Arbëri

E-shkolla dhe e-biblioteka mbesin “muzikë” e së ardhmes për shkollat e Pejës

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Në kushte normale dhe pa pandemi, të martën, më 1 shtator, do të kishte filluar viti i ri shkollor. Tani, për shkak të përgatitjeve për krijimin e kushteve të sigurta për nxënës dhe mësimdhënës në kohë pandemie, është shtyrë për dy javë. Mirëpo, edhe pas dy jave kur pritet të nisë mësimi, nxënësit në shkollat e Komunës së Pejës nuk do ta kenë të digjitalizuar sistemin edukativo-arsimor përmes platformave e-shkolla dhe e-biblioteka, ashtu siç kishte premtuar kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale në vjeshtë të vitit 2017.

Deri tash projekti i digjitalizimit për krijimin e sistemit e-biblioteka dhe e-shkolla nuk ka nisur dhe nuk është prezantuar ndonjë plan apo projekt për të, edhe pse drejtori i Arsimit, Besim Avdimetaj, thotë se ka një plan.

“Ta heqim një herë këtë virus se do t’i bëjmë digjitale të gjitha shkollat. Planin e kemi dhe me atë plan së pari do ta digjitalizojmë komplet një shkollë në një fshat që është në përfundim ndërtimi i saj. Njëherë do ta nisim si pilot-projekt digjitalizimin e njërës shkollë e pastaj do t’i digjitalizojmë shkollat e tjera nëpër fshatra. Por aktualisht më rëndësi është që të nisim njëherë mësimin dhe të zhduket ky virus që na ka bllokuar”, thotë Avdimetaj.

Por ai nuk tregoi se cila shkollë dhe në cilin fshat është ajo shkollë që së pari do të digjitalizohet. Në anën tjetër, edhe nëse ka një plan për digjitalizimin e së paku një shkolle, nuk dihet se me cilat mjete do të bëhet kjo gjë, pasi Komuna nuk ka asnjë cent të planifikuar në planin e saj buxhetor në asnjërën Kornizë Afatmesme Buxhetore të viteve të kaluara e as në atë aktualen për vitet 2021-2023.

Mosndarjen e mjeteve për këtë projekt e ka konfirmuar edhe drejtori i Financave, Jeton Abazaj. “Nuk ka mjete të ndara apo të planifikuara për këtë projekt të digjitalizimit të shkollave”, thotë ai... (Më gjerësisht lexoni në KOHA Ditore)