Pas dyshimeve për keqpërdorime të fondeve në kopshtin “Botanika”, auditimi ka filluar t’iu bëhet edhe kopshteve të tjera me bazë në komunitet.
Gjatë kësaj jave auditorët e Komunës së Prishtinës kanë qenë duke e kryer auditimin në kopshtin “Milingonat” në Vranjevc.
Këtë e ka konfirmuar vetë drejtoresha e kësaj çerdhe, e cila tha për KOHËN se gjatë tërë javës janë duke bashkëpunuar me auditorët për t’i dorëzuar të gjitha dokumentacionet e nevojshëm për ta.
Përderisa auditimi pritet të fillojë edhe nëpër çerdhet e tjera, drejtoresha e çerdhes “Ketrushët”, ka thënë se nuk kanë asnjë informacion nëse do të ndalen subvencionet edhe për ta apo jo. Ka thënë se janë në pritje të auditorëve nga komuna.
KOHA ka dërguar pyetje në drejtim të Osman Bllacës nga zyra e Auditimit të Brendshëm të kryeqytetit, por që ai nuk ka kthyer përgjigje se ku ka mbetur procesi i auditimit për “Botanikën”.
Përderisa “Botanika” po kalon në këtë proces, Komuna e Prishtinës i ka ndaluar subvencionet për prindërit, e për kopshtet e tjera nuk ka ende një vendim nëse ato do ndalohen ose jo.
Drejtori i Arsimit, Samir Shahini, ka thënë se në momentin që përfundon procesi i auditimit do të rikthehen subvencionet.
Ai ka shtuar se janë në proces të rishikimit edhe të rregullores për këto çerdhe.
“‘Botanika’ ka përzgjedhur një udhëheqësi të re të përkohshme deri të rregullohet funksionimi i të gjitha institucioneve parashkollore me bazë në komunitet përmes një rregulloreje të re të cilën e kemi iniciuar si drejtori në kabinetin e kryetarit. Ne kemi një rregullore të vjetër të ish-kryetarit Shpend Ahmeti dhe me këtë rregullore e kemi parë të nevojshme ta ndryshojmë dhe të rregullohet e ardhmja e këtyre kopshteve dhe për të mos pasur probleme të tilla. Subvencionet do të vazhdojnë në mënyrën se si ka ndodhur deri më tash”, ka thënë Shahini.
Sa u përket çerdheve të tjera, ai ka thënë se e kanë formuar një komision për të rishikuar listat e prindërve që subvencionohen.