Çfarë telashe ka sjellë taksa e vendosur ndaj mallrave që importohen nga Serbia? Sa kohë mund t’i rezistojë Qeveria kërkesës së BE-së për pezullimin e taksës? Kush e konsideron vendimin e taksës si vendim emocional dhe pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk shohin përfitim për Kosovën nga vendosja e taksës 100 përqind.
Këto janë disa nga pyetjet që marrin përgjigje në kryetemën e së dielës në Kohën Ditore, me titull “Telashet me taksën”.
Te tema e javës, po ashtu, gjeni shkrimin për banerin e madh që u vendos në kryeqytet pas vendosjes së taksës, me shkrimin “Sot jam 100% shtet – faleminderit kryeministër” dhe si lidhet largimi i kësaj reklame me heqjen e taksës.
Në intervistën e javës flet politikologu Belul Beqaj, për vendimin e taksës që e ka kthyer bashkësinë ndërkombëtare kundër Kosovës. Pse, sipas tij, taksa nuk e forcon pozicionin negociator përballë Serbisë dhe sa ka rrezik që ky vendim t’i kthehet bumerang Kosovës?
Lexoni edhe reportazhin “Konaku për muhabete e çaj”, në çajtoret e çarshisë me kalldrëm të Kaçanikut.
Nga bota gjeni artikujt për sekretin e ndërtesave “vallëzuese” të Japonisë, e po ashtu për çmimin e të qenit gazetar në Kolumbi.
Në rubrikën ‘kosovarçe’ lexoni për kuzhinat popullore të Prishtinës, ku bëhen bashkë humanistët dhe të varfrit.
Lexoni edhe fejtonin për dy vitet më të rënda të ekonomisë së Shqipërisë.
Rubrika e Kulturës këtë javë sjell shkrimet ekskluzive për sopranon nga Kosova në elitën e muzikës, për “Garazhin” me mision grumbullimin e instrumenteve dhe për çanta-punuesit që premtojnë vazhdimësinë e një zanati.
Gjithashtu, për filma e libra të rinj, trendet e muzikës dhe lajmet nga teknologjia, gjeni informacione para se të mbërrini te faqet e sportit.
Në faqet e sportit vijnë rrëfimet për Lindën, kampionen “e persekutuar për një deklaratë dhe për Kovaqin që “ia vuri drynin” basketbollit në Pejë.
Këto dhe shkrime të tjera interesante nga kinematografia, shkenca, teknologjia, moda e shumëçka tjetër, mund t’i lexoni në 82 faqet e numrit të së dielës, në “Koha Ditore”.