Arbëri

E Diela me Kohën Ditore i kushtohet ngecjes së Kosovës në Raportin e Progresit

Mungesa e përparimit të Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian, është tema kryesore e së dielës në “Koha Ditore”.

Ngecjet e identifikuara në raportin 119-faqesh të Komisionit Evropian shpalosen në shkrimin “Pa progres”.

Mungesa e luftës efikase kundër krimit të organizuar e korrupsionit, ndikimet politike në gjyqësor dhe politizimi i administratës, janë disa prej gjetjeve të “Raportit të Progresit”, të cilat shtjellohen po ashtu në shkrimin kryesor.

Leonora Kryeziu nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike flet për bllokadat ndërmjet institucioneve dhe pasojat që mund t’i shkaktojnë ato rrugës evropiane të Kosovës.

Reportazhi i kësaj jave ju sjell një anë interesante të kosovarëve dhe lidhjes së tyre me Bashkimin Evropian, duke nisur nga emërtimi i bizneseve dhe i njerëzve.

“Dashuria që lindi në ballkonet e karantinës”, mban titullin shkrimi interesant në faqet e botës, i cili tregon romancën ndërmjet fqinjëve në kohën e izolimit.

Për teatrin e kukullave dhe aktoren Roza Berisha mund të lexoni në rubrikën e kulturës.

Kurse filigranisti Nrecë Gjini nga Prizreni dhe puna 40-vjeçare e tij vijnë në monument.

Historisë së futbollistit Qëndrim Zyba dhe shkëlqimit të tij pas lëndimit që ia rrezikoi karrierën i kushtohen dy nga faqet e sportit.

Përveç këtyre, në mbi 60 faqet e gazetës mund të lexoni shumë artikuj të tjerë të veçantë nga vendi dhe bota.