Ministria e Arsimit ka vendosur që edhe këtë vit të subvencionojë prindërit për blerje të librave. Kjo formë është kritikuar nga komunat dhe nga opozita. Në të kaluarën Ministria e Arsimit ua shpërndante nxënësve librat në shkollë
Të hënën fillon viti i ri shkollor 2024-2025, ku shumë nxënës do të ulën nëpër banka për herë të parë.
Por ky vit i ri shkollor do të jetë më ndryshe në pesë shkolla në kryeqytet.
Pas shumë premtimeve më në fund do të nisë mësimi tërëditor në pesë shkolla: “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa”, “Shkolla e Gjelbër”, “Nazim Gafurri” dhe “Qamil Batalli.
Mësimi nuk do të kufizohet vetëm në libra dhe në teori, por do të ketë aktivitete praktike, lojëra edukative, rekreacion e kulturë e më shumë edukaët fizike.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu, në një video promovuese të postuar në Facebook ka treguar, po ashtu, se nxënësve do t’iu shërbehet ushqim i ngrohtë dhe me vlera ushqyese nga Kuzhina Qendrore.
E problemet me tekstet shkollore i kanë përcjellë prindërit edhe sivjet.
Lushaku ka vlerësuar se forma e subvencionimit në formën siç është i çon prindërit në hamendësim.
Por ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar të shtunën se shkollat janë gati për nisjen e vitit të ri shkollor më 2 shtator.
Ajo ka shkruar, po ashtu, se subvencionimi i prindërve po vazhdon.
“Kanë aplikuar gjithsej 203.407 prindër ose kujdestarë ligjorë për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore. Ndërkaq janë subvencionuar gjithsej 201.120 aplikues. Procesi i transferimit të mjeteve është duke vazhduar, po ashtu platforma për aplikim po qëndron e hapur”, ka shkruar ajo të shtunën.
Ndërkohë, kritika për ekzekutivin lidhur me trajtimin e mësimdhënësve ka bërë të dielën kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Haradinaj ka shkruar në Facebook se ky vit shkollor po nis pa shkëlqim, meqë tha se nxënësit përballen me kushte të rënda të mësimit dhe mësuesit me paga të padinjitetshme.
“Çdo fillim shtatori, ka qenë festë për mijëra nxënës, mësues dhe prindër, e sot nuk është gjë tjetër përpos një ditë e zakonshme që shënon veç fillimin e një viti të mundimshëm shkollor. Nxënësit, probleme me tekstet shkollore e me kushtet e rënduara të mësimit, mësuesit me paga nën dinjitetin e tyre e prindërit me dilemën e madhe se çka përfitojnë fëmijët e tyre nga ky sistem arsimor. Institucionet prestigjioze ndërkombëtare, e rendisin Kosovën në fundin e tabelës për sa i përket cilësisë në arsim, ndërsa statistikat flasin për mijëra nxënës e studentë, që brenda 2-3 viteve të fundit e kanë braktisur shkollën e Kosovën”, ka shkruar ai.
Ministria e Arsimit është kritikuar shumë për vendimin për subvencionimin për blerjen e librave nga vetë prindërit.
Në disa komuna siç janë Kaçaniku dhe Hani i Elezit, të cilat nuk kanë librari, prindërit detyrohen që të shkojnë në Ferizaj apo në kryeqytet për t’u pajisur me tekste shkollore.
Zyrtarët e këtyre dy komunave kanë thënë se kërkesa e tyre për librari mobile nuk është përkrahur nga Ministria e Arsimit.