Zgjedhjet në SHBA dhe ndikimi që ato do ta kenë në botë trajtohen gjerësisht këtë javë në edicionin e së dielës të Kohës Ditore.
Në tekstin e titulluar “Bota në ethet zgjedhore’’ shtjellohet efekti i këtyre zgjedhjeve në fatin politik të SHBA-së në katër vjetët e ardhshme, “dëmi historik’’ i Trumpit dhe udhëkryqi në të cilin gjendet ky shtet.
Këtë të diel lexoni për rëndësinë e tre nëntorit, si për amerikanët ashtu edhe për Kosovën.
Në intervistë, eksperti amerikan Daniel Serwer tregon se përse këto zgjedhje janë historike për amerikanët, çka e ka karakterizuar fushatën e sivjetme dhe çfarë ndikimi do të kishte fitorja e Bidenit në këto zgjedhje.
Nga rubrika e Botës lexoni për Kinën si ngadhënjimtaren jopopullore të vitit mbi koronavirusin. Se si ky shtet ka vënë nën kontroll virusin dhe se si e ka kthyer ekonominë në shtegun e rimëkëmbjes.
Nga Kultura lexoni për këngëtaren, kompozitoren e multi-instrumentalisten, Linda Rukaj, që është në kërkim të vazhdueshëm të thellësisë së tingujve.
Kuzhinieri emblemë i Ferizajt, Ilaz Neziri, vjen në rubrikën “Monument’’, ku rrëfen për përvojën e gjatë të tij me kuzhinën dhe për vitet e krizës sociale në vend, gjatë së cilës kohë shërbeu si kuzhinier.
Sporti vjen me rrugëtimin e Gledi Micit që pas Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut synon të fitojë trofe edhe në Kosovë, si dhe për sulmuesin ganez të Trepçës ‘89 Bismark Sie dhe për trajneren e parë të futbollit në Kashmirin e shkatërruar nga lufta.
Këto e shumë materiale të tjera interesante vijnë të dielën në KOHA DITORE.