Arbëri

Rastet “call center”: Prokuroria zgjeron bashkëpunimin ndërkombëtar

Dyshimet për mashtrim dhe ndërhyrje në sistemet kompjuterike kanë nxitur Policinë që të ndërmarrë aksione nëpër qendra thirrjesh. Në fillim të javës, në një aksion të tillë janë arrestuar 14 persona të dyshuar se kanë mashtruar shtetas të vendeve të ndryshme të botës. Në Prokurorinë Speciale kanë thënë se për hetimin e rasteve të kësaj natyre ekziston bashkëpunim me institucione ndërkombëtare. Por, për parandalimin e praktikave të këtilla në Inspektoratin e Tregut kanë thënë se kanë fushëveprim të kufizuar

Dyshimet për mashtrime dhe ndërhyrje në sisteme ndërkombëtare kompjuterike kanë aktivizuar gjatë kësaj jave autoritetet e rendit që të ndërmarrin arrestime dhe të konfiskojnë pajisje nëpër qendra të thirrjeve.

14 persona kanë përfunduar në pranga në fillim të kësaj jave, në aksionin policor të ndërmarrë në një qendër thirrjesh në Prishtinë, me ç’rast janë konfiskuar edhe pajisje të shumta teknologjike.

Në Prokurorinë Speciale kanë njoftuar se arrestimet ndërlidheshin me dyshimet për hyrje të paautorizuar në sisteme kompjuterike dhe për mashtrime të shtetasve të vendeve të ndryshme, kryesisht nga Gjermania, Britania e Madhe, Holanda, Australia dhe Kanadaja.

Ndaj 13 kosovarëve e një shtetasi izraelit të arrestuar lidhur me rastin, Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

E, për hetimin e rasteve të kësaj natyre në Prokurorinë Speciale kanë thënë se ekziston bashkëpunim me institucione ndërkombëtare me qëllim të pajisjes me të dhëna.

“Deri tani më së shumti kemi pasur bashkëpunim ndërkombëtar me Gjermaninë dhe Australinë, por jemi duke bërë përpjekje që të krijojmë kontakte dhe të sigurojmë ndihmë juridike ndërkombëtare edhe nga shtetet e tjera, që në ndonjë mënyrë janë të interesuara/përfshirë në këtë rast”, shkruhet në përgjigjen e Prokurorisë e cila ka shtuar se bashkëpunimi ndërkombëtar është esencial. “Sepse viktimat janë ekskluzivisht shtetas të huaj dhe të hollat janë transferuar përmes xhirollogarive të ndryshme nga shtete të ndryshme”, thuhet në përgjigje.

Por në Inspektoratin e Tregut – i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, që ka kompetenca në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve, sigurisë së produkteve e të shërbimeve, si dhe në parandalimin e praktikave të padrejta – kanë thënë se në rrafshin e mbikëqyrjes së qendrave të thirrjeve kanë fushëveprim të kufizuar.

“Sa u përket operatorëve ekonomikë, të cilët ushtrojnë veprimtarinë si qendra të thirrjes apo call center, Inspektorati i Tregut ka kompetencë të mbikëqyrë nëse të njëjtët kanë të regjistruar biznesin e tyre, si dhe nëse posedojnë pëlqimin për kushtet minimale teknike për objektin ku ushtrohet veprimtaria. Por nuk kemi kompetenca të tjera lidhur me veprimtarinë që ushtrojnë qendrat e thirrjeve. Ka pasur inspektime me Policinë e Kosovës dhe lëndët janë trajtuar”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit të Tregut.

Arrestime të ngjashme me dyshime mashtrimi kanë ndodhur edhe vitin e shkuar, kur autoritetet e rendit kanë vënë në pranga 18 persona dhe kanë sekuestruar 1.6 milionë euro para të gatshme.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve, aktualisht në Kosovë janë të regjistruara 508 qendra thirrjesh, 69 prej tyre regjistrimin e kanë bërë gjatë këtij viti, ndërsa 63 vitin e shkuar.