Arbëri

Edhe nëse s’funksionalizohet sistemi ETIAS, liberalizimi pritet të ndodhë më 1 dhjetor 2023

Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), ka mbajtur debatin e hapur me titull “Liberalizimi i vizave për Kosovën: Fillimi i fundit”.

Në këtë debat është diskutuar disponimin në Bruksel dhe në vendet anëtare për procesin e liberalizmit të vizave si dhe është analizuar rrugën e mbetur e Kosovës në këtë proces

Gjatë këtij diskutimi gazetarja e RTK-së, Gjeraqina Tuhina dhe ai i Grupit KOHA, Augustin Palokaj, kanë prezantuar analizën e tyre mbi procesin e liberalizimit të vizave të titulluar “Liberalizimi i vizave për Kosovën: Finalja e Madhe”.

Sipas kësaj analize procesi i liberalizimit të vizave ka hyrë në fazën përfundimtare. “Pas mbështetjeve të vazhdueshme dhe të fuqishme të Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian, diskutimet më në fund kanë nisur edhe në Këshillin e BE-së, aty ky procesi kishte ngelur për vite. Në nivelet më të larta të BE-së dhe të vendeve anëtare është shprehur mbështetje për vendimin i cili do të përmbyllte procesin dhe listës së vendeve qytetarët e të cilave nuk do të kenë nevojë për viza për të udhëtuar në vendet e BE-së, dhe në vendet tjera të zonës Schengen, do ta shtonte edhe Kosovën”, thuhet në këtë analizë.

Sipas analizës me këtë do të ndërpritet ajo që me të drejtë qytetarët e Kosovës e kanë konsideruar si padrejtësi dhe diskriminim ndaj tyre.

Tuhina në prezantimin e analizës ka thënë se lufta në Ukrainë, agresioni rus si dhe plotësimi i kritereve, kanë shtyrë përpara procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Në sytë tanë rreziqet eventuale kanë pas me ndonjë lidhje jo formale të liberalizimit me procesin e dialogut dhe jo asaj që ndodhi më vonë. Çfarë ndodhi më vonë ishte 13 tetori dhe fjala ETIAS ishte fjala më e kërkuar në Kosove në Google. Diçka e papritur po jo e palogjikshme”, ka theksuar ajo, raporton Ekonomia Online.

Sipas saj edhe nëse sistemi ETIAS nuk funksionalizohet deri më 1 nëntor të vitit që vjen, kosovarët e kanë 1 dhjetorin si afat të fundit kur do ta gëzojnë lirinë e lëvizjes. ETIAS është një sistem i ri i cili pritet të vihet në funksion nga BE-ja, ku qytetarët e shteteve që kanë liberalizim të vizave duhet të regjistrohen para se të udhëtojnë. Një regjistrim pastaj do të ishte i vlefshëm për tre vjet.

Tuhina ka theksuar se grupi punues i Këshillit të BE-së pritet të takohet më 16 nëntor, ku do të procedojë dokumentin për liberalizimin e vizave.

“Tani kjo është në procedurë të heshtur ... nëse deri të mërkurën as një shtet nuk ka vërejtje teksti konsiderohet i miratuar”, ka theksuar Tuhina.

Gazetari i grupit KOHA, Augustin Palokaj, ka deklaruar se nuk beson që dialogu ka qenë pengesë për liberalizim të vizave.

“Nuk besoj që liberalizimi ka qenë i lidhur me dialogun. Unë jam i bindur që demarkacioni nuk ka qenë fare i lidhur me liberalizim, por është përdorur. Këtë e pamë kur ndodhi demarkacioni dhe nuk ndodhi liberalizimi. Dialogu nuk ka ndikim, por tensionet si pasojë e dialogut mund të kenë ndikim tek të huajt. Nëse kalon propozim i grupit punues atëherë kjo do të hyje në fuqi me 1 dhjetor të viti tjetër”, ka deklaruar Palokaj.

Sipas tij pengesë mund të jetë ndonjë tensionim i mundshëm i situatës në veri, që do të mund të shkaktonte rrezik potencial për migrim masiv nga Kosova.

“Tash duhet të kemi kujdes pasi dialogu si dialog nuk është i lidhur por tensionet në Kosovë që mund të jenë tensione për shkak të dialogut mund të ndikojnë tek mënyra e të menduarit tek njerëzit në Evropë dhe ata mund të thonë se nëse mund të ketë tensione mund të ketë edhe largim të qytetarëve dhe rrezik potencial për migrim masiv nga Kosova”.

Shefja e kabinetit e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Jeta Tela, ka thënë se kjo ministri ka pasur bisedime të rregullta për çështjen e procesit të liberalizimit të vizave me shtete anëtare e sidomos me Francën. Sipas saj në takimet e përbashkëta me zyrtarë të Ministrisë së Brendshme të Francës i kanë diskutuar hezitimet që ata kanë pasur në raport me Kosovën.

“Kemi vazhduar me takime në vazhdimësi gjatë këtyre muajve. Kemi pasur edhe një delegacion nga Franca. Aty u diskutua rëndësia për ta shtyrë përpara liberalizimin e vizave”, ka theksuar ajo.

Ndërsa Demush Shasha, drejtor ekzekutiv i Institutit EPIK, ka thënë se pengesë për liberalizimin e vizave ka qenë dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë, konsensusi politik si dhe sundimi i ligjit.

“Çfarë mund të na shërbej liberalizimi i vizave që të nxjerrim disa mësime që do të aplikohen në procesin tonë integrues që do të na përcjellin për anëtarësim në BE. E para, procesi i liberalizimit të vizave sikur se agjenda integruese, që në zanafillë të saj ka qenë e lidhur me dialogun. E dyta, kush ka qenë problemi për liberalizim. Në vitin 2016, nuk ka qenë problem demarkacioni””, është shprehur Shasha.

Në grupin punues për vizat në Bashkimin Evropian, të enjten e kaluar, është arritur kompromis që vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën të merret së shpejti. Kjo mund të ndodh edhe para fundit të këtij viti. Por hyrja e tij në fuqi do të caktohet për datën 1 nëntor të vitit 2023. Në vendim pritet të përfshihet edhe hyrja në fuqi e sistemit ETIAS, po me këtë datë.

Organet e Këshillit të BE-së pritet që në ditët në vijim të përmbyllin procedurat që do të çojnë deri te vendimi përfundimtar për liberalizimin e vizave për Kosovën, me synimin që të hyjë në fuqi prej 1 nëntorit të vitit 2023.