Arbëri

Dyshohet për dallavere, anulohet tenderi për pajisje mjekësore në Rahovec

Zyra e Prokurimit në Kuvendin e Rahovecit ka anuluar procedurën e prokurimit për tenderin mbi 68 mijë eurosh për pajisje mjekësore, pasi procesi u shoqërua me dyshime për dallavere mes zyrtarëve komunalë e operatorit ekonomik që e fitoi kontratën.

Për tenderin për “Pajisje Mjekësore për Nevojat e QKMF-së” u ngrit dyshimi se operatori fitues “Madekos” ishte vetë autor i hartimit të dokumentit të listës së çmimeve, respektivisht paramasës së tenderit. Kontrata u dha në kundërshtim me nenin 65 të Ligjit për Prokurimin Publik.

Astrit Mullabazi, zyrtar përgjegjës i Prokurimit në Komunën e Rahovecit, ka thënë se duke qenë se ligji thotë se një operator ekonomik që është i angazhuar në paramasë nuk ka të drejtë në aplikim, e ka anuluar komplet procedurën, ndërsa, siç ka thënë, në momentin e anulimit as nuk ka pasur “informacion se ka qenë i përfshirë Madekosi në këtë procedurë”.

“Madekosi” u zgjodh fitues i tenderit për shkak të ofertës më të lirë, megjithatë edhe Mullabazi pohon se “u tentua që të bëhet një dallavere”, pavarësisht se deri në një opinion të Iniciativës për Progres INPO nuk ishte i vetëdijshëm për shkeljen që po bëhej.

“Atë paramasë e kam pranuar nga njësia kërkuese dhe e kam pa që specifikat teknike nuk janë të kufizuara për një operator, sepse ka pasur 2-3 operatorë që kanë aplikuar për të. Kjo ka qenë me çmim më të lirë, Madekosi. Kur kemi vlerësuar, komisioni vlerësues, që kanë vlerësuar specifikat ka qenë në rregull. Vetëm kemi vazhduar me njësinë për dhënie, por kur e kam parë opinionin e INPO-s kam vazhduar me anulim të procedurës. Kontrata nuk është nënshkruar, është bë anulim i aktivitetit të prokurimit”, ka thënë ai për KOHËN.

INPO kishte gjetur dhe publikuar opinionin për dyshimet mbi “Madekosin” dhe zyrtarët komunalë të Rahovecit për tenderin e pajisjeve mjekësore në QKMF. INPO ka thënë se dyshon se zyrtarët komunalë me ata të “Madekosit” kanë ndërtuar skema të mashtrimit në prokurimin publik “me qëllim të përfitimit për vete apo persona tjerë”, përmes përshtatjes së paramasave të artikujve për tenderim.

KOHA ka pyetur edhe kryetarin e komunës, Smajl Latifin, lidhur me rastin. Përveç se ka pohuar se është anuluar procedura e prokurimit për tenderin, ka thënë se nuk di diçka tjetër lidhur me të.

Ndaj zyrtarëve komunalë që dyshohet të kenë qenë të përfshirë me Madekosin nuk dihet nëse janë marrë masa.

KOHA ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga operatori “Madekos”, por një e tillë nuk është pranuar në adresë të saj ende.