Shtetasja ruse, Svetlana Timofoeva, e arrestuar me datë 20 gusht të vitit 2022 në Shqipëri, nën dyshimin për spiunazh ka refuzuar të pranojë me dëshirë kthimin në Rusi.
Në mesin e dhjetorit të vitit 2022, Rusia i kërkoi zyrtarisht Shqipërisë ekstradimin e 33-vjeçares, Svetlana Timofoeva, ku ministria e Drejtësisë në Shqipëri e ka kaluar më pas kërkesën për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Përgjithshme dhe kjo e fundit prokurorisë së Elbasanit që ka nën hetim shtetasen ruse Svetlana Timofoeva.
“Nuk dëshiroj të ekstradohem për në Rusi, pasi unë rrezikoj që t’i nënshtrohem dënimeve të tjera për veprime që nuk janë shkelje të ligjit, por që ndaj meje do veprohet në këtë mënyrë. Unë kam qenë kundër sulmit rus në Ukrainë. Në lidhje me qëndrimin politik të Putinit mbi luftën në Ukrainë unë kam dalë hapur kundër në rrjetet sociale”, thotë Timofoeva në intervistën e dhënë prokurorëve në Elbasan.
Svetlana Timofoeva kur është intervistuar për çështjen e ekstradimit ka thënë se Rusia e kërkon në bazë të një vendimi gjyqësor, por ajo nuk ndjehet e sigurt në shtetin rus, pasi ky shtet kërkon ta dënojë për një çështje ku ajo ka qenë veçse dëshmitare.
“Ekstradimi im në Rusi do të pasohet me persekutimin tim për shkak të bindjeve të mia sociale, politike, përkatësisë kombëtare, respektimit të ndarjes ndërmjet pushteteve. Unë nuk jam e sigurt në shtetin rus pasi kërkon të më dënojë për një çështje ku unë jam vetëm dëshmitare”, ka pohuar Timofieva.
Por, të njëjtin pretendim si të Svetlana Timofoevas ka dhënë në prokurori dhe gjykatë edhe shtetasi tjetër rus i arrestuar, Mikhail Zorin, pavarësisht se ndaj këtij të fundit nuk ka kërkesë për ekstradim.
Zorin, ka pretenduar në Gjykatën e Apelit në Durrës në shtator të vitit kaluar kur është shqyrtuar masa e sigurisë se ishte mbështetës i opozitarit rus të burgosur Alexei Navalny.
Ndërkohë që në kërkesën e ekstradimit, thuhet se Svetlana Timofoeva në vitin 2018 është përfshirë në vjedhjen e dokumenteve sekrete shtetërore, nga një institucion rus, për të cilin nuk jepen detaje të tjera.
Megjithëse në kërkesë, specifikohet se kjo vepër penale është kryer në vitin 2018, urdhër-arresti është lëshuar vetëm disa ditë pas arrestimin në Shqipëri të Svetlana Timofoeva, bashkë me Mikhail Zorin dhe Fedis Alpatov. Kërkesën e ekstradimit të Rusisë do ta shqyrtojë Gjykata e Elbasanit, ku prokuroria pranë kësaj gjykate i ka nën hetim shtetasen ruse, Svetlana Timofoeva me bashkëkombësin e saj, Mikhail Zorin dhe ukrainasin, Fedis Alpatov. Pas mbërritjes së kërkesës për ekstradim, grupi i hetimit në Prokurorinë e Elbasanit ka bërë të ditur se Federata Ruse po tenton me çdo kusht të shpëtojë nga dënimi në Shqipëri, Svetlana Timofoeva, ku sipas prokurorëve, kjo kërkesë e Rusisë për ekstradimin e Svetlana Timofoeva tregon rëndësinë që ajo ka tek ata të cilët e dërguan me mision spiunazhi në Shqipëri, duke i rënduar njëherësh pozitën e saj, ku janë shtuar dyshimet se Timofoeva është vënë në shërbim nga shërbimi sekret ushtarak rus, GRU.
Por refuzimi i papritur i Timofievas për t’u ekstraduar në vendin e saj ka bërë që hetimet të marrin një kthesë të papritur.
Svetlana Timofoeva, mbahet në burgun e grave 325 të Tiranë, por për një periudhë tre mujore ajo ka qëndruar në spitalin e burgut.
Gjykata e Elbasanit me 24 gusht ka lënë në burg dy shtetasit rusë dhe një ukrainas që u arrestuan nën dyshimet për spiunazh në uzinën ushtarake në Gramsh. Nga katër akuza të ngritura nga ana e prokurorisë, gjykata bëri me dije se ndaj rusëve të dyshuar për spiunazh janë referuar dy vepra penale, pikërisht ai i “sigurimit të informatave” dhe “goditje për shkak të detyrës”.
Prokuroria e Elbasanit ka parashtruar para gjykatës se që nga marrja në pyetje e tyre deri në këtë fazë të hetimit, organi i akuzës ka baza të arsyeshme të të dhënave që krijon dyshimin e bazuar në prova se ata “kanë ardhur në Shqipëri me mision të rekrutuar nga shërbimet e inteligjencës ruse me detyra të përcaktuara”.
Avokatët e tre të akuzuarve për spiunazh këmbëngulin se prokuroria nuk ka sjellë asnjë provë ndaj të ndaluarve dhe se ata nuk mund të mbaheshin në burg mbi bazë të një dyshimi pa prova.
Sipas tyre pretendimi i prokurorisë mbi mjetet e sekuestruara, laptopë dhe aparate fotografike nuk qëndronte, pasi ato ishin mjete në përdorim të gjerë.
Avokatët pretendojnë se të ndaluarit janë studentë dhe blogerë dhe ndaj tyre “nuk kishte asnjë fakt penal”. Ndërkohë që hetimet për këtë incident të rëndë, vlerësuar si sulmi i parë i Rusisë në një vend të NATO-s, vijojnë nga ana e Prokurorisë së Elbasanit.