kontinenteve, me projekte të ngjashme inovative për turizmin e të nesërmes.
“Ai çmim ka ndikuar shumë në popullaritetin e këtij projekti dhe joshjen e turistëve nga mbarë bota. Dhe në gjithë botë janë mbi 50 operatorë turistikë që e ofrojnë si produkt turistik ‘Majat e Ballkanit’, që tash e njeh krejt bota, e dinë që ekziston dhe ky shteg ka hy në mesin e shtigjeve më të njohura botërore për ecje malore. Ky projekt ka ndikuar shumë edhe në numrin e turistëve të huaj që vijnë. Diku 40 për qind e turistëve në Pejë janë të huaj dhe gjysma e tyre vijnë për këto shtigje. Janë diku gjashtë mijë turistë në vit që vijnë në Pejë vetëm për këto shtigje”, ka thënë Morina.
Madje, sipas kryetarit të “Marimangave”, Nol Krasniqi, deri në 20 mijë turistë në vit ecin këtyre shtigjeve në tri anët e kufirit.
Në kuadër të projektit “Majat e Ballkanit”, që ka identifikuar përbrenda shtegut ndërkufitar edhe vendet më interesante për turizëm malor dhe ekoturizëm, ishte jetësuar edhe iniciativa “Shija e Majave të Ballkanit”, për promovimin e ushqimeve tradicionale malore dhe shfrytëzimin e produkteve lokale, për çka organizata gjermane për zhvillimin e turizmit “AGEG TSC”, në bashkëpunim edhe me Federatën gjermane të Alpinistëve, e cila ka trajnuar edhe udhërrëfyes malorë, në vitin 2014 kishte nisur edhe me certifikimin e biznese që zhvillojnë turizëm familjarë në pjesët malore.
{gallery}