Arbëri

Dyshohet se në Pejë deri tash janë infektuar deri në 20 mijë veta

Çdo ditë e më shumë është duke u rritur numri i të infektuarve me Covid-19 në komunën e Pejës. Shtimi i rasteve ka shtuar edhe numrin e të hospitalizuarve në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, ku aktualisht janë duke u trajtuar 145 pacientë, kryesisht banorë të kësaj komune.

Sa i përket gjendjes së pacientëve, siç tregon zëdhënësi i këtij spitali, Naim Sahiti, katër pacientë janë në respirator (CPAP), 93 pacientë janë në oksigjeno terapi, ndërsa nga këta 27 pacientë janë në gjendje më të rëndë. Me këtë numër të pacientëve të shtrirë në këtë spital, është plotësuar pothuajse i tërë kapaciteti prej 166 shtretërve në pesë repartet e liruara deri më tash për trajtimin e pacientëve me Covid-19. Objekti dy katesh i repartit të mushkërive, reparti i internos, i infektives, neurologjisë dhe psikiatrisë.

“Gjendja është mjaft e vështirësuar, sepse numri i madh i pacientëve na ka detyruar që ti marrim disa veprime. Veprimet e para kanë qenë që përveç reparteve që deri tash kanë trajtuar pacientë me Covid të lirojmë edhe reparte tjera, pasi ka fluks të pacientëve dhe pritet të ndërmarrim edhe hapa tjetër. Një repart që e kemi pas neurologjinë e vjetër si e quajmë edhe atë e kemi përgatit për pacientë për Covid”, tregon Sahiti për hapësirën tjetër që ka përgatitur spitali për trajtimin e pacientëve të sëmurë me Covid-19.

Në rast se vazhdon rritja e numrit të pacientëve, Sahiti tha se do të lirohen edhe hapësira tjera në bllokun internistik.

“Kemi edhe plan rezervë për këtë gjë. Por kryesisht unë ju siguroj që spitali i Pejës do të ketë kapacitete për ti trajtua gjithë pacientët, në rast se nuk ka ndonjë eskalim të jashtëzakonshme të gjendjes. Por, shpresojmë që në ditët në vijim të ketë rënie të numrit të pacientëve me covid, pasi jo të gjitha repartet në spital mund të vihen në dispozicion për trajtimin e këtyre pacientëve”, thotë Sahiti për KOHË-n.

Ndërkohë është dyfishuar numri i pacientëve të testuar pozitivë me Covid dhe pacientëve të dyshuar në bazë të simptomatologjisë, që marrin brenda ditës terapi parenterale për Covid-19 në aneksin për Covid në Qendrën e Mjekësisë Familjare numër 5 në lagjen Fidanishte të Pejës.

Deri para disa ditësh në atë qendër këtë terapi kanë marr brenda ditës deri në 100 pacientë, ndërsa ditëve të fundit, siç thotë drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci, brenda një dite marrin deri në 200 pacientë terapi parenterale për Covid-19.

“Gjendja në shëndetin primar javët e fundit paraqitet mjaft e rënduar në krahasim me muajt e më përparshëm, për vet faktin që kemi jashtëzakonisht numër të lartë të pacientëve që frekuentojnë në qendrat shëndetësore që paraqesin simptomatologji të Covid-19”, thotë Loci.

Një faktor tjetër i rëndimit të gjendjes në shëndetin primar është sipas tij, edhe infektimi i stafit mjekësor me covid.

“Kemi një numër më të madh të stafit tonë shëndetësor që dy javët e fundit janë infektuar me covid. Problemi më i madh është në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare numër 5 në Fidanishte, ku gjendet edhe qendra për dhënien e terapisë paranterale për Covid-19 të gjithë pacientëve të kësaj komune”, thotë Loci.

E kjo gjendje e krijuar nuk e befason specialistin e mjekësisë familjare në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen Fidanishte, Adem Eminaj, sipas të cilit virusi ka dal komplet jashtë kontrollit dhe numri i të infektuarve, sipas tij, në këtë komunë është dhjetëfish më i lartë se numrat që jepen nga IKSHP-ja. Prej që ka nisur pandemia e deri tash, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik në Pejë, në komunën e Pejës janë dignostiofikuar 1 mijë e 866 persona me Covid-19, prej të cilëve 80 kanë vdekur.

“Pjesa e madhe e banorëve të kësaj lagje dhe pjesëve tjera të qytetit kanë pas kontakt me virus. Së paku dhjetë vetë tjerë janë që kanë pasur kontakt me të infektuarin. Domethënë në Pejë janë 20 mijë vetë që kanë pas kontakt me virus”, thotë Eminaj.

Sipas tij, virusi po përhapet edhe nga pacientët e dyshimtë e të pa testuar që udhëzohen me marr terapinë në këtë qendrën e Covid-it në këtë ambulancë.

“Nëse udhëzohet në qendër të dyshimtit e jo të diagnostifikuarit, mundësia me u përhapë virusi është shumë e madhe”, thotë Eminaj, sipas të cilit, nëse vazhdon shpërhapja e virusit me këtë intensitet, deri në mars të gjithë do të jenë infektuar dhe nuk do të ketë nevojë për vaksinë.