Bazuar në projektimin e ri të rrugës “Xhorxh Bush” në kryeqytet, zona e qarkullimit të këmbësorëve do të jetë në mes e anash do të mund të lëvizin autobusët, taksitë dhe autoambulancat. Qytetarët dhe ekspertët e komunikacionit vlerësojnë se ky projektim është i rrezikshëm për këmbësorët
Me rrezik për këmbësorët është vlerësuar nga ekspertët projektimi i ri i rrugës “Xhorxh Bush” në qendër të kryeqytetit. Projekti i kësaj rruge parasheh që zona e qarkullimit të këmbësorëve do të jetë në mes e anash do të mund të qarkullojnë autobusët, taksitë dhe autoambulancat.
Eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti, ka thënë se do të ishte mirë që autobusët dhe mjetet e tjera të lëviznin në mes dhe jo këmbësorët, meqë, sipas tij, kjo përbën rrezik.
“Kemi qenë ithtarë dhe është në pyetje siguria e qytetarëve, e njerëzve dhe këmbësorëve, kryesisht që korsitë rrugore apo shfrytëzimi i korsive rrugore nga transporti publik të bëhet në mes e jo në anën e majtë apo të djathtë”, ka deklaruar Ahmeti.
Të rrezikshëm lëvizjen nëpër mes të rrugës e kanë vlerësuar edhe qytetarët që frekuentuan andejpari gjatë ditës së premte.
“Është e rrezikshme, qysh nuk është e rrezikshme, ajo është e rrezikshme gjithmonë, një kerr nëse qarkullon në këtë rrugë ti nuk guxon me dalë në rrugën në mes”, u shpreh njëri prej tyre.
E një tjetër kalimtar ka propozuar që të shmanget ky kombinim. Ai ka kërkuar që ose të mbyllet, ose duhet të lejohet për qarkullim.
“Kështu është një zgjidhje gjysmake, mendoj nuk çon askund”, ka thënë një qytetar që po kalonte rrugën.
Ndërsa, një qytetar e vlerësoi të kundërtën. Sipas tij, është mirë që rruga është hapur dhe, siç ka theksuar ai, “nuk është e rrezikshme, por duhet me pasë kujdes”.
Mirëpo, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, ka theksuar se vozitësit e autobusëve dhe taksive do të jenë të kujdesshëm sepse, sipas tij, kufizimi i shpejtësisë që është vendosur është 20 kilometra në orë.
“Të mos harrojmë, ne gjithmonë po themi edhe sot, edhe projektin që e kemi implementuar është produkt i asaj që këmbësori është primar, andaj shoferët duhet të jenë të kujdesshëm, ndërsa pjesa e sheshit edhe për këmbësorë mundet lirisht me u shfrytëzu”, ka thënë Musliu.
Komuna e Prishtinës ka bërë marrëveshje me Policinë, me qëllim që të koordinohen gjatë dy muajve në vijim për t’u kujdesur rreth mbajtjes së rendit në rrugën “Xhorxh Bush”, derisa ngasësit e automjeteve të përshtaten me projektimin e ri të qarkullimit.