Arbëri

Edhe pas përgjigjes së BE-së, Kurti insiston që anëtarësimi në bllok të ndahet nga dialogu

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka insistuar që procesi i anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian (BE) duhet të ndahet nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë në kuadër të dialogut.

Kurti ka vlerësuar se për shkak të destruktivitetit të Serbisë nuk duhet të pësojë Kosova.

Për zgjedhjet në veri Kurti ka thënë se duhet të respektohet aspekti ligjor ndërsa për ato nacionale ka thënë se dy muaj i bën 3 vjet të mandatit si kryeministër e jo 4.

Kurti këto komenti i bëri gjatë vendosjes së gurëthemelit për ndërtimin e Qendrës Rezidenciale për persona të moshuar në Podujevë.

Kreu i ekzekutivit në një konferencë për media pas samitit “Ballkani Perëndimor takon BE-në të mbajtur në Shkup më 22 janar deklaroi se këto dy procese duhet të jetë të ndara ndërsa Bashkimi Evropian të enjten (dje) i është kundërpërgjigjur Kurtit duke thënë se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është e lidhur me rrugën e Kosovës drejt procesit të integrimit në bllok.

“Marrëdhëniet e mira fqinjësore, pajtimi dhe marrëdhëniet normale janë gurët e themelit të procesit të anëtarësimit në BE për çdo aspirant për anëtarësim në BE. Kjo është edhe ligjërisht e ankoruar në dokumentet përkatëse të lidhura me procesin e anëtarësimit të Kosovës, Serbisë dhe të gjithë të tjerëve. Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij kanë qenë të qartë – publikisht dhe drejtpërdrejt me partnerët, se rruga e BE-së e Kosovës dhe Serbisë udhëhiqet përmes dialogut për normalizim (shih, ndër të tjera, konkluzionet e mëparshme të Këshillit më 2013, 2014, 2015, 2018, 2019, 2021; 2022; korniza negociuese e Serbisë dhe komunikimi i këtij viti për zgjerimin si dhe raportet e Kosovës dhe Serbisë)”, thuhet në përgjigjen e BE-së për KOHËN.

BE-ja ka paralajmëruar se si Kosova, ashtu edhe Serbia, rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në rast se mungon progresi në dialog.

“Siç thuhet në dokumente të shumta zyrtare të BE-së dhe së fundmi në konkluzionet e Këshillit të 12 dhjetorit 2023, normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i zotimeve të dialogut janë kushte thelbësore për rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të progresit”, thuhet tutje në përgjigjen e BE-së.