Në këto ditë të nxehta, kur temperaturat arrijnë deri në 37 gradë celsius, 12 familje në rrugën Milazim Petrova të Lipjanit, përballen me kundërmim të fekaleve.
Shkaku i problemeve pronësore, këto shtëpi që janë ndërtuar viteve të fundit, ende nuk e kanë të instaluar rrjetin e kanalizimit, raporton KTV.
Të vështirë e cilësojnë gjendjen banorët, të cilët kërkojnë që komuna të intervenojë dhe ta rregullojë infrastrukturën.
Sipas banorëve, zyrtarët komunalë kanë dal vetëm një herë për ta parë gjendjen nga afër.
Në Komunën e Lipjanit thonë se tashmë çështja pronësore është zgjidhur dhe procedurat tenderuese kanë përfunduar.
Sipas drejtorit të Shërbimeve Publike, brenda pak ditësh do të nisin punimet në instalimin e rrjetit të kanalizimit në këtë lagje, por edhe në disa pjesë të tjera.
Rregullimi i rrjetit të kanalizimit, Komunës së Lipjanit do t’i kushtojë 100 mijë euro.